Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Hitoaliaj: Historia e ikjes nga Shqipëria e mbesës së parë të Ismail Qemalit

Historia e ikjes nga Shqipëria e mbesës së parë të Ismail Qemalit: Blanche Paulette Vlora (1917-2002)

Pasardhësit e arkitektit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemal bej Vlorës, kanë pasur një shpërndarje të gjithanshme dhe një histori jo dhe aq të lehtë. Studimet historike për këtë figurë të rëndësishme historike dhe për pasardhësit e tij apo gjenealogjinë e Vlorajve, nuk mungojnë. Në këtë shkrim, duke u bazuar në dokumente arkivore sjellim të dhëna të pabotuara, për jetën e Blanche Paulette Vlorës (1917-2002), e cila ishte mbesa e parë Ismail Qemalit, vajza e Mahmud Kemal Vlorës dhe francezes së bukur, Alice Escoffier. Prindërit e saj u martuan në Nicë më 1913 dhe patën tre fëmijë: Ismail Kemal Galib Aleksandër, Blanche Paulette dhe Suzanne. Pas vdekjes së Mahmudit në Vlorë, më 1921, Alice u vendos me fëmijët në Bari të Italisë, ku familja përjetoi vështirësi ekonomike. Ismail Kemal Galib Aleksandër, nipi i parë i Ismail Qemalit, në vitet kur qeveriste Zogu, i ndalohej ardhja në Shqipëri; zogu i jepte një rrogë mujore, me qëllim që ai të arsimohej jashtë Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familjarët u zhvendosën në Torino dhe më pas në Sanremo. Pas luftës, ironikisht, mbetën pa shtetësi. Sipas stërnipit të Ismail Qemalit, Nedim Vlorës, Blanche emigroi gjatë viteve 1950 në SHBA si refugjate, ku punoi në një fabrikë në Nju-Jork. Më vonë u vendos në Kanada, ku edhe ndërroi jetë. Njoftimi mortor për Blanche Vlorën, e cila ndërroi jetë në Kanada, duke dhënë detaje për lidhjet e saj familjare, shkruante:

“Vlora, Blanche (1917-2002). U nda nga jeta në moshën 85-vjeçare, duke u prehur qetësisht në duart e Zotit, në orët e vona të mbrëmjes së 22 shtatorit 2002, në Spitalin Verdun, në Montreal. Një zonjë e vërtetë, inteligjente, mendjekthjellët dhe e kulturuar, e cila kishte gjithmonë diçka për të na mësuar, deri në orët e fundit të jetës së saj. Mungesa e saj do të ndihet thellësisht nga familjarët në Montreal dhe në Itali. Humbjen e saj e vajton vëllai i dashur, Diano Escoffier, së bashku me kunatën Tonia. Ajo i donte shumë dhe ishte po aq e dashur për nipin e saj, Edmond Escoffier (bashkëshortja Kelly Guerin dhe foshnja Anthony), si dhe për mbesën Alice Escoffier dhe fëmijët e saj, Olivierin dhe Jordanin. Ajo i adhuronte fëmijët e vegjël të familjes Escoffier, Olivierin, Jordanin dhe të porsalindurin Anthony, ndaj të cilëve ushqente një dashuri dhe përkushtim të veçantë. Edhe një ditë e vetme pa i parë e trishtonte! Ajo ishte e shtrenjta teze Popi («Zia Popy») për Sarën dhe Roselën, pjesëtare të familjes Vlora, në Sanremo të Italisë; gjithashtu për Nedim Vlorën (bashkëshortes Mina dhe djalit Alessandro) dhe për Vittoria Vlorën (bashkëshortit Peppino dhe djalit Paolo), si dhe për të ëmblën teze Tina («Zia Tina»), bashkëshorten e vëllait të saj të ndjerë, Alessandro Vlora (Galib), nga Bari i Italisë. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për kujdesin dhe vëmendjen që i kushtuan doktor Proulx dhe personeli mjekësor i mrekullueshëm i Spitalit Verdun. Mesha mortore do të mbahet të enjten, më 26 shtator 2002, në orën 11:00, në Kishën e Shën Gjon Boskos (St-John Bosco). Teze, do të të mbajmë gjithmonë pranë zemrave tona. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për ne! Të duam.” (The Gazette, “Obituaries”, Montreal, September 22, 2002).

