Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Rrëfimi romanor i Hiqmete Dajës


1.

“Hija e turpit” është libri më i ri autores së njohur Hiqmete Daja, që rrëfen një temë mjaft të rëndësishme të tranzicionit të gjatë shqiptar: drama e një familjeje kur fëmija i tyre i vetëm shkon për studime jashtë shtetit dhe përfundon në një prostitutë. Natyrisht këtë dramë, në kufijtë e tragjedisë, kanë përjetuar Bruna dhe Kushtrimi, që vijnë nga jetë dhe familje të ndryshme, por një dukuri e tillë ka ndodhur edhe në shumë familje të tjera.
Bruna, një vajzë e rritur në jetimore qysh 5 vjeç, e braktisur edhe nga një hallë e një teze, madje kjo e para i ka rrëmbyer edhe shtëpinë e gjyshit, mbetet në mes të katër rrugëve kur edhe banesën e tyre, pra Shtëpinë e Fëmijës, e bastisin një grup rrugaçësh.
Tashmë 16 vjeç ajo nuk di se ku të përplaset për të gjetur një strehë, por një shok i saj, Rajmondi, dy vjet më i madh, që e konsideron si motër e merr te shtëpia e tezes së vet.

Pa i njohur kurrë prindërit e saj biologjikë, ajo do pritej bujarisht nga Bardhyli dhe Lushi, që megjithëse me pesë fëmijë, tri vajza dhe dy djem, do kishin edhe një pjestare të re. Deri në këtë periudhë ata kujdeseshin edhe për Rajmondin, por në këto kushte e
strehojnë te vëllai i Bardhylit, që nuk kishte fëmijë. Fillon një jetë tjetër për të dy jetimët, mbarojnë shkollën e mesme, përfundojnë shkollën e lartë, vajza në Universitetin e Shkodrës për mësuese kimie dhe djali për marrëdhënie ndërkombëtare e diplomaci në kryeqendrën italiane në Romë.
Vitet e punës do të sjellin surpriza për dy protagonistët kryesorë, Bruna si mësues në një gjimnaz jopublik do të njihet me bashkëshortin e ardhshëm të saj, Kushtrimin, drejtor shkolle në të njëjtin institucion, ndërsa Rajmondi do të njhet me italianen Laura, me të cilin do të kenë edhe një djalë.
Natyrisht lidhja për Brunën nuk do të ishte e lehtë, pasi prindërit e burrit, Mentori dhe Teuta, ishin më në gjendje dhe paragjykimi për fëmijtë e jetimores vijonte ende. Ata dikur ishin dëmtuar nga regjimi diktatorial, por me ardhjen e demokracisë kishin marrë disa prona dh siguronin më shumë të ardhura. Autorja i përshkruan hollësisht këto disnivele, por dashuria mes dy të rinjve kurorëzohet me martesë dhe me lindjen e një vajze të hirshme si Diella.
Pikërisht me Djellën fillon edhe drama e madhe. Pas ciklit tetëvjeçar dhe të mesëm ajo shkon për studime në Itali dhe strehohet fillimisht te Rajmondi, që mund të quhej edhe daja i saj, për lidhjet e hershme qysh nga jetimorja. Vajzës nuk i kishte munguar asgjë si nga prindrit, ashtu edhe nga gjyshërit, megjithatë kjo liri dhe kjo përkujdesje do t’i kthehej në të kundërt: fillimisht do të lidhej me drogaxhiun Gabriele dhe më pas do të bëhet bashkëjetuese e biznesmenti të pasur Karlo.
Pra ishte një dukuri që nuk i ndodhte vetëm kësaj vazje që largohej për herë të parë nga Shqipëria dhe studionte në një vend të huaj. Italia pas viteve nëntëdhjetë do të shndërrohej në një oaz ndjellës për qindar të rinj, që nisnin studimet atje, por që disa syresh e mbaronin universitetin dhe një pjesë e konsiderueshme gjendej në mjedise të tjera, shpesh edhe të panatyrshme dhe të turpshme për familjet dhe farefisin e tyre.
Largimi i vajzës për disa vite, në një rrugë të papërshtashme, thuajse i rrënon dy prindërit e saj, me të ardhura të mira, por edhe me një emër të mirë në Tiranë dhe Durrës. Bruna me përkrahjen e njerëzve të varfër po shumë bujarë dhe me aftësitë e saj i kishte mbijetuar me dinjitet të qënurit jetime, tashmë ishte dorëzuar, madje duke tentuar edhe zhytjen në ujërat e detit.
Romani ka një fund të lumtur teksa bashkohet familja e dërmuar deri në eshtra me qënien e tyre më të dashur, Diellën, por mesazhet e librit janë të mëdha dhe mjaft aktuale.

2.

Hiqmete Daja është mjaft e njohur për lexuesit, si autore e disa botimeve në prozë e poezi, por me këtë roman ka hedhur një hap të rëndësishëm, që pasuron krijimtarinë e saj dhe letërsinë e pas nëntëdhjetës.
Padyshim është një nga librat e saj më të mirë, në mos më i miri.
Libri ka pak personazhe dhe autorja bën kujdes për t’i protretizuar ata me detaje të veçanta që të mbeten gjatë në kujtesë. Diella, që zë faqet më të shumta në rrëfimin romanor, shpesh të kujton disa spektakle alla “Përputhen“ apo disa sjellje të rinjsh e të rejash që jetën e marrin lehtë, kërkojnë të duken për gjithçka e për çdo gjë, duke mos e kuptuar dramnë që lënë te prindërit dhe familjet e tyre.
Pavarësisht gjendjes ekonomike, secili familjar e dëshiron fëmijën e vet të shkollohet, të arsimohen në të gjitha nivelet, të marrë një profesion, në të kundërt të tyre të ketë një zanat që të fitojë me punë të ndershme, por për jetët njerëzore ndodhin edhe veprime e ngjarje që dalin jashtë të parashikueshmes, duke lënë hijet e turpshme jo vetëm mbi familjen por edhe krejt shoqërinë.
Romani “Hija e turpit“ ka një apel për familjen dhe shoqërinë, për institucionet arsimore dhe kulturore, për qarqe akademike dhe shoqërinë civile, ndaj ai mund të rekomandohet për skollat e mesme dhe jo vetëm.
Pavarësisht sistemeve, të drejta apo të padrejta, një familje shëndoshë arrin të mbijetojë duke ndërtuar disa norma që na bëjnë mirë të gjithëve dhe ky mesazh nuk vjen vetëm nga traditat, por edhe kumtet fetare e jofetare, nga modelet më të mira që ka çdo shoqëri.