Albspirit

Media/News/Publishing

RESUL BEDO, NGA RRESHTAT PARTIZANE NË SHKRIMTARIN E DËSHMORËVE TË ATDHEUT

(Në nderim, respekt e mirënjohje për luftëtarin e rreshtave partizane, ushtarakun  madhor dhe shkrimtarin e serisë së njohur “Yje të Pashuar”, kushtuar dëshmorëve të Atdheut, burrit të shquar të Fushëbardhës Resul Arshi Bedo (Resuli) (16.8.1926-10.1.2019), në kuadrin edhe të 100 vjetorit të lindjes, që një jetë ja kushtoi luftës kundër nazifashizmit gjatë LANÇ-it, antifashizmit, mbrojtjes së gjakut të dëshmorëve, duke ngelur kampion në publikime për dëshmorët e Atdheut si rrallëkush në mbarë kombin shqiptar)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Resul Arshi Bello u lind në 16 gusht 1926 në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes. Shkollën e luftës e kreu në mal duke filluar nga malet e Fushëbardhës e deri në malet e Bosnjës, kur luftonte me BrVIS, “Hero i popullit”. U kthye nga luftimet në Jugosllavi në vitin 1945, ku në 6 dhjetor 1945 Br VIS u vendos në qytetin e Korçës. Ndërsa që në vitin 1946 Resuli caktohet komisar i batalionit të Ersekës së bashku me komandantin e batalionit dhe shokun e armëve Riza Spathara, i cili u vra në provokacionet e gushtit 1949 dhe ngeli i përjetshëm në “Yje të Pashuar”. Prej këtej zgjidhet delegat në kongresin e parë të PKSH në nëntor 1948. Në vitin 1949 emërohet shef operativ i Rregjimentit të nëntë të Br1K, ndërkohë që në atë kohë rregjimenti i Pogradecit kishte 6 batalione e grupe. Prej Pogradecit Regjimenti u vendos në Devoll, ku më 2 gushtin e 1949-tës i gjetën në llogore lufte edhe provokacionet monarko fashiste greke që ky rregjiment i përballoi me sukses dhe shkroi faqe heroizmi. Pas provokacioneve të gushtit Resul Bedo transferohet për vitet 1949-1950 inspektor në Drejtorinë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1951 emërohet komisar i Regjimentit të Përmetit që varej nga Divizioni i pestë i Gjirokastrës. Në vitin 1953 caktohet komisar i Regjimentit të Pogradecit që varej direkt nga Komanda e Përgjithëshme Ushtarake e vendit. Në vitin 1956 caktohet me detyrën e shefit të degës së Organizimit në Shoqërinë për