Albspirit

Media/News/Publishing

ANTIFASHISTËT SHQIPTARË NË LUFTËN E SPANJËS

(Nderim, respekt dhe mirënjohje bijëve të kombit shqiptar që shkuan të vdisnin për lirinë e popullit spanjoll, në kuadrin e 90 vjetorit të fillimit të Luftës së Spanjës. Lufta Civile e Spanjës (1936–1939) shkaktoi rreth 500000 viktima, përfshirë rreth 200 000 të vrarë nga ekzekutimet, dhuna politike dhe represioni. Rreth 35 000 deri në 40 000 vullnetarë nga mbi 50 shtete luftuan në Brigadat Ndërkombëtare, ndërsa rreth 500 000 refugjatë spanjollë u larguan drejt Francës në vitin 1939. Gjatë Luftës Civile të Spanjës (1936–1939), pjesëmarrja më e madhe e luftëtarëve të huaj në Brigadat Ndërkombëtare, në anën republikane, ishte nga këto shtete: Franca me 8962 luftëtarë, Polonia me 3034, Gjermania dhe Austria 3026, Italia 2908, SHBA 2274, Anglia 1843, Belgjika 1722, Çekosllovakia 1066, Vendet ballkanike 2095 dhe Shqipëria 75 luftëtarë. Në anën e gjeneralit Franco, Italia dërgoi rreth 75 000 trupa dhe Gjermania rreth 16 000 personel ushtarak gjatë konfliktit).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Bijtë e kombit shqiptar që shkuan të vdisnin për lirinë e popullit spanjoll

Tre vite më parë në portalin e njohur “Albspirit” publikova artikullin, “Gjaku i antifashistëve shqiptarë në venat e Spanjës” ndërkohë që 2026 korespondon me vitin e 90 vjetorit të fillimit të Luftës së Spanjës. Shqiptarët janë rreshtuar në këtë rast në anën e duhur të historisë në Luftës së Spanjës dhe borxhi i kujtesës lidhet për këtë luftë pikërisht me kohën kur shqiptarët u nisën drejt frontit të antifashizmit. Ata shkuan në Spanjë me bindjen se po mbronin një popull tjetër, por në të vërtetë po luftonin edhe për të ardhmen e vendit të tyre, pasi një muaj pas rënies së Republikës spanjolle, fashizmi Italian ju vërsul Shqipërisë për ta nënshtruar. Lufta e Spanjës, e zhvilluar nga viti 1936 deri më 1939, u bë fronti i parë i antifashizmit dhe ishte shumë më tepër se një konflikt i brendshëm spanjoll. Ajo u shndërrua në një përballje ndërkombëtare mes Republikës Spanjolle dhe forcave frankiste, të mbështetura fuqishëm nga Italia fashiste e Musolinit dhe Gjermania naziste e Hitlerit. Përballë tyre u rreshtuan mijëra vullnetarë nga vende të ndryshme të botës, të bindur se fashizmi duhej ndalur përpara se zjarri i tij të përhapej në të gjithë Europën. Në Brigadat Internacionale morën pjesë rreth 35 mijë antifashistë nga 53 vende të botës, ku nuk munguan edhe shqiptarët. Lufta e Spanjës u konsiderua një paralajmërim i madh për atë që do të vinte më pas. Në qiellin e Spanjës u provuan armë, taktika dhe mënyra të reja të luftës në tokë, në det dhe në ajër. Bombardimi i Guernicës më 26 prill 1937 mbeti një nga simbolet më të forta të terrorit ajror që do të karakterizonte LIIB. Nën regjimin e mbretërisë shqiptare, autoritetet shqiptare vendosën censurë dhe masa të forta sigurie. Qeveria shqiptare njohu qeverinë e Frankos, ndërsa politika zyrtare ishte ajo e mosangazhimit. Por një pjesë e shqiptarëve mendonte ndryshe. Rreth 70 vullnetarë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Çamëria, Dibra, Shkodra, Korça, Elbasani, Përmeti, Kolonja, Puka, Mallakastra, Vlora e treva të tjera shqiptare, si dhe nga diaspora, morën rrugën drejt Spanjës. Nuk shkuan për pagesë dhe as për ndonjë shpërblim, shkuan me vullnetarizëm të plotë. Ata ishin “Vullnetarë të Lirisë”, njerëz që kapërcyen kufijtë, kontrollet dhe rreziqet e kohës për t’u rreshtuar në krah të Republikës Spanjolle, që fashizmi kërkonte ta mbyste në gjak. Shqiptarët u përfshinë kryesisht në Brigadën XII “Garibaldi”, ku veproi edhe kompania shqiptare e drejtuar nga kapiten Musa Fratari, po rata shërbyen edhe në formacione të tjera ndërkombëtare e spanjolle. Ishte një pjesëmarrje me një kuptim të veçantë për historinë shqiptare. Në një kohë kur fashizmi italian po i afrohej Shqipërisë, disa prej bijve të saj shkuan mijëra kilometra larg për ta luftuar atë në Spanjë.

