Luan Rama: Shqipëria, e ëndërruara
Një monografi për piktorin e njohur të Kosovës “Visar Mulliqi”: dy promovime, në Prishtinë dhe në Tiranë. Ishte kënaqësi e veçantë te gjendesha në Prishtinë, mes piktorëve të Kosovës si dhe në Tiranë mes miqve të tij piktorë, me Abaz Hadon si moderator i mbrëmjes. Dhe sigurisht, meqë Visari është në mesin e jetës së tij dhe të krijimtarisë, ky libër mund të konsiderohet veçse një kapitull, pasi krijimtaria e tij vazhdon më tej.
Dy fjalë nga parathënia (fragment):
Shqipëria, e ëndërruara
Një udhëtim i paharruar për Visarin ishte udhëtimi i parë në Shqipëri në vitin 1977. Deri atëherë asnjë artist i Kosovës e personalitet i kulturës nuk e kishte të mundur të shikonte Shqipërinë ku të shumtë ishin ata që kishin njerëzit e tyre të familjes. Jugosllavia e Titos i kishte mbyllur kufijtë për shqiptarët. E megjithatë atë vit u bë e mundur ky udhëtim edhe pse kufiri do të mbyllej përsëri pas ngjarjeve të vitit 1981. Me një makinë të re “Peugeot” familja Mulliqi u nisën drejt kufirit shqiptar në Hanin e Hotit. Sigurisht u habitën që duhej ta linin makinën atje dhe të shoqëroheshin nga një makinë zyrtare, por gëzimi ishte shumë i madh. Ishte një takim vëllazëror artistësh ku ata u njohën nga afër me artistët dhe shkrimtarë me emër si Aburrahim Buza, Odhise Paskali, Muntaz Dhrami, Sali Shijaku, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, me kineastë, aktorë, muzikantë etj. Visari kujton gjithashtu ekspozitën retrospektivë të Muslim Mulliqit në Tiranë në Galerinë Kombëtare të Arteve në vitin 1993, çka ishte një ngjarje për të por dhe për artin shqiptar në përgjithësi, për çka kritiku i artit Gëzim Qendro shkroi një studim për monografinë e tij. “Në atë kohë, Shqipëria ishte një ëndërr për ne, – kujton Resmija. – Në vitet ’70, bashkë me Muslimin shkonim deri në Gjakovë të dëgjonim Radio-Tiranën, lajmet dhe muzikën shqitare, pasi aty mund ta dëgjonim…”. Ishte një ëndërr që më së fundi u realizua, por Muslimi nuk është më.
Bashkë me Resmijen kujtojmë vitet e kaluara dhe një çast ajo ndalon në një nga fotografitë. E shikon gjatë. Është Muslimi në atelier, në muajt e fundit të jetës së tij. “Tri vjet para se të largohej nga kjo botë, Muslimi pati një infarkt në zemër, por edhe pse i sëmurë ai vazhdonte të punonte. Madje punoi gjer ditën e fundit të jetës së tij. Një mbrëmje më parë erdhën miq ta vizitonin. Së pari miku i afërt dhe regjisori Ekrem Kryeziu për ti treguar videon e filmit “Dashuria e Bjeshkëve të Namuna”. Ishte një rastësi e çuditëshme, sikur s’do ta shihte më. Ja kur pas pak u shfaq në derë dhe miku tjetër, poeti Ali Podrimja. Sa hynte në shtëpi ai i thoshte: “Ku je mjeshtër!” E kishte zakon që sa herë botonte një libër poetik, vinte ta ndante gëzimin e tij dhe me Muslimin. Atë mbrëmje shtëpia ishte mbushur me miq por Muslimi nuk ndënji për darkë. I tha nuses së Visarit të përgatiste diçka për darkë dhe iu drejtua miqve: “Sonte jam i lodhur por ju rrini! Dhe ata ndenjën deri vonë. Të nesërmen në mëngjes doja të çoja djalin e Visarit në shkollë por ai tha: “Jo, lermë se do ta çoj unë!…”. Ndërkohë po rregulloja shtratin kur ndjeva që më shtyu pak nga pas. Nuk e kuptova në fillim. Ishte një qetësi e madhe por më pas kur ktheva kokën, e pashë që ishte ulur në divan. Koka i kishte rënë anash dhe duart i kishte hapur. Kishte mbaruar…
Ky imazh do të ishte i pashlyer në sytë e Resmijes. Vallë me ato krahë të hapura donte ta përqafonte për herë të fundit?… “Iku fare i ri”, – thotë me trishtim ajo, – ishte veçse 64 vjeçar. U lidhëm fare të rinj, u dashuruam dhe jeta më kaloi duke ndjekur ekspozitat e tij nëpër botë. Por lumturisht, piktura e Visarit më mbajti në jetë! Isha mësuar me ngjyrat, pikturën, terpentinën, jetën e atelierit, koha kur fshija njollat e bojës me terpentinë…”.