Ndihmë të Ushtrisë dhe Mbrojtjes (SHNUM). Në vitet 1956 – 1956 ndjek njëkohësisht edhe shkollën e Partisë me korispondencë. Në vitin 1961, kur ishte vetëm 35 vjeç merr gradën e Nënkolonelit dhe caktohet me detyrën e shefit të studentëve të kthyer nga BS, për mbarëvajtjen e tyre në universitet. Në këtë periudhë vazhdon edhe studimet për Histori e Letërsi në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1964 deri në vitet 1969 kreu detyrën e shefit të kulturës në Drejtorinë politike në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitet 1969-1974 ka qenë shkrimtar i lirë, por kontigjent i Ushtrisë Popullore. Në vitin 1975 pasi u hoqën shkrimtarët e lirë emërohet Komisar Brigade Këmbësorie në Elbasan. Nga kjo detyrë tërhiqet me qëllim për të vijuar veprimtarinë krijuese për serinë e librave “Yje të pashuar”, si dhe emërohet shefi sektorit të Dëshmorëve në Komitetin e Verteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Resul Bedo kontributin e dhënë në LANÇ, në organet drejtuese të ushtrisë shqiptare si dhe në fushën e letrave shqipe, por edhe drejtuesi i parë i shoqatës për të rënët e Popullit shqiptar. Resul Bedo gëzon një popullaritet të gjerë dhe një respekt jo vetëm në Fushëbardhë dhe krahinën e Kardhiqit por si personalitet i letrave shqipe e veçanërisht për Dëshmorët e Atdheut në mbarë vendin. Ka fituar disa çmime letrare kombëtare, është shkrimtar i njohur dhe ka shkruar mjaft libra me vlerë, njëherai edhe serinë e veprave “Yje të pashuar” për dëshmorët dhe heronjtë e LANÇ-it. Ai nuk i la të shuhen yjet dhe tashmë është një shkrimtar i mirënjohur që mbrojti idealet e dëshmorëve të Atdheut deri në frymën e fundit. Ai ishte dhe mbetet krenari që ja lartëson supet jo vetëm Fushëbardhës, krahinës së Kardhiqit, trevës së Labërisë dhe Kombit Shqiptar. Për këtë arsye Qarku i Gjirokastrës e ka nderuar me titullin e lartë të nderit me medaljen më të madhe: ”Nderi i Qarkut të Gjirokastrës”. Resul Bedo është shuar në moshën 93 vjeçare më 10 janar 2019 në Tiranë, por vepra e tij e shumtë dhe e gjithanshme është e njohur në mbarë kombin shqiptar këtej dhe matanë Drinit, në Kosovën tonë.