Po cila ishte historia e emigrimit në Amerikë të kësaj pjesëtareje të derës së Vlorajve? Të dhënat që jepen në vijim i referohen intervistave, letrave, formularëve dhe kërkesave të saj për emigrim, drejtuar Organizatës së Emigrimit, Gjenevë, të cilat gjenden në dosjen e saj arkivore. Përmbledhja e tyre do hedhë dritë mbi historinë e Blanche Vlorës dhe largimin e saj që nga Shqipëria në Itali e më pas drejt Amerikës.

Blanche Vlora, një histori e dokumentuar, sipas dosjes arkivore të emigracionit

Blanche Paulette Vlora, e regjistruar në dokumente edhe me emrat Blanche Paule Vlora dhe Blanche Paulette Vlora, lindi më 11 shkurt 1917 në Nicë të Francës. Ishte e bija e Mahmud Kemal Vlorës dhe Alice Escoffier. Dokumentacioni i organizatës për refugjatët, që emigronin në vitet 1949-1951, përmban të dhëna mbi prejardhjen e saj familjare, arsimimin, vendbanimet, veprimtarinë profesionale, largimin nga Shqipëria, qëndrimin në Itali dhe përpjekjet për të siguruar mbrojtje ndërkombëtare e për të emigruar.

Në një letër të 30 marsit 1950, drejtuar z. Tonglet, përfaqësuesit të organizatës së emigrimit në Gjenevë, Blanche paraqiste të dhënat e saj personale duke e nisur letrën: «Unë, e nënshkruara Blanche Paulette Vlora, e bija e Mahmudit dhe e Alice Escoffier, e lindur në Nicë më 11 shkurt 1917, me kombësi shqiptare, aktualisht pa shtetësi […]».

Kjo deklaratë fjalëpakë, që në krye të letrës, përmbante të dhënat themelore të identitetit të saj dhe përcaktimin e gjendjes juridike që ajo deklaronte në mars të vitit 1950. Në një tjetër formular, të nëntorit 1949, ajo ishte regjistruar si shqiptare, ndërsa në letrën e mëvonshme, përdorte shprehimisht termin “apatride”, pra person pa shtetësi. Babai i saj, Mahmud Kemal Vlora, djali i madh i Ismail Qemal bej Vlorës, përmendet në formularin e vitit 1949 si “i ndjerë”. Nëna, francezja Alice Escoffier, figuron në dokumentacionin e kësaj dosje edhe me mbiemrin Vlora dhe mbiemrin e vajzërisë, Escoffier. Në një pyetësor tjetër, formularin e datës 9 shkurtit 1951, ajo [Alice] regjistrohej si 56 vjeçe. Në dokumentet e tjera të dosjes, përmenden Suzanne Vlora dhe Diani Vlora, përkatësisht motra dhe vëllai i Blanche-s. Në kartelën e Shërbimit Ndërkombëtar të Gjurmimit, me numër V-1941, të qendrave të regjistrimit të emigrantëve, janë regjistruar emrat Blanche Paule ose Paulette Vlora, Mahmud Kemal Vlora, Alice Vlora, e lindur Escoffier, Suzanne Vlora dhe Diani Vlora; pra, referuar të gjithë dokumenteve në dosje, kjo ishte përbërja familjare. Por, në të njëjtën kartelë figurojnë edhe emrat e Josef Kupferschmidt dhe Sima Rosenzumen. Emrat e këtyre dy personave gjenden gjithashtu në shënimet e mbështjellëses së dosjes, pa u përcaktuar se ç’marrëdhënie kanë me familjen Vlora.

