ZANA TAKO: TUNDIMI, MËKATI DHE NJERIU
Mëkati lind me njeriun, por kjo e vërtetë sot është harruar!
Logjika njerëzore është e varfër. Tundimi flet me gjuhën e mëkatit, e mëkati mburret se është ai që e mund njeriun!
Në shkrimin e shenjtë thuhet se askush nuk ka lindur i pamëkat. Por gjuha njerëzore, flet sikur mëkati të ishte diçka që përtypet e kapërdihet.
Të kapërdish mëkatin nëpërmjet gjuhës duke e futur brenda shpirtit, do të thotë se ke helmuar mendimin, e më pas të gjithë qenien tënde.
Askush nuk është i pamëkat, e kësisoj, askush nuk ka të drejtën të mburret për përsosmërinë e tij.
Përsosmëria i përket vetëm Zotit krijues, i cili nuk i mburret njeriut, përveçse e do dhe i qëndron pranë, si në të mirë ashtu edhe në ditë të vështirë.
Nuk e mund dashuria njeriun por e mund mëkati. Mëkati dhe dashuria janë dy të kundërta të pakundërshtueshme që ecin pranë njera-tjetrës, njera e bardhë dhe tjetra e zezë. Këto dy ngjyra tregojnë pastërtinë dhe errësirën. Pastërtia është drita e mendimit, errësira është nata e mendimit.
Drita ndriçon, nata errëson. Kur preket mëkati gjithçka rrëzohet. Humnera është aty për të të thithur në honin e saj duke humbur dritën, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë.
I verbri nuk sheh. E kërkon dritën me shpresë se do ta gjejë atë. Mëkati të bën të verbër, e njeriu nuk kupton, se është qorr dhe shurdh pa dritën.
Gjithçka që ndodh në jetët tona është dritë dhe errësirë, është dashuri dhe mëkat. Njeriu ulet mbi kandarin e tij, dhe lëkundet mbi të duke kënaqur vetveten, pa u menduar, se dikush tjetër e ka kandarin e drejtësisë në duar të forta dhe të sigurta, për të mos gabuar sikurse njeriu.
Kandari i drejtësisë mbahet fort në boshtin e jetës, por njeriu ka mbetur pa bosht, e në këtë mënyrë, drejtësia e tij kënaq vetëm njeriun por jo Zotin e tij!
Fjala peshon si guri. Ky gur godet, e goditja e tij le plagë që nuk shërohen. Këto plagë dhembin, aq shumë, sa shpirti lodhet e pëlcet.
A e do njeriu njeriun? Kjo pyetje është dilema më e madhe e këtyre kohërave të fundit. A e duam njeri-tjetrin, ndryshe nuk do të hidheshin aq shumë gurë mbi njeri-tjetrin. Mali i këtyre gurëve e ka vënë njeriun përfund, aq sa zëri i shpirtit nuk dëgjohet dot, pasi veshi i njeriut është bërë i shurdhër. Shpirti rënkon nga mali i këtyre gurëve, por askush nuk do t’ia dijë për vuajtjen e shpirtit, përveçse të dëfrejë në marramendje, a thua se mëkati është top që pasohet, sa herë që njeriu kërkon të luajë e të dëfrejë në fushën e kundërshtarit të vet.
E gjithë kjo marramendje loje gurësh fjalësh, gjykimi, tregojnë se sa i varfër është njeriu përpara drejtësisë hyjnore. Ky kalimtar i përkohshëm në rrugën e jetës, nuk kupton se çdo hap që hedh, se çdo fjalë që flet, se çdo mendim që ushqen, ka në qelizë dashurinë, të cilën e shpërfill dhe e hedh tutje, duke shfaqur kështu, sa i dobët është para mëkatit, i cili e tundon njeriun, duke e mashtruar se drita është errësirë dhe errësira është dritë. Kjo e vërtetë e pamohueshme nuk mund të ç’bëhet, por thërret dhe ulërin për të tundur çdo shpirt në kthim, për ta njohur këtë të vërtetë, dhe për të mos e mohuar kurrë atë.
Rrethi ynë shoqëror përfshin gjithkënd, me pozitë dhe pa pozitë. Gjithkush është pjesë e mëkatit. E megjithatë, gjithkush flet si të ishte i pamëkat, gjithkushi jep mësim si të ishte i pamëkat, gjithkushi gjykon si të ishte ai drejtësia e pamohuar në këtë tokë. Por askush nuk mendon, se guri që hedh, më së pari ka goditur atë vetë, se guri që hodhi e ka fajësuar për gjykimin e tij, se ky gur ka goditur dashurinë për vëlla e motër, pasi Zoti krijoi për të dashur e jo për të urryer. Kjo gjuhë që përdoret sot kundër njeri-tjetrit, tregon shfrenimin e ndjenjave njerëzore në shërbim të mëkatit.
Karvani i mëkatarëve është i gjatë e nuk numërohen dot nga njeriu, por Zoti i njeh të gjithë, ua njeh çdo qime floku mbi kokë.
Njeriu nuk mund të mburret për punë të liga, por mund të jetojë në paqe kur fal të penduarin, kur përqafon të lënduarin, kur flet duke shëruar një shpirt të plagosur.
Këto mësime gjenden vetëm në Librin e Krijuesit, të cilin njeriu e ka shpërfillur, por harron se ka dënuar veten në rrugën e mundimeve!