*

Vendlindja me rrënjë historike e luftëtarit të rreshtave partizane Resul Bedo

Resul Bedo erdhi në jetë në një familje të thjeshtë por me tradita të thalla patriotike. Që në vatrën e tij familjare u mëkua me ndjenja atdhetare, pasi brez pas brezi fushëbardhasit kishin luftuar dhe derdhur ggjak për truallin arbëror. Resuli u njoh që në vegjëli me sakrificat e shumta të familjes por dhe të bashkëfshatarëve të tij, për të rrojtur të lirë. Të gjitha këto u bënë motiv i jetës kur u rrit dhe u kultivua si kuadër ushtarak. Librat u bënë bashkëudhëtare të tij që në vegjëli e deri në frymën e fundit, pasi sikurse thoshte ai, “librat janë mënyra jonë për të jetuar më shumë se një jetë”. Nga të parët mësoi punën, jetën, luftën dhe mbi të gjitha historinë. Kështu në Fushëbardhë mësoi më shumë për dyqind vitet e fundit, kontributet e popullit të zonës, burrave dhe grave të Fushëbardhës, krahinës së Kardhiqit e Rrëzomës që kanë qenë të jashtëzakonshme dhe me karakter kombëtar. Në luftë me pushtuesit osmane, me shovinistët grekë, pushtuesit italianë e gjermanë përpjekjet dhe sakrificat nga të gjithë kanë qenë të dallueshme. Është derdhur shumë gjak, u shkatërruan shtëpitë, u dëmtua plaçka e bagëtia; mësoi për trimëritë e bashkëfshatarëve në luftën e Tanzimatit më 1847, për luftën e Mecovës të 1854 ku ranë edhe Bajo Kazo e Habil Xhuvani, për luftën e Lëkurësit të bradhomës, të Palavlisë ku Fushëbardha derdhi shumë gjak dëshmorësh, mësoi për trimëritë e panumërta të Çelo Picarit, luftrat e tij në gjithë zonën kundër xhonturqëve, lufta në veri të Greqisë. Prandaj dhe populli i ka kënduar: “Ç’janë ata që shkojnë malit,/  Trimat e Çelo Picarit.,/Mos i dil përpara kalit,/ Se të merr lulen e ballit.,/Me majën e jataganit…” etj. Resul Bedo që fëmijë mësoi për trimëritë e bashkëfshatarëve të Hito Kongocit-Fushëbardhës për Idriz Alidhimën, për fushëbardhas, zhulaqotë dhe mjaft labër të vrarë nga andartët grekë në Lëkurës në qafën e Gjashtës. Vendlidja i mësoi bëmat e çetës Çerçiz Topulli, të Mihal Gramenos, Zeman Haskës, Bajram Ligut, Hito Lekdushit; për luftrat në Cepo, në Skërficë të Fushëbardhës, në Mashkullorë, Dropull e Ersekë, në Korçë, Selanik e Manastir, dhe sidomos për katër luftat për Janinën vilajetin e jugut të shqiptarëve. Luftrat dhe dëshmorët lanë gjurmë të pashlyeshme për Resul Bedon, ku ai mësoi shumë për Luftën e Vlorës të 1920, ku dhe sot në Fushëbardhë këndohet kënga “Merri Vlorë bijtë tanë,/ 78 jataganë…”. Kontributi i zonës nga të gjithë ka qenë i padiskutueshëm kundër pushtuesve. Sa jepej kushtrimi, mblidheshin të gjithë nën drejtimin e kapedanëve; ndërsa në luftën e madhe Antifashiste Resuli ishte mjaft aktiv edhe pse me moshë të vogël. Po kështu ishin edhe fushëbardhas të tjerë edhe më të vegjël se Resuli sikurse ishin në frontin e luftës mbi 120 partizanë. Më të vegjël ishin Xhezo Proda dhe Latife Nora. Resul Bedo është pjesë e fitimtarëve të luftës dhe për të rënët në këtë luftë punoi gjithë jetën që nga mbledhja e eshtrave të partizanëve shqiptarë të rënë n ëish-Jugosllavi dhe deri në shkrimin e historisë së tyre në serin e veprës madhore “Yje të Pashuar”, kësaj vepre të madhe që është si “biografia e mijëra dëshmorëve të Shqipërisë”. Në mënyrë shumë simbolike dhe me një mesazh gjithëpërcjellës autori thotë se, “Yjet ndrisin më shumë kur janë pranë njëri-tjetrit”, një mesazh ky edhe për brezat, pasi pa të shkuar nuk ka të ardhme.