E diplomuar, njohëse e katër gjuhëve, por e papunë…

Të dhëna të tjera dalin nga formulari i kërkesës për ndihmë, i plotësuar më datë 9 nëntor 1949, ku Blanche regjistrohej si beqare dhe me përkatësi fetare protestante. Në rubrikën e arsimimit ajo shënonte se kishte ndjekur katër vjet të Shkollës Tregtare dhe një vit universitet në Bari. Si kualifikim profesional përmendej një diplomë në kontabilitet. Formulari përmban gjithashtu të dhëna mbi njohjen e katër gjuhëve nga ana e saj: shqipes, frëngjishtes, italishtes dhe anglishtes, duke dalluar aftësitë e saj për të folur, lexuar dhe shkruar në mënyrë të rrjedhshme. Për periudhën e jetës përpara largimit nga Shqipëria, dokumentacioni regjistron si vendbanim të familjes qytetin e Vlorës, me adresë në rrugën e Zogut (Viale Zog). Në pyetësorin e 9 nëntorit 1949, kur flitet për vitin 1936 shprehimisht shënohet: «Aplikantja jetonte me shtëpi, në Shqipëri, në Vlorë, në rrugën e Zogut, dhe ishte e papunë […]». Në rubrikën e punësimit, për periudhën 1936-1940, ajo figuron po ashtu, pa punësim.

Në shkurt 1940, Blanche dhe familja e saj u larguan nga Shqipëria dhe u vendosën në Itali. Pyetësori i nëntorit 1949 shënon se largimi ishte kryer me pasaporta të rregullta, të cilat Blanche deklaronte se i kishte humbur më vonë, për shkak të luftës me Greqinë. Familja kishte marrë me vete para dhe sende me vlerë, të cilat më pas ishin shitur për të përballuar jetesën e vështirë. Në përgjigjen për rrethanat e largimit nga vendbanimi, ky dokument i nëntorit 1949 shënon: «Shkurt 1940. U largua nga frika e luftës ndërmjet Italisë dhe Greqisë (afërsia gjeografike)».

Në letrën e saj të, të 30 marsit 1950, Blanche e përshkruante me dorën e saj largimin nga Shqipëria si pasojë të luftës dhe shpjegonte se familja kishte shpresuar të kthehej në atdhe pas përfundimit të armiqësive. Ajo deklaronte se kishte mbërritur në Itali në vitin 1940, së bashku me familjen, dhe se fillimisht kishte qëndruar në Bari, më pas në Torino dhe, së fundi, ishin vendosur në Sanremo. Sipas kësaj letre, familja kishte pritur mundësinë e kthimit në Shqipëri, por pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kishte vendosur të qëndronte në Itali. Blanche e lidhte këtë vendim të familjes me regjimin politik të vendosur në Shqipëri dhe me fatin e disa të afërmve të saj, të cilët, sipas deklarimit, ishin vrarë ose burgosur.

Mbesë e Ismail Qemalit, por familja e saj konsiderohej tradhtare pas Luftës

Në letrën e 30 marsit 1950, ajo shkruante shprehimisht: «Meqenëse disa nga të afërmit tanë ishin vrarë ose burgosur atje, u detyruam të qëndronim në Itali […]».

Të dhëna më të hollësishme mbi arsyet e moskthimit në Shqipëri gjenden edhe në pyetësorin e 9 nëntorit të vitit 1949. Në këtë dokument, Blanche deklaronte se i përkiste një familjeje të njohur shqiptare dhe se ishte e lidhur me Ismail Qemalin, i përmendur në formular si president i Republikës së mëparshme shqiptare. Në tekstin e këtij pyetësori kjo lidhje familjare shënohet me termin “mbesë”, ndërsa emri i Ismail Qemalit shoqërohet me vitin 1911. Dokumenti përmban saktësisht këtë formulim:

«Personi i përket një familjeje të njohur shqiptare dhe ajo është mbesa e Presidentit të Republikës së dikurshme Shqiptare (1911). Familja e saj konsiderohet nga qeveria e tanishme komuniste si tradhtare dhe armike e regjimit. Pasuria e familjes është shtetëzuar. Disa nga xhaxhallarët e saj ndodhen në burg dhe njëri është vrarë».