Po, një jetë me pikturën. Duke vështruar bashkë fotografitë e vjetra para syve kalojnë fytyrat e miqve të tij të shumtë. Dhe ata më flasin me dashuri për gjithë ata artistë që vinin në atelierin e Muslimit. Shikonin tablotë e reja dhe kuvendonin gjatë për artin dhe konceptet e tyre artistike. Veç piktorëve të shquar të Kosovës si Tahir Emra, Rexhep Ferri, etj, vinte kroati Edo Murtiç, të cilin Visari e pëlqen shumë pasi e ndjen të afërt me pikturën e tij. Po kështu mësuesi i parë i vizatimit të Visarit, Nusret Salihminxhiq nga Mitrovica, nga i cili Visari ruan kujtimet e mësimeve të para të pikturës, gjithnjë me humor, duke i marrë penelin nga duart dhe duke e mësuar konkretisht që të mos kishte përsëritje brenda tablosë. E habiste shpejtësia e vizatimit të tij. Miq të tjerë të afërt ishin Gjelosh Gjoka apo Dado Gjuriç, piktori malazez që në fundin e viteve ’50 u nis drejt Parisit ku punoi vepra të fuqishme duke lënë gjurmë në historinë moderne të artit europian. Të dy e çmonin shumë njëri-tjetrin dhe takimet e tyre në Paris ishin të përmallshme. Një ngjarje e veçantë në atë kohë, siç kujton Visari, ishte ardhja në Prishtinë e Ibrahim Kodrës nga Milano ku jetonte që para Luftës së Dytë Botërore. Atëherë Picasso e cilësonte Ibrahimin “primitivi modern” dhe ishte shumë i njohur në Francë, Spanjë apo në Amerikë. “Rrinin bashkë në atelier dhe bisedonin për artin dhe rrymat e ndryshme, për Shqipërinë, mallin e madh të Ibrahimit por dhe mallin tonë, pasi ëndrra jonë atëherë ishte të shikonim një ditë Shqipërinë… Kur erdhi Ibrahimi, në atë kohë në Deçan zhvillohej një “Koloni e piktorëve”. Ishte i lumtur që ishte mes shqiptarëve të Kosovës”.
Këto ditë, Mulliqi i Ri ka vendosur një telajo të re e të madhe mbi kavaletin e tij. E shikon, i largohet, afrohet sërish duke menduar se si do të jetë tabloja e nesërme. Piktura e tij i ngjan stinëve, pasi në krijimtari ai ka gjithnjë ciklet e veta, tema të reja, ngasje dhe imazhe të tjera gjithnjë novatore. Çfarë vallë? Imazhe urbane, koka, peizazhe të shqetësuara, lule, zogj? Çfarë do t’i sjellë stina e re? Ai e di se nisma e një cikli të ri është një angazhim i madh, është një botë e tensionuar, pasionante, e ethshme, ku telajot do të pasojnë njëra-tjetrën. Një sfidë e madhe. Po, ai kërkon… Dhe gjithnjë gjen!
12 tetor 2024.