*

Nga luftëtar i formacioneve partizane dhe më tej ushtarak madhor e shkrimtar i njohur

Resul Bedo ishte vetëm 13 vjeçar kur pushtuesit fashistë italianë zaptuan tokën shqiptare dhe 14 vjeçar kur zhvillohej lufta italo-greke. Ai pa me sytë e tij këtë luftë që shumica u zhvillua në tokën shqiptare. Natyrshëm u lidh me lëvizjen çlirimtare, me njësitet guerile të fshatit dhe të krahinës e më tej me çetën emërmadhe Çerçiz Topulli që u ngrit në qendër të fshatit Fushëbardhë më 12 dhjetorin e vitit 1942. Aksionet e saj dhanë besim të plotë në popull. Djemtë e vajzat e popullit për herë të parë po punonin dhe luftonin për popullin. Resul Bedo, i lindur në një ambient të panënshtruar dhe luftarak, sa trimëror aq e të mençur dhe nëpërmjet qumështit të gjirit, nëna i dha atdhedashurinë e domosdoshmërinë për të qenë i lire, por kur ishte 15-vjeçar u rreshtua në çetën “Çerçiz Topulli” me një aktivitet mjaft të gjerë dhe që komandohej nga Dilaver Poçi dhe Gani Haloçi; më tej në 7 gusht 1943 pjesë e batalionit “Asim Zeneli” një battalion mjaft i njohur i luftës çlirimtare dhe me krijimin e njësive të mëdha të ushtrisë u rreshtua si pjesë e BrVIS. Në mendjen e Resul Bedos u rregjistrua gjithë veprimtaria e Brigadës VI Sulmuese, sikurse janë përballimi i operacionit gjerman të dimrit (26-28 janar 1944); Veprimet luftarake për thyerjen e operacionit gjerman të dimrit; Kundërmësymja partizane; Mësymja në fshatrat e Lunxhërisë; Përleshjet në Qestorat; Çlirimi i Libohovës; Nga Tepelena në Kurvelesh e Mesaplik. Ndërsa për veprimet luftarake gjatë kundërmësymjes së vitit 1944 të UNÇSH (30 mars – 26 maj 1944) më me rëndësi janë: Lufta në Rrëzomë të Delvinës, goditja në Mavrovë; luftimet në Kalanë e Margëlliçit dhe Patos; thyerja e operacionit armik “Magjia e pranverës”, në mbrojtje të Kongresit të Përmetit 24-28 maj 1944, veprimet luftarake për thyerjen e operacionit gjerman të qeshorit (15 maj – 25 qershor 1944), në mbrojtje të zonës së lirë (28 maj-10 qershor 1944), përballimi i mësymjes së armikut (10-24 qershor1944).; luftimet në luginën e Shushicës; luftimet në sektorin e bregdetit, luftimet në rrethim dhe çarja e rrethimit, asgjësimi i armikut në Dukaj e Salari. Një ndër momentet më decisive ka qenë kalimi i brigadës në Shqipërinë e Mesme (4 gusht – 18 shtator 1944), veprimet luftarake në Malin e Tomorit, kur Brvis futet në Divizionin II Sulmues, kalimi i lumit Shkumbin, luftimet në Labinot, ku u vra edhe shoku dhe bashkëfshatari i Resulit, Xhezo Proda një pioneer lufte, veprimet luftarake të brigadës në rrethinat e Tiranës; mësymja e brigadës në zonat e Shqipërisë së Veriut (30 shtator – 29 nëntor 1944), çlirimi i Mirditës, asgjësimi i armikut në Shpal, veprime luftarake e politike në krahinën e Pukës, luftimet e fundit për çlirimin e Shkodrës; Veprimet luftarake në Mal të Zi dhe në Bosnjën Jugore (29 nëntor – 5 dhjetor 1945), sikurse janë luftimet në rajonin e Podgoricës, luftimet në Ljeva-Reka e Verushë, ndërprejrja e rrugës së tërheqjes së forcave gjermane, në ndjekje të ushtrisë gjermane përmes Sanxhakut drejtë Bosnjës, mësymja partizane në Drinsko e Suhagorë, veprimet e brigadës në Kosovë e Maqedoni e deri marrshimi kur brigada kthehet në atdhe, plotë një rrugëtim luftarak prej 3700 km.