Këto të dhëna, regjistrohen në dosje si deklarime të aplikantes për gjendjen e familjes dhe si arsye të kundërshtimit të riatdhesimit. Në pyetësorin e nëntorit 1949, Blanche shprehej kundër kthimit në Shqipëri. Si përgjigje e pyetjes «Dëshironi të ktheheni atje?» shënohej «Jo», ndërsa në rubrikën «E vendosur kundër riatdhesimit»figuron përgjigjja «Po». Ajo deklaronte si vende ku do të dëshironte të vendosej përgjithmonë, Kanadanë ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas mbërritjes në Itali, familja kishte qëndruar fillimisht në Bari. Sipas pyetësorit të nëntorit 1949, gjatë dimrit të vitit 1942, autoritetet italiane të policisë kishin evakuuar të huajt nga Bari, pasi qyteti konsiderohej zonë lufte. Blanche ishte dërguar fillimisht në Torino, ndërsa më pas kishte kërkuar leje për të shkuar në Sanremo, për shkak se motra e saj ishte e sëmurë. Në dokument thuhet se, pas vendosjes në Sanremo, ajo kishte siguruar jetesën duke dhënë mësime.

Mësuesja e frëngjishtes që mbante familjen

Në letrën e 30 marsit 1950, Blanche jepte të dhëna më të hollësishme mbi gjendjen ekonomike të familjes. Ajo deklaronte se kishte dhënë mësime private dhe se kishte kryer punë të ndryshme për të siguruar jetesën e nënës, të një vëllai dhe të një motre. Në të njëjtën letër theksonte se nuk kishte marrë nga kurrkush, asnjë ndihmë materiale ose morale. Në formularin e nëntorit të 1949-s, veprimtaria e saj profesionale, nga dimri i vitit 1942 përshkruhej me shënimin «kam dhënë mësime të gjuhës frënge» dhe në rubrikën e të ardhurave shënohej se fitonte një shumë prej rreth 15 000 lirash italiane në muaj. Rubrika e burimeve financiare ishte regjistruar si«Asgjë», ndërsa rubrika e personave që mund ta ndihmonin për punësim ose për sigurimin e jetesës shënohej me «Askush». Dokumenti regjistronte gjithashtu se nuk kishte marrë ndihma nga UNRRA apo nga ndonjë organizatë tjetër vullnetare. Vetëm nga kaq pak të dhëna kuptohet qartë se situata e tyre ekonomike ishte e vështirë.

Në rubrikën e të afërmve në këta formularë figuronin Alice Vlora, Suzanne Vlora dhe Diani Vlora dhe si vendbanim i familjes regjistrohej qyteti Sanremo: adresa Via Matteotti, nr. 25. Formulari përmban gjithashtu të dhëna mbi lejen italiane të qëndrimit, pasaportën e lëshuar nga autoritetet dhe kartën e identitetit të lëshuar nga autoritetet bashkiake të Sanremos. Më 9 nëntor 1949, Blanche u paraqit pranë organizatës për refugjatët për të kërkuar ndihmë dhe mbrojtje. Në shënimet e formularit thuhet se nuk kishte aplikuar para datës 31 gusht 1949, sepse nuk kishte pasur dijeni për procedurën. Në dokumentacionin e regjistrimit shënohet se ajo dëshironte të përfitonte mbrojtje juridike, dokumente identiteti dhe mbështetje për shpenzimet e udhëtimit drejt Kanadasë ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën rubrikë përmendet se ajo nuk kishte ndërmarrë ende hapa konkretë për emigrimin. Në përfundim të pyetësorit, intervistuesja, znj. Trine Vassilchikoff, e cila shënonte dhe dëgjonte jetën dhe arsyet e saj për emigrim, ka regjistruar vlerësimin: «Rrëfimi duket i vërtetë».

Dokumenti përmban gjithashtu shënime të zyrtarëve mbikëqyrës dhe vula administrative të organizatës së emigrimit, përfshirë një vulë të datës 9 nëntor 1949 që lidhet me mbrojtjen juridike dhe politike.