Nga Madridi në Ebro, ku antifashistët shqiptarë që ranë për lirinë

Betejat e Spanjës ishin ndër më të përgjakshmet e kohës. Shqiptarët u gjendën në vijat e para dhe shumë prej tyre nuk u kthyen më. Kështu në Madrid ra Zef Pren Hoti nga Malësia e Shkodrës, Urfi Ali Agolli nga Dibra e Madhe, Teni Diamant Konomi nga Korça humbi jetën më 1 maj 1937 pasi anija me të cilën udhëtonte drejt Spanjës u godit nga avionët fashistë; Asim Vokshi nga Gjakova, oficer karriere, mori pjesë në Brigadën “Garibaldi” dhe ra në Fuente del Ebro më 4 tetor 1937. Në Spanjë ra Ramiz Varvarica nga Dibra, kapiten i Brigadës “Garibaldi”, i cili u vra në frontin e Kaspes në vitin 1938; Musa Ali Kami, i njohur si Musa Fratari, nga Përmeti, ishte përgjegjës i një skuadre mitralierësh dhe ra në betejat e famshme të Ebro-s. Në këto luftime u vranë apo u plagosën rëndë Xhemal Kada, Thimjo Nasho Gogozoto, Zihni Murat Çami, por dhe disa shqiptarë të tjerë përfunduan më pas në kampet naziste. Kosta Dhimitër Lito, i plagosur rëndë në frontin e Madridit, u mor nga Gestapoja dhe u zhduk në kampet e përqendrimit, major Ymer Puka u kap nga nazistët dhe u zhduk në një kamp gjerman. Janë 16 dëshmorë shqiptarë të lidhur me Luftën e Spanjës, ndërsa lista e emrave mbetet e hapur për kërkime e verifikime të mëtejshme, porn ga ana tjetër ende nuk kemi eshtrat e dëshmorëve shqiptarë të rënë në Spanjë. Kjo është një nga dhimbjet më të mëdha të kësaj historie, pë rata që ranë larg atdheut, në Madrid, Ebro, Aragonë, Katalonjë e në fronte të tjera, por në kujtesën shqiptare mbetën pjesë e historisë sonë kombëtare. Pesë prej tyre, Asim Vokshi, Xhemal Kada, Ramiz Varvarica, Musa Fratari dhe Veli Dedi, u shpallën Heronj të Popullit. Por për pjesën tjetër nuk ekziston ende një memorial i përbashkët që t’i mbledhë emrat e tyre në një vend të vetëm dhe t’ua përcjellë historinë brezave në qendër të vendit në Tiranë, mungesë kjo që duhet korrigjuar dhe që t’ju flaës brezave për këtë ngjarje të madhe ku shqiptarët dhanë kontribut si komb antifashist.

Kujtesa e aktit të madh të shqiptarizmës një detyrim kombëtar

Lufta e Spanjës nuk është vetëm një kapitull i historisë europiane, por për Shqipërinë ajo është një dëshmi e hershme e qëndresës antifashiste dhe e solidaritetit ndërkombëtar të shqiptarëve.

Vullnetarët shqiptarë shkuan në Spanjë përpara pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, ndërkohë që disa prej tyre ishin ushtarakë të përgatitur në akademitë më prestigjioze europiane. Të tjerë ishin punëtorë, emigrantë, studentë e intelektualë. Mes tyre ishte edhe Justina Shkupi, e evidentuar si infermierja shqiptare pjesëmarrëse në këtë formacion, e njohur me Nënë Terezën. Ata lanë pas familjet dhe jetën e tyre për një kauzë që e konsideronin më të madhe se vetja. Disa u kthyen me plage lufte, duke u përballur më vonë me burgje, internime dhe repression, të tjerë mbetën përgjithmonë në tokën spanjolle, ku një pjesë e ershtrave të tyre u zhdukën nga rregjimi gjakatar i Frankos.

