Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: Jetojmë mërzitshëm, pëlqehemi…

1.

Mërzia merr frymë, herë thellë, herë cekët. Diku ndjellëse, shterruese. Rri shtrirë në shtrat. Ngrihet nga shtrati kur do ajo. Shkon në tualet, kryen nevojat vetjake. Lahet, krihet. Del q’andej me aromën e freskët të pastës në gojë. Ulet në karriken e vet për të ngrënë mëngjesin. E përtyp ngadalë e nxituar. Del nga shtëpia, veshur hollë ose trashë. Kjo varet nga kolla e saj si dhe nga stina metereologjike. Ecën në peronin e stacionit hekurudhor, Tash sa mote ende kërthie. E mpakur gjer në thua. Nuk përshëndet askënd. Nuk i bie askujt në sy. E ftohtë, përvëlonjëse, dinake e cinike. Ajo tymos e nxin, shqyen e then degë. I trazohet stomaku edhe ngrënë. I merren mendttë. E ka mëndjen top. Del pa bastun.
(- Po del, o Janaq? E more bastunin? Po tespiet? Kuletën a e more? Shko e paguaj dritat, ujin, telefonat…

– O, moj grua, Vikam tundur shkundur në shtëpi unë.)

Mëma mbath, ushqen fëmijën me gji jete. Ia fal gabimet, nxitimet, por jo g’njeshtrën, mosmirënjohjen. Është herët per ta menduar këtë por asnjëherë s’është vonë ta mendosh. Mëma mban thellë merakun e kujtdo në familje. Sidomos të fëmijve.

(Kur të mbarosh, o djalë, orët e mësimit sot rri tek oborri i shkollës. Sa të vij unë. Ndoshta vonohem pak se ka trafik nga protesta. Mos më dil jashtë!

– O ma, mbeta mbyllur me kangjella edhe në shkollë. Do dal të shkoj tek Teatri i kukullave.

– Mos më merakos, o bir! Në shtëpi i ke kukullat.

– Kukullat e mia në shtëpi as qeshin, as flasin. Tek teatri ato dalin e luajnë në kopsht).

2.

Mërzia mendet, kalamendet, pret biletë për ndeshjen ndërkombëtare. E pëson keq nga humbja ose barazimi i padëshiruar në minutën e fundit të shtesës. Aq keq sa s’i del inati e në vend që të dal nga porta kryesore e stadiumit, kërcen hopthi nga shkallët e bie o në pellgaçe, o në gropën amatore septike.

Mërzia mban kamzhik, kobure, teh të mprehtë. Shet fruta e perime në treg. Numëron qindarkat. Vë buzët në gaz për vorfinë e saj. Ajo ka kandarin e vet. Nuk peshon përhera njësoj. Sot, më të paktën e së paktës, peshon veç gjys’ grami, më të paktën një gram e çudia e çudive… edhe 100 kile. Ajo është motake, adoleshente, grua që ia rrëmbejnë nderin e i heq me dëshirën e vet sutjenat e të mbathurat. Burri burracak jeton me hundën e Pinokut. Blozë nxin, rrjedh lëng dehës gjer në të vjella e marramendje.

Teli i këputur i violinës cijat mërzi e vërtetë. Kë të pyesim për të vërtetën: violinën a violinistin?

3.

Mërzia banon në shtëpi përdhesë. Paguan më shtrenjtë se kushdo qiranë e saj. Mërzia, gjoja e gjasme pendesë, shkërdhehet në një vilë rrezëllitëse. Darkon në një anije me vela. Ajo qep në makinë trikon e vet një ngjyrëshe sot, lara-lara nesër. Po pasnesër ç’bën ajo? Ngul thumba në këpucë për një kothere bukë. Mërzia gatuan bukë të hidhur, krunde.
Ende për një krodhe jetojnë disa?

Kë të pyesim për të vërtetën: këpucën a Tofik këpucarin?