Vështirësi që e shtyjnë të emigrojë

Letra e 30 marsit 1950, të cilën Blanche ia drejtonte autoriteteve të emigrimit, përshkruante përpjekjet e saj për të përfituar ndihmë prej tyre. Ajo deklaronte se kushtet e jetesës së familjes po bëheshin gjithnjë e më të vështira dhe se, për këtë arsye, kishte paraqitur një kërkesë për ndihmë. Sipas saj, i ishte komunikuar se duhej të paraqitej personalisht për t’u regjistruar. Për mungesë mjetesh financiare, ajo nuk kishte mundur të udhëtonte më herët dhe vetëm në nëntor 1949 kishte arritur të shkonte në Romë. Pas intervistës së zakonshme, i ishte komunikuar se nuk kualifikohej për ndihmë, sepse ishte paraqitur pas afatit të përcaktuar. Blanche deklaronte se kishte paraqitur ankim në Gjenevë dhe se, sipas sugjerimit të një punonjësit të organizatës, e kishte dorëzuar ankimin pranë drejtorisë së emigrimit në Romë, e cila duhej t’ia përcillte në selinë qendrore. Ajo ishte kthyer disa herë për të pyetur mbi ecurinë e çështjes, por i ishte thënë vazhdimisht të priste. Në një nga paraqitjet e mëvonshme kishte konstatuar se ankimi ndodhej ende në zyrën e Romës.

Për këtë arsye, më 30 mars 1950, nga adresa Via di Sant’Agnese, nr. 12, Romë, Blanche i drejtoi një letër z. Tonglet, pranë selisë qendrore të Organizatës së Emigrimit në Gjenevë. Në të kërkonte shqyrtimin e çështjes së saj dhe njohjen e pranueshmërisë për mbrojtje nga organizata. Në përfundim të letrës ajo shkruante: «Për këtë arsye po ju drejtohem që çështja ime të shqyrtohet dhe të arrij të përfitoj vetëm mbrojtjen e organizatës tuaj, në mënyrë që të mund të emigroj». Letra është hartuar fillimisht në italisht, me shkrim dore. Në dosje ruhet përkthimi i saj në frëngjisht, me shënimin “Përkthim nga origjinali: italisht”. Dokumenti mban datën 30 mars 1950 dhe emrin e Blanche Vlorës si nënshkruese.

Më 19 prill 1950, selia qendrore në Palais Wilson, Gjenevë, përgatiti një shkresë zyrtare. Dokumenti i drejtohej admiralit G. Ments, drejtues i zyrave të emigrimit në Romë, në adresën Via S. Nicolo da Tolentino, nr. 78, dhe shkresa i drejtohej për vëmendje edhe drejtuesit përgjegjës për vlerësimin e pranueshmërisë. Lënda e shkresës ishte “Blanche Paulette Vlora” dhe në tekstin e saj njoftohej zyra se: «Bashkëlidhur po ju përcjellim një kopje/përkthim të një letre që personi i sipërpërmendur i ka drejtuar kësaj selie qendrore». Në vijim, shkresa shpjegon se, meqenëse autorja e letrës banonte në zonën e përgjegjësisë së zyrës së emigrimit të Romës, dokumenti përcillej asaj për mendim dhe për veprimet e nevojshme. Shkresa mban emrin e Marie D. Lane, drejtuese e një divizionit të selisë qendrore të organizatës së emigrimit.

Një atdhe “i humbur”: letra e plotë e Blanche Vlorës për zyrën e Gjenevës

Nga: Blanche Paulette Vlora, Via di S. Agnese, nr. 12, Romë.

Drejtuar: z. Tonglet, Organizata Ndërkombëtare për Emigrimin, Gjenevë, 30 mars 1950.

(Origjinali: italisht).

Unë, e nënshkruara Blanche Paulette Vlora, e bija e Mahmudit dhe e Alice Escoffier, e lindur në Nicë më 11 shkurt 1917, me kombësi shqiptare, aktualisht pa shtetësi, kërkoj që çështja ime të shqyrtohet dhe të më njihet e drejta për t’u pranuar si përfituese e mbrojtjes së organizatës. Në vitin 1940, mbërrita në Itali së bashku me familjen time, si pasojë e luftës. Fillimisht qëndrova në Bari, më pas në Torino dhe, së fundi, në Sanremo, duke pritur vazhdimisht që të mund të ktheheshim në vendin tonë, sapo përfundimi i armiqësive të na hapte përsëri rrugën e kthimit. Por ndodhi krejt e kundërta. Pas përfundimit të luftës, u gjendëm përballë një regjimi të padurueshëm në atdheun tim dhe, duke qenë se disa nga të afërmit tanë ishin vrarë ose burgosur atje, u detyruam të qëndronim në Itali.

