Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Dritëroi krijoi një kozmos letrar

Këshillat që mora nga kolosi i letësisë shqipe

Sot është 95 vjetori i lindjes së Dritëro Agollit, Nderi i Kombit, një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë. Dritëroi u lind më 13 tetor 1931, në Menkulas të rrethit të Devollit. Duke vëzhguar madhështinë e veprës dhe të morisë së figurave, mund të themi se ai krijoi një kozmos letrar me veprat e tij tokësore, tepër tokësore. Poezitë, dramat, romanet e novelat e tij, do të kujtohen gjatë, si një pasuri e vyer e letërsisë shqipe.

Kritik ndaj frymes tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershë rimit shqip. Prirja për vetëpohim u duk qysh në vëllimin e tij të parë “Në rrugë dola” (1958), por u shpreh më qartë në poemat “Devoll – Devoll” dhe “Poemë për babanë dhe për veten”. Agolli ruajti prej vlerave më të arrira të poezisë së traditës – frymën popullore. Ai krijoi një gjedhe të re vjershërimi, që ndiqte Naimin, duke mëtuar risinë. Rruga e rritjes së tij poetike shprehet në librat: “Hapat e mija në asfalt” (1961), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Devoll – Devoll” (1964), “Mesditë ” (1968), “Baballarët” (1969), “Nënë Shqipëri” (1974), “Fjala gdhend gurin” (1977), “Udhëtoj i menduar” (1985), “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohes” (1995), “Fletorkat e mesnatës” (1999). Krijimtaria e Dritëro Agollit në thelbin e vet është liriko – epike, ndryshe nga ajo tradicionale, që mbahej kryesisht në lavdërinë epike.

Agolli eshte poeti i dhimbjes njerëzore dhe i filozofisë jetësore. Ai përballoi me dinjitet sfidën për t’i dhënë vlerën e merituar lirisë.

Vepra më e hershme në prozë e Dritëro Agollit, është vëllimi me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” (1964), që u prit keq nga kritika zyrtare dhe u hoq nga qarkullimi (1965). Këto tregime, një pjesë e të cilëve u ribotuan në fund të vitit 1980 në librin “Njerëz të krisur “, janë të mbushur me personazhe jotipikë , duke iu shmangur skemës për heroin tipik pozitiv. Romani “Komisari Memo” (1970) është vepra më e angazhuar e Dritëro Agollit në prozë , pjesë e kultit të luftës antifashiste, e cila sundoi për shumë kohë letërsinë shqipe. Në romanin “Njeriu me top” (1975), Dritëro Agolli, zbuloi një marrëdhënie tjetër, sa i takon raportit të njeriut shqiptar me armën. Romani “Trendafili në gotë ” (1980) u prit me në nënçmim nga mendimi letrar, si një “libër rozë”. Kotributi më i rëndësishëm letrar në prozë i Dritëro Agollit konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973). Në thelbin e kësaj vepre qëndron antiskematizmi. Shkrimtari vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për “njeriun e ri”. Dritëroi, rrezatonte një humor të hollë. Humori dhe satira ishin si rreze dielli që përshkojnë gjith veprat e tij. Përmes notave të ironisë dhe groteskut u jepte shpirt krijimeve.

Romanin “Arka e djallit”, Agolli nisi ta shkruajë në fillim të viteve 1980, për ta përfunduar në fillim të viteve 1990. “Arka e djallit” është një vepër e shkruar me shkujdesje ndaj disiplinës, ku nuk ka censurë dhe autocensurë. Disa prej veprave me të arrira të Dritëro Agollit kanë qenë nën vëmendjen ideologjike të autoriteteve zyrtare. Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që botohej pjesë – pjesë në revistën “Hosteni”, u ndërpre në mënyrë të heshtur (në vitin 1990 autori botoi variantin e plotë të veprës). Për “kundërvajtje ideologjike” u qortuan edhe dramat “Mosha e bardhë” dhe “Fytyra e dytë “. Ndërsa për romanin “Dështaku”, që pruri tek lexuesit një realitet më dramatik, u mbajt heshtje. Një pjesë e madhe e veprave të tij janë botuar në shumë gjuhë të huaja. Dritëro Agolli ka marrë Çmimin e Republikes te shkalles se parë dhe ë shtë dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Shuhet në moshën 85-vjeçare, më 3 shkurt 2017.

***

Dritëroi krijoi poetikisht idilin e asaj Shqipërie dhe kjo ishte vepra e tij, ndaj do të ketë rikthimet e tij të pavdekshme nga brezi në brez, si një kolos i letësisë shqipe.

Për mua bota filloi të fekste me dritë më të qartë ditën kur u njoha me të dhe u bëmë miq të pandarë, që nga viti 1981, kur fillova të hedh hapat e parë në letërsi. Dritëroi më dha flatra. Intersohej për botimet e poezive të mia te “Drita” dhe “Nëntori”. Falë tij krijova një ide më të qartë për jetën dhe krijimtarinë.

Sot shoh me kënaqësi librin me poezi “Urtësitë e detit” (Eurorilindja- 1996), redaktuar dhe pajisur me një parathënie nga D. Agolli dhe botuar nën përkujdesjen e tij, dhe më përshkon një emocion i rrallë. Më kujtohen këshillat e tij: “Në libra, sikurse në jetë , duhen vetëm pasione të pranueshme, ndjenja të zakonshme, të drejtpeshuara dhe të ndershme; asgjë nga ethet e vrullshme… Ndryshe vlerat jetike shndërrohen në anemike”.

Ja çfarë shkruan Ditëroi, mes të tjerash, në librin “Urtësitë e Detit”: “Me librin “Urtësitë e detit” Arben Iliazi të duket sikur e ka vënë zemrën e tij në pëllëmbë të dorës për t’ua treguar njerëzve, që ta shohin dhe ta dëgjojnë vetë se si lëviz e se si rreh, duke përcjellë tinguj lirikë herë të ndjeshëm qartësisht dhe herë pakëz të fshehur. Përmes një gjuhe me figuracion të brishtë, poeti jep imazhe, gjendje shpirtërore kantradiktore, dilema në raportet njerëzore dhe situacione lirike me një transparencë si në pikën e vesës në një fije bari. Mes kësaj transparence shikohet mozaiku i peizazheve të detit, të kopshtit, të fushës dhe të kodrës me ullinj. Dhe në këtë mozaik peizazhi në lëvizje dhe aspak të ngrirë ndjehet hapi dhe frymëmarrja e njeriut, rrahja e zemrës dhe vibracionet e shpirtit të shqetësuar për jetesën, dashurinë, natyrën dhe kohën e sotme dhe të nesërme. Të gjitha këto ndjehen, por nuk reklamohen me zhurmë e britmë. Poeti sikur druhet të bërtasë, ngaqë nuk dëshiron të gjykohen shpirtrat e këqinj për të prishur peizazhin e brishtë të krijuar prej tij me mundim. Në librin “Urtësitë e detit” nuk mund të qëndrosh në një apo pesë vjersha për të marrë frymë. Pasi e lexon gjith librin, merr frymë dhe e mban mend si libër dhe jo si vargje të veçanta, pasi ke të bësh me një tërësi si tërësia e zemrës. Dhe këtu qëndron e veçanta e këtij libri”.