Shkrimtarët dhe historianët e luftës çlirimtare e ndër të parët Resul Bedo kanë evidentuar e shkruar se, deri në janar 1944 ishin krijuar BrIS, më 15.8.1943, BrIIIS më 25.9.1943 në Arbanë të Tiranës, BrIIS më 28.11.1943 në Skrep, poshtë maleve të Linosit, në Shëngjergj, si dhe kryente aktivitetin në zonën e Shëngjergjit, Çermenikës dhe Martaneshit. BrIVS e krijuar më 28.12.1943 në Voskopojë, BrVS e krijuar më 20.1.1944 në Bramishnjë të Tërbaçit, ndërsa BrVIS u formua më 26.1.1944 në Sukë të Përmetit ku përurimi i saj u bë në zjarrin e betejave të përgjakshme. Brigada e VI-të sulmuese “Heroinë e Popullit”, që në ditën e parë të krijimit numëronte 912 partizanë nga të cilët 120 vajza dhe gra dhe 60 pionierë lufte, ndërkohë që efektivi i saj u rrit në 1700 luftëtarë. Brigada komandohej nga Tahir Kadare, komisar Mustafa Matohiti. Lufta e partizanëve të BrVIS çliroi 8 qytete e 32 krahina, që përmes luftimesh të përgjakshme të 5 batalioneve të saj, ndoqi nazistët me luftime deri në Vishegrad, por la në fushën e nderit 205 “Dëshmorë të Atdheut” dhe 10 “Heronj të Popullit”. Brigada pari edhe 540 partizanë të plagosur disa nga të cilët ndërruan jetë nga plagët e marra në luftë dhe që në bazë të ligjit meritojnë titullin e lartë “Dëshmor”. BrVIS ishte një nga formacionet më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u shndërrua në simbolin e rezistencën antifashiste të shqiptarëve. Me betejat e zhvilluara kjo brigadë shkroi me gërma të arta historinë e saj, pasi Shqipëria ishte ndër vendet e para të Europës që u çlirua tërësisht nga pushtuesit nazifashistë, si një meritë të padiskutueshme i takon partizanëve të Brigadës VI Sulmuese, që u bë Brigada epope lavdie e LANÇ-it, që luftoi 308 ditë lufte në Shqipëri dhe 371 ditë të tjera lufte në ish-Jugosllavi dhe për të gjitha këto ka shkruar me detaje shkrimtari fushëbardhas Resul Bedo. Në Fushëbardhë në 82 vite, për brigadën e gjashtë sulmuese ose “Brigadën e Labërisë”, thuhej “Brigada ku luftoi Alem Shehu e Tahir Xhuvani (rënë më 15.4.1944), Kutbi Çelo Gjeçi (rënë më 25.7.1944), Xhezo Dervish Proda (rënë më 11.9.1944), Latife Veli Nora (rënë më 25.3.1945) në Suhagorë të Bosnjës..”, ndërkohë që brigada ishte sikurse është etiketuar, “Brigada që tundi dhenë,/në popull ngriti folenë,/atje jataku dhe shpirti,/lavdinë më lartë e ngriti,/..Për të gjitha këto ka shkruar shkrimtari Resul Bedo i cili u kalit në zjarrin e luftës për çlirim, në fillim si partizan i thjeshtë, por që u dallua nga aktiviteti i tij dhe morri përgjegjësi drejtuese deri nënkomandant batalioni. U farkëtua në betejat e zhvilluara në të gjithë territorin e Atdheut dhe jashtë tij, deri në Vishegrad të ish- Jugosllavisë. Në këto luftime u krijua portreti i partizanit trim, komandantit sy patrembur, por edhe i shkrimtarit të madh realist, që thotë të vërtetën e parë me sy, por edhe si aktor direkt. Atdheu u çlirua më 29 nëntor 1944, por detyra të reja e prisnin Resul Bedon si kuadër i luftës, detyra e rindërtimit dhe e mbrojtjes së Atdheut, prandaj edhe shërbeu direkt në strukturat e Ushtrisë Popullore shqiptare. Kapota e tij u shpua nga plumbat në provokacionet e monarkofashistëve grekë në vitin 1949, por trupi dhe zemra e tij mbijetuan gjatë mbijetuan për të shkruar për gjakun dhe shpirtin e dëshmorëve. Vetëm për luftën e 1949-tës Resul Bedo ka shkruar nëntë vëllime, edhe si dëshmitar okular i kësaj lufte. Shpesh në shkrime të shumta Resul Bedon e cilësojnë si komandantin e Armatës së heroizmit masiv dhe e lavdisë shqiptare; vëllimet “Yje të pashuar” janë korparmatat; romanet e tij janë divizionet; novelat janë brigadat sulmuese partizane; tregimet batalionet sulmuese partizane; episodet janë kompanitë; fjalët janë togat dhe rrokjet janë skuadrat; ndërsa germat ushtarët që kanë pushtuar kombin, ndërkohë, edhe shqiptarët, kudo ku gjenden janë pjesë e trupëzuar e heroizmit të shqiptarëve shekujve.