Në Sanremo kam dhënë mësime private dhe kam kryer punë të ndryshme për të siguruar jetesën e nënës sime, të një vëllai dhe të një motre. Nuk kam marrë kurrë asnjë ndihmë, as materiale dhe as morale. Megjithatë, ndërsa kushtet e jetesës së familjes sime po bëheshin gjithnjë e më të vështira, paraqita pranë organizatës ndërkombëtare të emigrimit një kërkesë për ndihmë. M’u përgjigjën se duhej të isha e pranishme personalisht për t’u regjistruar. Duke qenë se, për mungesë mjetesh financiare, nuk kisha mundësi të ndërmerrja udhëtimin, vetëm në nëntor 1949 arrita të shkoja në Romë, ku u paraqita pranë zyrave të emigrimit. Pas intervistës së zakonshme, më njoftuan se nuk kualifikohesha për ndihmë, sepse isha paraqitur tepër vonë. Atëherë paraqita ankim në Gjenevë dhe, ashtu siç më kishte sugjeruar punonjësi, e dorëzova këtë ankim pranë drejtorisë së emigracionit në Romë, e cila duhej ta përcillte në Gjenevë. U ktheva disa herë për të pyetur se në çfarë faze ndodhej çështja ime, por çdo herë më thuhej se duhej të prisja ende. Derisa, disa ditë më vonë, kur u paraqita përsëri në zyrë, pata surprizën e pakëndshme të konstatoja se kërkesa ime ndodhej ende aty. Për këtë arsye po ju drejtohem juve, me qëllim që çështja ime të shqyrtohet dhe të arrij të përfitoj, të paktën, mbrojtjen e organizatës, në mënyrë që të mund të emigroj.

Me respekt. Nënshkruar: Blanche Vlora.

Drejt atdheut të ri, Amerikës

Më 5 maj 1950, Divizioni i Pranueshmërisë për aplikimet e emigrantëve, i dërgoi Blanche Vlorës një përgjigje lidhur me kërkesën e saj që kishte dërguar në Gjenevë. Shkresa ishte drejtuar në adresën Via di Sant’Agnese, nr. 12, Romë. Në përgjigje thuhej se letra e saj, drejtuar Gjenevës ishte përcjellë te divizioni përkatës. I komunikonin se, për shkak se kishte aplikuar pas afatit të përcaktuar, organizata mund t’i jepte vetëm mbrojtje juridike. Për informacione të mëtejshme, Blanche udhëzohej të paraqitej pranë qendrës së regjistrimit për aplikime emigrimin në Romë, në Via San Basilio, nr. 9. Dokumenti mban emrin e R. C. Geisner, drejtor i Divizionit të Pranueshmërisë.

Më 5 korrik 1950, Blanche paraqiti një kërkesë për mbrojtje juridike pranë organizatës për refugjatët. Formulari, i hartuar në italisht dhe anglisht, përmbante emrin Vlora, Blanche Paule, emrat e prindërve Mahmud Kemal dhe Alice Escoffier, datëlindjen 11 shkurt 1917, vendlindjen Nicë dhe kombësinë shqiptare. Në rubrikën e profesionit ishte shënuar e punësuar, ndërsa si vendbanim figuronte Roma, Via di Sant’Agnese, nr. 12. Formulari regjistronte gjithashtu të dhënat e lejes së qëndrimit italiane dhe numrin përkatës të regjistrimit. Në pjesën ku duhej të shprehte kërkesën e saj, Blanche kishte shkruar: «Të mbrohem juridikisht».

Dokumenti është i nënshkruar prej saj dhe përmban shënimin për lëshimin e kartës së identifikimit të emigrimit, me numër 0023867. Më 9 shkurt 1951, në një pyetësor tjetër, të përgatitur në Romë, Blanche Paule Vlora paraqiste një kërkesë për zgjatjen e statusit të saj të emigrimit. Në këtë dokument identifikohej përsëri si shqiptare, e lindur më 11 shkurt 1917 në Nicë të Francës etj. Edhe në këtë dokument, në rubrikën e familjarëve përmendej nëna, Alice Escoffier, 56 vjeçe.

