Albspirit

Media/News/Publishing

Reuters, AFP dhe ERT pasqyrojnë përplasjet dhe kërkesat e studentëve

Protesta e dhunshme e studentëve të zhvilluar pasditen e së martës në Tiranë ka marrë vëmendjen e agjencive dhe medieve kryesore ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar hapësirë përplasjeve me policinë dhe kërkesave politiko-sociale të të rinjve.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters raportoi se protestuesit hodhën tulla dhe blloqe betoni në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit, ndërsa forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion. Reuters nënvizoi se përveç kërkesave arsimore — si ulja e kostove të studimeve, mbështetja financiare dhe punësimi — tubimi reflektoi një pakënaqësi më të thellë ndaj pabarazisë sociale dhe kabinetit qeveritar.

Edhe agjencia franceze e lajmeve AFP pasqyroi aktet e dhunës, duke raportuar për thyerjen e xhamave të ministrisë, shkuljen e kangjellave, djegien e koshave të mbeturinave dhe shoqërimin e dhjetëra personave. Sipas AFP, qindra studentë kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Ndërkaq, televizioni publik grek ERT vuri në dukje se manifestimi i studentëve shqiptarë kapërceu kuadrin e pretendimeve akademike, duke marrë një karakter të qartë opozitar e socio-politike kundër ekzekutivit.