*

Një jetë me “Yjet e pashuar” dhe për “Yjet e pashuar” të kombit Shqiptar

Për shkrimtarin Resul Bedo “Yje të pashuar” u bë motiv i jetës dhe librat e tij u bënë frymëzues për shumë breza. Resuli ashtu sikurse shumë shkrimtarë të tjerë të luftës, si Llazar Siliqi, Dhimitër Shuteriqi, Petro Marko, Sabri Godo, Memo Meto, etj., edhe vepra letrare e shkrimtarit Resul Bedo, ka frymëzuar shumë breza. Rinia shqiptare e kohës së luftës, por edhe ajo që më pas ndërtoi Shqipërinë është ushqyer me mesazhet të atdhedashurisë që ka përcjellë krijimtaria e tij. Në fakt shumë breza që janë sot në moshë kanë ende të gjallë në kujtesë tregimet nga lufta të Resul Bedos, të mësuara në bankat e shkollës, apo dhe “librat për lexim jashtë klase” të rekomanduara nga mësuesit. Energjia e shkrimtarit ishte e pashtershme dhe kujtesa e tij ishte brilante. Fakt është se Ai ndjehej më i ri kur shkruante për dëshmorët dhe në fakt deklaronte shpesh në rrethet miqësore, por dhe në Shoqatës Kulturore Atdhetare “Fushëbardha”, që ishte themeluar më 4 Prillin e vitit 2004 dhe ku Resuli ka qenë kryetar i parë i saj: “Për dëshmorët e shkruara nuk ka fund, dhe unë e quaj veten ushtar të Shqipërisë”. Jetët ndryshuan, por Yjet e Pashuar, ishin janë dhe do të mbeten përjetë. Ata janë pavdekësia e kombit shqiptar. Fakt është se Resul Bedo ka shkruar që gjatë luftës dhe libri i parë i tij ka qenë “Nga Kuçi në Vishegrad”, ku përshkruhet rruga heroike e tre brigadave partizane të divizionit të dytë, të krijuar në Tomorr, pas operacionit të qershorit, që u nis drejt Vishegradit. Në Kosovë gjatë luftës Resuli ka qenë vetëm 18 vjeç dhe ishte komisar kompanie. Ai shpesh ka shkruar për këtë periudhë për brigadat partizane për organet e shtypit sikurse ishte revista “Flaka”, ku shkruante Resuli dhe që drejtohej nga Xhemil Frashëri. Këto botime në luftë inkurajonin partizanët përmes revistës “Flaka” në vitet 1944- 1945, pasi lufta çlirimtare vazhdoi edhe në ish-Jugosllavi. “Ditari partizan”, një përmbledhje që kishte vetë kompania ku bënte pjesë Resul Bedo ishte këndi i informimit për luftën çlirimtare. Gjatë jetës së tij të gjatë Resul Bedo shkroi në mbi 120 libra, por “dobësia” e tij ishin 20 vëllimet “Yje të pashuar”, ku ka derdhur energji të pafund, ku çdo dëshmor, aty ka të evidentuar jetëshkrimin dhe fotografinë e tij. Ai mundi të ngrejë shumë memorial, natyrisht me 120 librat që ka shkruar. Memorialët e Lapidarët ngrihen me llaç, tulla, hekur e beton të veshur me mermer, ndërsa Resul Bedo i ka ngritur me libra dhe që të gjithë për dëshmorët dhe luftën çlirimtare. Resul Bedo për dëshmorët thotë se, “Goja për dëshmorët duhet të jetë gjithnjë e hapur, të flitet gjithmonë, pa u ndalur për ta. Vetëm kështu nderohen dhe respektohet gjaku i të rënëve mbi të cilin qëndrojnë themelet e shtetit”. Resul Bedo ka qenë edhe në krye të një delegacioni shqiptar ku bënin pjesë edhe Ismail Kadare, Muntaz Dhrami etj, në një vizitë që kishin bërë në vitin 1972 në Republikën Popullore të Kinës një delegacion nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Delegacioni kryesohej nga shkrimtari ushtarak Resul Bedo,që në atë kohë mbante funksionin e shefit të Propagandës së Ushtrisë Popullore shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Në bazë të protokollit, shqiptarët i priti homologu kinez, Çian Çin, që ishte gruaja e Mao Ce Dunit, dhe mbante postin e drejtores së Propagandës së Ushtrisë së Kuqe të Kinës. Pas këtij takimi, delegacioni shqiptar u prit në një takim të veçantë edhe nga Go Mo Zho, një personalitet me reputacion dhe popullaritet mjaft të madh, i cili në atë kohë mbante funksionin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore të Kinës. Pas Kinës delegacioni vijoi vizitën e tyre në Vietnamin e Veriut, që asokohe ishte në luftë të ashpër me amerikanët. Krijimtarinë e tij Resul Bedua e kishte nisur që në moshë të re në botimet e shtabeve të ushtrisë, që në zjarrin e LANÇ-it, për tu bërë më pas një nga autorët më të spikatur të historisë së luftës dhe heronjve të saj.