Mërzia loton duke qeshur e qesh duke lotuar. Mërzia nuk ka bibliotekë, nuk ka orkestër. Nuk i njeh zogjtë. Drithëron e ngjethet kur dëgjon ndonjë cicërimë. Një të vetme, për be. Ajo ka folenë e vet. Hepohet, rri shtrirë, ia mbath nga rajoni i policisë kur polici ia mbath nga karrakolli i tij me një sy mbyllur. E meqë jemi tek sytë…vet mërzia sheh qartë edhe përtej xhamllëkut, edhe nën ujë. Ndonjëherë edhe përtej mjegullës e tymit. Ndoshta edhe përtej murit dhe hurit. Mërzia mbytet e të mbyt.

Faulli në sprint klith mërzi e vërtetë. Kush e bëri faullin: atleti apo gjyqtari?

4.

Jetojmë mërzitshëm, pëlqehemi mërzitshëm. Duhemi e dinakërojmëi po aq… mes tonë.

(- O bashush, të zuri gjumi në këmbë. Mos u matufjeps! Ulu, ulu në kolltuk.

– Erdhe moj bijë? S’më ke parë një muaj. Jemi kaq afër.

– Eh, o babush, s’më le puna e ditës dhe jeta e natës. Ti mirë je, mirë. Pastaj pleqëri je ti. S’do kërcesh. Në banjo shkon vet. Të ngrënat t’i sjellin nga restoranti këtu poshtë. Një herë në javë të vjen pastruesja. E ç’don më tepër ti, o babush? Si veshka mes dhjamit je.
– Unë, moj bijë, jam si qelbi mbi plagë.

– Mbahu, luftëtar! Mbahu! Gjithë jetën ke shkrepur dyfekë.

– E tani shkrep pordhë.

– O babush, më jep ca verdhushka. Ti s’ke ç’i do. Mbaj ca për ushqim e për pastruesen. Mbaj dhe ca për priftin. Për ceremoninë tënde, e kam fjalën.

– Kaq shpejt e ke menduar të më përcjellësh, moj bijë?

– Jo, jo babush s’e kam menduar unë, po lëkura jote. Lëkura jote sikur po bie përtokë. Ç’mund të bëj më tepër unë për ty, o babush? Erdha, të pashë.

– Erdhe të mos më shohësh më gjallë?! Herën tjetër do vish me priftin?)

5.

Mjaft me mërzinë se ia çatë cipën tisit të fjalës. Ia shterrët palcën e kurrizit. Ia mpitë gjymtyrët. Ia ngritë e avulluat frymën e gjakun njëherazi. Njëherazi thellë e përciptazi. Kujt? Fjalës, pra…

Mërzia ushqehet me krodhe e tule. E hollë si purteka e si kallami, shëndosh e gjitha yndyrë. Hyn e del nga spitali sa herë të dojë e kur të dojë. Ajo është grushti në nofull. Gulçi në fyt. Krisma në ijë. Vëri, vëri gishtat aty. Je i plagosur. Përciptazi e thellë. Ti dhe unë të plagosur herazi njëherazi. Ndoshta ti para teje. Unë pas tjetrit. Pas atij alpinistit në Vermosh, që nuk mbrriti në majë në mesditë siç e dëshironte. Ngaqë pati një rrëshqitje të frikshme, por shpëtoi paqtë.
E dëshironte ai shpejt ngjitjen apo nisja?

Mrekullohemi nga mjegulla e mërzitshme. Ne si njerëz i mjegullohemi njeri – tjetrit.

Në spital mërzia ka shtratin e vet që nuk ia zë askush. Po erdhi ajo në spital ia hapni rrugën. Bëjani shpejt gati krevatin, i shtroni çarçafët më të pistë, (mos, mu thafte gjuha!) çarçafët e kellëfin më të pastër. Zonja mërzi vë koburen e vet mbi komodinë dhe s’ka burrë nëne e nanë guximtare t’ia heq fishekët nga foleja e vet. Mërzia shkrep fishekzjarre anekand qytetit, fishekzjarre përvëluese, të akullta. O, ooo, ç’na the, ç’na the… e ku ka fishekzjarre të ngrira!

6.

Mërzia puthet e nduket. Ajo nuk jep provime as në vjeshtë. Cila jep provime: vajza studente apo dashuria e saj? Kë të pyesim?

