Arben Iliazi: Hajde, more Osman Taka!
Kujtesa është faktor thelbësor në veprimtarinë njeriut, është baza e personalitetit individual, sikurse tradita është baza e individualitetit kolektiv të një populli.
Dje mësova, me shumë emocion, se vallja e “Osman Takës” u përfshi në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë, si “simbol i identitetit çam, që mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza”. Isha një nga propozuesit, mes shumë studiuesve e shkrimtarëve, ndaj emocioni është i dyfishtë. E gjithë trashëgimia kulturore materiale, që përfshin të gjithë hapësirën dhe kujtesën historike të trevës së Çamërisë, monumentet historike dhe arkeologjike, peizazhet dhe vlerat shpirtërore, kërkojnë vëmendje dhe mbrojtje emergjente institucionale.
Disa nga monumentet kryesore materiale kanë nevojë për mbrojtje nga UNESCO, e cila ka si mision, mbrojtjen e trashëgimisë universale të veprave të artit dhe monumenteve të tjera me interes historik, apo shkencor, madje, duke këshilluar popujt e interesuar mbi konventat ndërkombëatre në lidhje me këtë qëllim. Institucionet Shkencore Akademike duhet të hartojnë me urgjencë një regjistër kadastral mbi pronësinë e shtëpive në Çamëri. Nuk është një trashëgimi fizike, por trashëgimi jo materiale, që përmbledh monumente dhe ansamble arkitektonikë, që ndodhen në një territor pa burime teknike dhe financiare për të siguruar vetëruajtjen, dhe kësisoj kërcënohen nga zhdukja. Greqia ka detyrim ligjor të respektojë dhe ruajë trashëgiminë kulturore të minoriteteve.
Çështja e trashëgimisë monumentale të Çamërisë duhet të ndërkombëtarizohet nga UNESCO dhe institucionet europiane, për të ndalur shkatërrimin e mëtejshëm. Shkrimtari dhe studiuesi Luan Rama, së shpejti do të vijë me një libër të këtyre objekteve, me një teknikë që nënkupton krijimin e një kujtese “fotografike”.
***
Deri në shkurt 2023 kur, së bashku me regjisorin Naun Shundi dhe producentin Alket Veliu, vumë në skenë dramën “Osman Taka”, për Osmanin, valltarin e njohur dhe luftëtarin çam, ekzistonte vetëm një legjendë e njohur e historisë, me fare pak rreshta, dhe vallja e famshme, trashëguar në breza. Legjenda e përmbledh historinë me pak fjalë: Osman Taka ishte dënuar me vdekje nga Porta e Lartë, me një ferman të firmosur nga vetë Sulltani. Sipas rregullave të Portës së Lartë të dënuarve para ekzekutimit u lejohej të shprehnin një dëshirë të fundit. Cila është dëshira e Osmanit? Të kërcejë një valle! Dëshira i plotësohet. Osmani kërcen vallen e tij, një valle e shkurtër (që zgjat diku tek tre-katër minuta), por me lëvizje aq intensive dhe prekëse, plot melankoli dhe krenari, sa i lë të gjithë pa fjalë. Dhe arrin t’i shpëtojë varjes në litar në momentin e fundit, falë ndërhyrjes së Xhemile Hanëm, e cila i lutet të shoqit ta falë, pasi mahnitet nga vallja e tij.
Kur më lindi ideja për të shkruar një dramë historike duke përdorur këtë legjendë, si lëndë të parë burimore, producenti Veliu e mbështeti menjëherë dhe më nxiti ta shkruaj, ndërsa regjisori në fillim ishte pak konfuz se si do të arrija të ndërtoja një konflikt dramatik për një publik të gjerë, të cilit i mjaftonte vallja e famshme, kërcyer me mjeshtëri të rrallë nga Taip Madani, në Fesivalin e Gjirokastërs në vitin 1973.
Dhe, vëertet, nuk ishte aspak e lehtë, por ka qenë sfidë e fuqishme, për nga tërësia skenike e pamjeve, për ta shndërruar në një vepër të pasur dhe të ngjeshur ideo-artistike. Nuk synova ndryshimin e tipologjisë së vetëdijes historike, por ndryshimin e marrëdhënies karshi historisë, dhe kjo, padyshim, kërkonte përvojë krijuese, që vepra të transmetonte mesazhe të gjithëkohshme.
Drama është ngritur mbi një sfond të tillë historiko-shoqëror, që krijon mundësinë të shpaloset kompleksiteti dramatik, historia e njerëzve që bartin me vete mallkimin e luftërave.