Një dëshmi e rëndësishme e kësaj historie është edhe “Vullnetari i Lirisë”, botim i shqiptarëve të Brigadave Internacionale në Madrid. Në vitin 1959 u botua libri “Lufta e Spanjës 1936-1939”, i përgatitur nga vullnetarët shqiptarë dhe i redaktuar nga Petro Marko. Këto materiale përbëjnë një pasuri të rëndësishme dokumentare për të kuptuar atë që përjetuan shqiptarët në Spanjë. Prandaj kujtesa e tyre nuk duhet të mbetet vetëm në libra, arkiva dhe ceremonitë e rastit. Një grup intelektualësh në kuadrin e 90 vjetorit të fillimit të kësaj lufte propozojnë që Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me institucionet e kujtesës, studiuesit, familjet e dëshmorëve të ndërmarrë një nismë konkrete për ngritjen e një Memoriali të Antifashistëve Shqiptarë të Luftës së Spanjës në një nga lulishtet qendrore të Tiranës. Memoriali mund të jetë një vepër e thjeshtë dhe dinjitoze, me një element simbolik që lidhet me brigadat ndërkombëtare dhe me një pllakë përkujtimore ku të vendosen emrat e të 70 vullnetarëve shqiptarë si dhe 16 të rënëve antifashistë dëshmorë ndërkombëtarë.

Në memorial duhet të vendoset edhe një kod që të mundësojë dhe të çojë në një arkiv digjital me biografitë, fotografitë, dokumentet, letrat dhe dëshmitë e tyre. Kështu monumenti nuk do të ishte vetëm një memorial përkujtimi, por një pikë e gjallë e edukimit historic, një tregues për të sotmen dhe të ardhmen. Po aq konkrete është edhe kërkesa e dytë: një rrugë në Tiranë të mbajë emrin “Rruga Dëshmorët Shqiptarë në Luftën e Spanjës”. Dy këto akte, një memorial dhe një emër rruge, do të ishin një shenjë e qartë se Shqipëria nuk harron bijtë e saj që ranë larg atdheut. Antifashistët shqiptarë shkuan në Spanjë kur fashizmi po ngrihej në Europë. Ata ranë në dhe të huaj, por emrat e tyre u kthyen sikurse e meritojnë në historinë shqiptare me një mesazh të qartë për brezat sepse, liria mbrohet edhe atëherë kur rreziku duket larg vendit tënd. Lavdi 16 dëshmorëve shqiptarë të Luftës së Spanjës si dhe nderim për 70 vullnetarët antifashistë shqiptarë që ja zbardhën faqen Shqipërisë në sytë e opinionit ndërkombëtar! Lavdi biojëve të shqiptarizmës që gjakun e derdhën nga Madridi te Ebroja, ku gjaku shqiptar vaditi tokën spanjolle në emër të antifashizmit.

Një memorial i munguar në Tiranë për ata që nuk kanë varr dhe që ranë në tokën spanjolle

Kanë kaluar dekada që prej Luftës së Spanjës dhe regjimet kanë ndryshuar. Shqipëria ka kaluar nga diktatura në demokraci, por një detyrim i thjeshtë ndaj këtyre njerëzve ende nuk është përmbushur që t’u japim një vend në kujtesën publike. Është koha që Tirana të ketë një memorial kushtuar shqiptarëve që luftuan në Luftën e Spanjës. Një memorial në një nga parqet qendrore të kryeqytetit, në një hapësirë ku qytetarët kalojnë çdo ditë, do të ishte më shumë se një monument. Do të ishte një shenjë e qartë se Shqipëria nuk i harron ata që u ngritën kundër fashizmit, kur rreziku ende nuk kishte mbërritur në tokën shqiptare. Në të duhet të gdhenden emrat e rreth 70 vullnetarëve shqiptarë që morën rrugën drejt Spanjës. Krahas memorialit mund të ndërtohet edhe një arkiv i hapur, me dokumente, fotografi dhe dëshmi, në mënyrë që brezat e rinj të mos e njohin këtë histori vetëm nga një pllakë bronzi. Por Bashkia e Tiranës mund të bëjë edhe një hap tjetër. Një nga rrugët e kryeqytetit duhet të mbajë emrin “Rruga e Dëshmorëve Shqiptarë të Luftës së Spanjës”. Me marrjen e një vendimi nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, ky emërtim nuk do të ishte thjesht një emër rruge, por një nderim publik i qytetit ndaj historisë së vet.