Mërzia jeh tik-tak një minutë, dy hapa, tre kërcime. Hov krah fluturuese. Rrëshqet kokëkrisje. Ajo jeton pak, aspak, shumë. Ajo bëhet indi yt, lëkura e fryma jote sa ti nuk ikën më dot prej saj. Edhe kur ti don t’i ikësh asaj.

Një ditë e mërzitshme ndoshta e shplodh njeriun më qetë dhe më bukur se një ditë e gënjeshtërt. Shumë më e mençur se ajo dita e mërzitshme të rri përkrah, ndoshta edhe të ledhaton, të pëshpërit në vesh ëmbël. Të sheh e këqyr ballas. Ndonjëherë të ndjek pas shpine. Hyn edhe brenda teje, por jo aq thellë sa e gënjeshtërta ditë.

(- Do ta fitojmë protestën, do ta fitojmë!

– Si the? Të ruhemi nga policët? Më mirë të ruhemi nga njëritjetri.

– E keqja është mes tonë. Edhe ajo duket sikur proteston. Na lëpihet neve.

– Kush është i pari këtu, o burra?

– Këtu nuk dihet kush është i fundit.

– Nga cila rrugë erdhët ju gjer këtu?

– Nuk e mbaj mend. Ishim përgjum’sh…
A, a… ju s’dini rrugën nga erdhët! S’mbani mend as fillimin e rrugës. As fytyrën e parë para jush. Nga ndonjë qorrsokak keni ardh’ deri këtu, patjetër)!

Mërzia jeton stinët e veta dhe ndryshe nga natyra ajo i mpleks stinët si të dojë e kur të dojë. Një ditë vere për mërzinë mund të jetë një mbytje në det. Një përmbytje në mëhallë. Reumatizmë në gjunjtë e krisur të rrugës. Një ditë pranvere e freskët për njeriun mund të jetë kallkan për njeriun tjetër. Një ditë me shira mund të jetë buqetë buzagaz lotësh e lutjesh. Dhe së fundmi, më dimër se vet dimri. Dimëron zbathur, me tesha të shqyera e pa tesha fare. Mërzia mjaltohet në farmaci.

7.

Mërzia flet me “ti”, nuk flet me “ju”.

Ajo zvarget proletare, argate fushe e mali. Mjerimi dhjet jetë e ndyrë nga vjedhjet e spërdredhjet joshëse, vrastare. Pishinë llamburitese gjer në katin… afër qiellit. Limturohuni ju, o të mjerë, mjeroni ju, o të lumtur! Ç’shaka! Lesh shaka.

Mërzitu, o njeri, mërzitu pak! Ndoshta edhe ca, por asnjëherë mos u mërzit thellë! Mërzitë e thella janë mjerimi yt. Me dashje, pa dashur. Me o-la-la, o – le -le

Mjerimi gatuan përvojë të vërtetë.

Ngrihet e ulet lapidar që ia ndërrojmë emrin, yllin dhe qylafin. Mos u mërzisni me përvjetorët e tij! Brohoritini, mos i brohorisni! Gëzohuni prej mërzisë! Ngazëllohuni prej mjerimit!
Ç’shaka! Lesh shakaje!

Mjerimi peshon gur i rëndë. Jo gur i rëndë bilardoje. As raketë tenisi. Mjerimi pajtohet me vdekjen. I mban mëri asaj.

T’ju lë një fjalë, jo të panjohur dhe as amanet.
Kur të shkoj… kur të më përcillni pra, qeshni e qeshni me ndonjë nga shakatë e mia. E qeshura juaj është zgjimi im..

Mjerimi migjenian vargëzon e nuk është Poetik.

Mërzia rrallë fle gjumë. Mjerimi edhe më rrallë.. Mërzia gërhet shumë, Mjerimi ulërin.
Mos e tepërova paksa me mjerimin e mërzisë, me mërzinë e mjerueshme?!

Nuk jetoj dot pa mërzi. Natyrisht, mërzia ime di shkrim e këndim, lexon e mendon shqip dhe në gjuhë të huaj. Shkruan, pëlqehet. Jetoj gjatë me mërzinë. Oh, sa pak… Asnjëherë aspak. Ka edhe më keq akoma, vjen trishtimi. Më keq se ai, vjen mjerimi pikëllonjës e mosmëkeq se ai… vjen…