Resul Bedo shkroi mjaft libra me vlerë si: “Yje të pashuar”, “Çlirimi i Shkodrës”, “Gjurmë të ndezura”, “Ballëndriturit”, “Në Kosovë mes vëllezërve”, “Edhe ne luftuam”, “Ata mbetën përgjithmonë ushtarë”, “Nga Kuçi në Vishegrad”: ditar partizan – 1958; “Shqiponjat e vogla” – 1961; “100 episode partizane” – 1963, “Ky vënd ka zot” – 1964, “Gryka e Zarelit” – 1964, “Bjeshka” tregime për fëmijë të moshës së re e të mesme shkollore –1966; “Ata mbetën gjithmonë ushtarë” – 1967; “Batalioni Partizan “Asim Zeneli” (7.8.1943 – 1968)” redaktor – 1968; “Armë të pathyera” skica dhe tregime – 1968; “Shtegu i verbër” : kronikë letrare – 1968; “Marshim i pandalshëm” – 1968; “Këngë trimërie”, V.1– 1968; “Goditje” kronikë letrare – 1972; “Në fletë të shënjestrës” : skica, portrete dhe përshkrime nga një stërvitje – 1972; “Operacioni “Nepërka” roman – 1972; “Prapa ekranit” : tregime dhe skica – 1973; “Grusht çelik Brigad’ e Gjashtë : përpjekjet dhe veprimtaria luftarake e politike e Brigadës VI Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare” – 1973; “Edhe ne luftuam” roman – 1974; “Çlirimi i Shkodrës” kronikë : vështrim si pas ngjarjeve e dokumenteve historike të kohës – 1997; “Ditë me furtunë” roman – 1977; “Lule në vezme : tregime” skica e novela – 1977; “Gjurmë të ndezura” roman – 1980; “Pishtarë të lirisë” – 1993; “Në zemër të maleve” , “Shtegtim i largët”,  “Bilbilenjtë” roman – 1995; “Ushtari i pushkatuar” novelë për shkollarët e vegjël – 1996; “Rrëfimi i një emigranti” novelë dhe tregim për fëmijë – 1997; “Ndëshkimi i korbave” roman – 1998; “Po ku je Adem Jashari!” – 1999; “Shtegëtim i largët” (ditar lufte i një divizioni shqiptar në Bosnje, janar-shkurt 1945) – 2000; “Gjurmë në kujtesë” skica-portrete – 2000; “Llukani” monografi e letrarizuar – 2000; “Kryqthyerit dhe shqiponjat” – 2002; “Kështjella partizane e Cepos” – 2003; “Fushëbardha, shtëpia e të gjithëve” – 2004; “Furtuna” roman Bot. i 2-të – 2004; “Divizioni VI Sulmues në fletët e një ditari” – 2006; “E jetoi jetën pa iu thyer gjuri”; “Idriz Alidhima” novelë – 2006; “Mendime për “Yje të pashuar” – 2007; “Ata ngritën lart lavdinë e atdheut : gusht 1949” – 2008; “Avdyl Bizhga përmes kujtimeve” (bashkëautor) – 2011; “Bota u përket guximtarëve”: (skica dhe portrete) – 2014; “Ballëndriturit : yje të pashuar, dëshmorë që ranë në betejën për çlirimin e Tiranës” – 2014; “Ditar i Divizionit të VI Sulmues të UNÇSH : (3 janar 1945-12 shtator 1945)” – 2015 etj. Fakt është se të shkruash për shkrimtarët e dëshmorëve është detyrim por dhe frymëzim, sepse të tillë kanë qenë dhe kanë ngelur dëshmorët një rracë e dashur atdhetarie, një farë e mbjellë për lirinë, roje e përhershme e pavarësisë së trojeve arbërore një kujtesë për të gjithë brezat dhe për të gjitha kohrat. Prandaj sa herë kujtohen dëshmorët e heronjtë kujtohet edhe autori i serisë së njohur “Yje të Pashuar”. Një jetë duke shkruar dhe e didikuar për dëshmorët dhe LANÇ-in, për “Yje të Pashuar”, ku ish-partizani dhe ish-ushtaraku e shkrimtari Resul Bedo e shkriu jetën për idealet antifashiste, për shqiptarizmën. Vlerësimet me dekorata, urdhëra, medalje të luftës dhe të punës janë të shumta, është nderuar me Medaljen e Trimërisë, Medalja e Kujtimit, Medalja 10 vjetori i Ushtrisë, Medalja e Shërbimit Ushtarak, Medalja “Ylli i Kuq”, Nderi i Organizatës së Veteranëve, Nderi i Organizatës së Dëshmorëve, Nderi i Qarkut të Gjirokastrës; ndërkohë që me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij gjykojmë se meriton nderimin më të lartë nga shteti shqiptar, ndoshta “Medalja e Artë e Shqiponjës”, ose “Ylli i madh në urdhërin lisi akademik”, por ka ardhur koha për kontributin që ka dhënë, një rrugë të mbajë emrin e tij.