Në përshkrimin e çështjes thuhej se refugjatja shqiptare ishte paraqitur pranë zyrës së emigrimit për të kërkuar zgjatjen e statusit të pranueshmërisë. Dokumenti regjistronte se ajo ishte regjistruar pranë zyrës së emigrimit në nëntor 1949 dhe ishte njohur vetëm për mbrojtje juridike dhe politike, si rast i paraqitur pas afatit. Në të njëjtin pyetësor shënohej se më 5 korrik 1950 i ishte lëshuar dokumenti i identifikimit të emigrimit, nr. 0023867. Në lidhje me synimin e saj për emigrim, ky dokument aplikimi shkruan: «Dëshiron të vendoset në SHBA, ku ka miq të gatshëm ta ndihmojnë, domethënë të japin garanci për të dhe për nënën e saj».

Në përfundim të këtij përshkrimi shënohej: «Nuk ka mjete jetese në Itali». Pyetësori mban shënime dhe vula administrative të datës 16 shkurt 1951.

Në mbështjellësen e dosjes personale të Blanche Paulette Vlorës gjenden vula dhe shënime të tjera që lidhen me administrimin e çështjes së saj. Dokumentacioni përfshin gjithashtu një formular në italisht, me anë të së cilit Blanche kërkonte ndihmë nga zyrat e emigrimit. Në këtë dokument ajo identifikohet si e lindur më 11 shkurt 1917 në Nicë, me kombësi shqiptare dhe me adresë Via Matteotti, nr. 25, Sanremo. Formulari mbante nënshkrimin e saj.

Dokumentet e viteve 1949-1951, të dosjes së saj të emigrimit, regjistrojnë kështu të dhënat personale dhe familjare të Blanche Paulette Vlorës, arsimimin dhe njohuritë gjuhësore, vendbanimin në Vlorë përpara vitit 1940, largimin me familjen drejt Italisë, qëndrimin në Bari, Torino dhe Sanremo, veprimtarinë si mësuese private, përgjegjësinë për sigurimin e jetesës së nënës, vëllait dhe motrës, si dhe deklarimet e saj mbi pamundësinë e kthimit në Shqipëri. Në këto dokumente regjistrohen kërkesat e saj për ndihmë, ankimet drejtuar zyrave të emigrimit, korrespondenca ndërmjet zyrave të Romës dhe të Gjenevës, njohja e mbrojtjes juridike dhe politike, pajisja me dokument identifikimi për emigrim dhe kërkesa e mëvonshme për zgjatjen e statusit, me synimin për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dokumente që zbardhin një copëz nga mozaiku i familjes Vlora

Rrëfimi i mësipërm është ndërtuar i bazuar te dokumentet e dosjes personale të emigrimit të Blanche Paulette Vlorës, të paraqitura në një formë tregimtare për një moment të jetës së saj. Të dhënat mbi përndjekjen politike, burgosjen dhe vrasjen e familjarëve, shtetëzimin e pasurisë dhe lidhjen me Ismail Qemalin etj., janë paraqitur me saktësi, si deklarime të regjistruara në dokumentacionin arkivor të zyrave të emigrimit, pa u trajtuar si fakte të verifikuara në mënyrë të pavarur, as prej tyre e as prej këtij shkrimi, pasi nuk ishin objekt i synuar. Do të duhej që këto dokumente arkivore, për referime të mëtejshme shkencore të silleshin në trajtën e tyre të plotë dokumentare, me identifikimin e plotë fotografik, të njehsuar me institucionin arkivor, fondin, dosjen dhe fletët etj., por me këtë shkrim, synuam vetëm zbardhjen e një cope historie të jetës së mbesës së parë të Ismail Qemal bej Vlorës, të cilën e shoqërojmë me foton personale që gjendet në këto materiale arkivore, me firmën e saj: Vlora…

https://www.pressreader.com/albania/panorama-albania/20261014/textview?aid=281861535471470