Një shoqëri që nderon të rënët nuk nderon vetëm të shkuarën, por përcakton edhe vlerat me të cilat dëshiron të jetojë në të ardhmen. Ata që shkuan në Spanjë nuk kërkuan lavdi. Ata shkuan sepse besuan se liria e një populli nuk mund të ndahet nga liria e të tjerëve. Shumë prej tyre nuk u kthyen kurrë. Sot, kur nuk kemi as eshtrat e tyre në varre, Shqipëria të paktën mund t’u japë një vend në zemër të Tiranës, që të flitet për lavdinë e dëshmorëve shqiptarë të Luftës së Spanjës. Nderim për vullnetarët e lirisë dhe për 16 dëshmorët që ranë për Spanjën, por që ngritën më lart nderimin dhe lavdinë e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Një memorial për ata që dhanë jetën larg atdheut do të ishte një dëshmi se Shqipëria nuk harron dhe se liria është edhe një detyrim për të kujtuar ata që luftuan për të, mbi të gjitha ata që ranë dëshmorë.

Ndër emrat që lidhen me Luftën e Spanjës përmenden: Asim Ali Vokshi, i cili ra më 4 tetor 1937 në Fuente del Ebro, në luftime, në krye të repartit të tij të Brigadës “Garibaldi”. Zef Preng Hoti, i cili ra më 7 janar 1937, gjatë luftimeve për mbrojtjen e Madridit. Daut Muço Podgorani, i cili ra në vitin 1937 në Luftën e Spanjës. Dhimitër Kosta, i njohur edhe si Kostë Dhimitri, nga Leskoviku, ishte rreth 40 vjeç kur shkoi në Spanjë, në fund të vitit 1936. Ai shërbeu në radhët e Brigadave Ndërkombëtare me gradën e nënoficerit dhe u plagos rëndë në frontin e Madridit. Më vonë, u zhduk në kampet e përqendrimit në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore. Urfi Ali Agolli, i cili ra në janar të vitit 1937, gjatë luftimeve për mbrojtjen e Madridit, në radhët e njësive “Garibaldi”. Musa Ali Kami (Fratari), i cili ra më 28 shtator 1938 në Ebro, ku shërbente si përgjegjës i skuadrës së mitralierëve në Brigadën “Garibaldi”. Thimjo Nasho Gogozoto, i cili ra më 28 shtator 1938 në Ebro, i vrarë gjatë bombardimeve dhe luftimeve në ofensivën e Ebro-s. Ramiz Varvarica, i cili ra më 6 prill 1938, në frontin e Kaspës, në radhët e Brigadës “Garibaldi”. Teni Diamant Konomi, i cili humbi jetën më 1 maj 1937, në ujërat e Barcelonës, pasi vapori me të cilin udhëtonte drejt Spanjës u godit nga forcat fashiste. Konomi u vra pa arritur në tokën spanjolle. Xhemal Osman Kada, i cili u plagos rëndë më 28 shtator 1938 në Ebro, gjatë luftimeve, dhe vdiq si pasojë e plagëve të marra. Xhelal Abaz Bajrami (Çami), i cili u plagos rëndë disa herë në Ebro, më 1938. Sipas të dhënave të përmendura, ai vdiq më vonë në spital, si pasojë e plagëve të rënda. Zihni Murat Çami vdiq në tetor të vitit 1938 në Ebro. Të dhënat shkruajnë se ai u zhduk gjatë luftimeve dhe se trupi i tij nuk u gjet kurrë. Ndër luftëtarët e Luftës së Spanjës përmendim dhe Kosta Dhimitër Lito, i cili u plagos rëndë në Madrid dhe më pas përfundoi në kampet e përqendrimit, ku u zhduk, si dhe Nevruz Veliu, për fatin e të cilit përmenden të dhëna të ngjashme. Nga ana tjetër, Ymer Puka rezulton të ketë vdekur në vitin 1944, si pasojë e plagëve të luftës, në një kamp përqendrimi nazist në Francë. Emrush Myftari ishte pjesëmarrës në Luftën e Spanjës, por burimet e Petro Markos e rendisin ndër të mbijetuarit e luftës. Më vonë, ai u vra nga shërbimet jugosllave. Për këtë arsye, nuk konsiderohet i rënë në Luftën e Spanjës.