“Osman Taka” u ngjiz si një vepër dinamike, me shumë shtresa poetike, me një kornizë të pakapshme, që lëviz në suazat e fiksionit artistik, me situata të papritura, ku imagjinativja dhe fantastikja na bëhen reale, ndërsa ajo që është reale shndërrohet në të pabesueshme. Protagonisti i njëmendttë i veprës, Osman Taka, është shpirti i gjithë zhvillimit të veprës, i cili ngërthen brenda vetes një realitet historik të ngjeshur, përmes shumë rrethanave dhe situatave historike që jeton ky hero i Rilindjes Kombëtare, të cilin shumica e shqiptarëve e kanë dëgjuar si një valltar të famshëm me vallen e tij pirrike, që kërcehet kudo në trevat shqiptare, madje dhe në Greqi. Përmes këtij heroi jam përpjekur që të analizoj, me një distancë kohe dhe vështrim kritik, zhvillimet dhe ngjarjet e mëdha, në frymën e idealeve kombëtare shqiptare, pikërisht përmes veprimit të ndërgjegjshëm dhe kurajoz të kësaj figure tejet interesante, këtij luftëtari të shquar të Çamërisë.
Për mua ky mbetet projekti më i madh teatror.
Regjisori dhe aktori i mirënjohur Naun Shundi përgatiti një shfaqje shumë serioze, me një qasje regjisoriale mjaft interesante dhe me një frymë të re, e cila mendoj se do të vijojë të vlerësohet nga publiku si një shfaqje e denjë.
Lojën aktoreske regjisori ia besoi emrave të njohur të teatrit: Ervin Bejleri, Neritan Liçaj, Ola Harizaj, Romir Zalla. Për këtë vepër u punua shumë, u punua për çdo detaj dhe për nuancat të cilat unë i çmoj tepër. Veç regjisorit dhe aktorëve, ndihmesë të madhe dhanë skenografja dhe kostumografja Anila Zajmi, kompozitori Endri Sina dhe koreografi Dion Gjinika.
Fatet e personazheve të dramës, problemet dhe dramat e brendshme të tyre, përmes lojës së aktorëve vijnë shumë të besueshme dhe reale në skenë, sa njerëzore, aq edhe tronditëse, deri në tragjizëm. Drama u jep mundësi personazheve që të shpjegojnë të vërtetën e tyre, dramën e tyre, historinë e tyre, të vërtetën e tyre, e cila i shqetëson. Madje ata nxitojnë që ta bëjnë sa më parë këtë gjë, me përballje mjaft dramatike.
Drama është një tablo jo vetëm e krenarisë, por edhe e pasionit, me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Osmani është i veshur me një tis legjende dhe i mbrujtur me stoicizëm folklorik. Për Osmanin e tmerrshme nuk është të vuash, as të vdesësh, por të vdesësh kot.
Ndërkohë Valiu përjeton dramën e tij të dyfishtë, si në planin privat, intim, familjar, ashtu edhe në atë shtetëror, të përgjithshëm, kombëtar. Për shkak të ndjenjës patologjike të urrejtjes që e ka kapluar si me magji. Luftë emocionesh, gjeneruar nga pasioni, nga stresi dhe konflikti. Por ajo që gërryen shpirtin është ndjenja e armiqësisë dhe e urrejtjes, deri sa hakmarrja e humb betejën, duke i lënë rrugë të lirë triumfit të paqes shpirtërore. Xhemilja arrin në fund të ndryshojë burrin e saj. Në skenën e fundit Valiu heq dorë nga urrejtja pa kuptim dhe e lë të lirë Osmanin.
Osman Taka nuk vdes teatralisht, por lihet i lirë për të vdekur vërtetësisht, në kuptimin e ligjeve të jetës. Mesazhi që sjell vepra është se vorbullat e luftërave dhe urrejtjet pa kuptim mes popujve janë kulmi shkatërrues i vlerave të shoqërive tradicionale. Ato shkatërrojnë gjithçka: traditën, lidhjet, obligimet morale, identitetin. Ato sjellin shkatërrim të pamatur të harmonisë, në çfarëdo lloj kuptimi, një mjerim të thellë shpirtëror dhe degradim apokaliptik të vetë qenies njerëzore.
***
Për të realizuar vënien në skenë të dramës “Osman Taka” kërkuam edhe ndihmën e Ministrisë së Kulturës. Por mbetëm pa përgjigje.
Është fakt që drama shqiptare ka mbijetuar, vetëm falë pasonit të producentëve, regjisorëve e dramaturgëve, që nuk mund ta konceptojnë teatrin pa vepra shqiptare.
Drama u prit mjaft mirë nga publiku, pas premierës që pati në Teatrin Kombëtar Eksperimental, duke shëtitur në Durrës, Vlorë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, etj. Bashkia Konispol na nderoi me medaljen e “Mirënjohjes”.