Burimet e studimit: Burime nga materiali i shkruar ilustrativ: “Historiku i Brigadës VI Sulmuese, Tiranë, 1989” me autorë: Xhule Çiraku, Esat Golemi, Janul Dango, Jaup Duballa, Xhemil Frashëri, Kapo Kapaj, Resul Bedo, Maliq Hashorva, Lame Çekani, Avni Gjoni, Zagoll Skëndaj, Petrit Mamaj.; Të dhëna nga arkivi familjar, MM, Tiranë, Të dhëna nga AQSH, AQFA-së, të dhëna nga më shumë se 120 libra të autorit Resul Bedo, të dhëna nga gazeta Labëria, Kiço Kutali, “Resul Bedo, simbol i heroizmit masiv, monument i lavdisë kombëtare dhe pasuri kombëtare”, në gazetën “Telegraf”, publikuar më 10 Tetor, 2014; Gazeta Telegraf, Xheladin Çelmeta: Kush e harroi legjendarin Resul Bedo”, publikuar më 7 Maj, 2015; të dhëna nga dosja e oficerit Resul Bedo pranë QPR, MM; Fonder arkivore të AQFA-së dhe AQSH, Koleksioni i gazetës “Fushëbardha”, Organ i SHKA “Fushëbardha” nr.1 deri nr.20, në Bibliotekën Kombëtare;  Gazeta “Telegraf”, Resul Bedo, një jetë duke shkruar për dëshmorët dhe LANÇ-in, datë, 7 Korrik, 2013; Gazeta Koha Jonë:  E Diel, 9 Maj 2021, nga: Prof. Murat Gecaj, “Nderim e kujtim për shkrimtarin Resul Bedo, biografi i dëshmorëve”; Resul Bedo, Yje të pashuar, Flasin Heronjtë e popullit : botohet në kuadër të 29 Nëntorit, 60 vjetorit të Çlirimit, Tiranë, 2004.; Ish-Luftëtari Resul Bedo/ Rrëfimet e partizanit për botimin e “Yjeve të Pashuar” në Kinë dhe pse u ndalua fillimisht nga Byroja. Shqipëria, një dëshmor në çdo kilometër dhe provokacionet greke, gazeta “Telegraf”, 11 dhjetor 2018. https://telegraf.al/politike/resul-bedo-nje-jete-duke-shkruar-per-deshmoret-dhe-lanc/; https://kohajone.com/magazine/nderim-e-kujtim-per-shkrimtarin-resul-bedo-biografi-i-deshmoreve/.