Ndërsa Mehmet Shehu nga Mallakastra (1910-1981), Veli Dedi nga Kosova, Ibrahim Kuzani nga Elbasani, Emin Agolli e Stivens Thanasi shqiptar nga SHBA, Qamil Sherifi shqiptar nga SHBA, mitralier i plagosur në luftë; Feim Muço nga Gjirokastra, Iliaz Pashai nga Vlora (1908-1962), Justina Shkupi nga Shkupi, infermiere shqiptare e vetmja femër nga Shqipëria, Hulusi Spahiu nga Gjirokastra, Kosta Banaku Silla, Mane Abaz Nishova nga Skrapari, Nezir Isa Veshtina nga Çamëria, Qamil Çela nga Peqini, Petro Jani Marko nga Dhërmiu, Servet Abedin Veliu nga Çamëria, Skënder Petro Luarasi nga Kolonja (1900-1982), nga SHBA, Thoma Rushano nga arbëreshët e Italisë, Zef Nikë Prela nga Mirdita, i ardhur nga Çekosllovakia, plagosur rëndë, Sabri Luman Katundishta nga Përmeti, Nevrus Zagari nga Lubonja e Korçës, Xhafer Miraka nga Elbasani, Kapiten Myftari nga Kosova, Kostandin Vasil Note nga Malëshova e Përmetit (1911-1986), që dokumentohen si pjesëmarrës ose të mbijetuar, jo si pjesë e një liste të verifikuar plotësisht për luftën e Spanjës. Fakt është se burimet shqiptare flasin për 16 dëshmorë të Luftës së Spanjës, por listimi i plotë, me datën dhe vendin e rënies së secilit, nuk rezulton plotësisht i unifikuar në burimet e publikuara. Dokumentimi arkivor kërkon të dhëna të qëndrueshme dhe identifikuese, të mbështetura në burime serioze, për të gjithë luftëtarët shqiptarë të rënë ose të zhdukur në frontet e Luftës së Spanjës.

Burimet e studimit për Luftën e Spanjës: Burimet themelore për Luftën e Spanjës gjenden në libra, kujtime, botime periodike dhe studime historike, ndër të cilat: Veiz Bajo, Dëshmorët shqiptarë që ranë heroikisht në Luftën e Spanjës (1936–1939). Kujtime, Tiranë, Shtëpia Botuese «Marin Barleti», 1996, 181 faqe.; Petro Marko, Lufta e Spanjës (1936–1939): Shënime historike dhe kujtime nga vullnetarët shqiptarë, Tiranë, 1959. Vepra është përgatitur nga vullnetarët shqiptarë, është redaktuar nga Petro Marko dhe ka një parathënie nga Mehmet Shehu. Në të janë përfshirë kujtime të Mane Nishovës, Skënder Luarasit, Petro Markos, Justinës Shkupi, Iljaz Pashait etj.; Vullnetari i Lirisë, Madrid, 1937. Ky botim përbën një burim dokumentar shqiptar nga vetë fronti. Ishte organ i vullnetarëve shqiptarë në Brigadat Ndërkombëtare dhe përmbante shkrime të Petro Markos, Skënder Luarasit dhe vullnetarëve të tjerë, si dhe letra, kujtime dhe materiale për të rënët, përfshirë letrën drejtuar nënës së Asim Vokshit.; Kujtimet e Mehmet Shehut, Mane Nishovës, Veli Dedës, Zef Prelës, Iljaz Pashait, Justinës Shkupi dhe Skënder Luarasit.; Skënder Luarasi, Edhe unë qeshë në Brigadat Internacionale!; Petro Marko, Hasta la vista, një nga veprat kryesore të autorit, e lidhur drejtpërdrejt me përvojën e tij në Luftën Civile të Spanjës.; Petro Marko, Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët.; Petro Marko, Nata e Ustikës, një burim autobiografik që ndihmon për të ndjekur fatin e disa vullnetarëve pas Luftës së Spanjës, veçanërisht internimin dhe përndjekjet.; Prenk Uli dhe Qemal Sakajeva, Asim Vokshi, Tiranë, 1979.; Bernard Zotaj, “Agresioni fashist dhe pjesëmarrja e vullnetarëve shqiptarë në Luftën e Spanjës”, Studime Muzeologjike, 2023, f. 31–37.; Dolores Ibárruri, Lufta e Spanjës, Tiranë, 1946.; Gazeta Dita, 15 shtator, 22 shtator dhe 2 tetor 2023.; Gazeta “Ushtria”, organ i MM më 13 tetor 2023 dhe 4 nëntor 2022.; Zaho Golemi, “Gjaku i antifashistëve shqiptarë në venat e Spanjës” dhe “Luftëtari ndërkombëtar, heroi dhe dëshmori i Atdheut Asim Vokshi”, shkrime që trajtojnë veprimtarinë e tij në Brigadat “Garibaldi”.; Dhimitër Shtëmbari, “Dëshmorët e Luftës së Spanjës në kujtesën e popullit shqiptar”; Xhevdet Shehu, “Lufta e Spanjës…”, botuar në gazetën Drita, me rastin e 85-vjetorit të Luftës së Spanjës.; Gazeta Përpara, Korçë, tetor 1938.; “Lufta Civile në Spanjë dhe pjesëmarrja e 75 vullnetarëve shqiptarë”, si dhe botime të tjera me karakter historik e dokumentar arkivor.