IDRIZ SULLI DHE 7 DESHTË: MENÇURIA QË I DHA GUSMARIT LIRI NË LABËRI
(Në përkujtim të burrit të shquar të Labërisë, Idriz Sullit, nismëtar i dy kuvendeve të mëdha në Senicë (1770) dhe te Rrapet e Agait në Taroninë (1773), si dhe autor i sharteve,/ligjeve popullore dhe i zgjidhjes së shumë çështjeve e mosmarrëveshjeve me bindje dhe me fjalën e mençur.)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Në historinë e Labërisë ka ngjarje që, edhe pse kanë ndodhur më shumë se dy shekuj më parë, vazhdojnë të jetojnë në kujtesën popullore. Ato përcillen nga brezi në brez jo vetëm për atë që ndodhi, por edhe për mençurinë, drejtësinë dhe mesazhin që mbartin. Një prej këtyre rrëfimeve është ai i Agait Idriz Sulli dhe shtatë deshve, një ngjarje që dëshmon se si fjala e një burri të urtë mund të zgjidhte halle të mëdha dhe t’u hapte rrugë njerëzve drejt një jete më të lirë.
Idriz Sulli, i cili jetoi rreth viteve 1710–1795, ishte një nga figurat e njohura të Labërisë së shekullit XVIII. Ai njihej si burrë i shkolluart dhe aga i mençur i Zhulatit, fshatit me gjashtë mëhallë, së bashku me Fushëbardhën, që në traditën e kohës përmblidheshin në emërtimet Zhulati i Tejmë dhe Zhulati i Këtejmë. Por emri i tij kishte kaluar prej kohësh kufijtë e këtyre fshatrave. Në të gjithë Jugun e Shqipërisë, Idriz Sullin e njihnin si burrë të urtë, si njeri që dinte të dëgjonte, të gjykonte paanësisht dhe të gjente zgjidhje edhe aty ku të tjerët shihnin vetëm vështirësi. Fjala e tij kishte peshë, sepse mbështetej te drejtësia dhe te përgjegjësia për njerëzit.
Rreth viteve 1770, në Gusmar, një fshat i krijuar më vonë në Labëri, ishte shfaqur një problem që po ua vështirësonte jetën banorëve. Gusmarjotët kishin nevojë të lëviznin lirshëm drejt fshatrave të tjerë për të tregtuar prodhimet dhe mallrat e tyre. Por rrugëtimi nuk ishte i sigurt. Pengesat, kurthet dhe pritë e shpeshta ua vështirësonin kalimin, duke u rrezikuar jo vetëm tregtinë, por edhe jetesën. Një fshat që nuk mund të lëvizte lirshëm, nuk mund të përparonte ashtu siç dëshironte. Përballë këtij halli, paria e pleqësia e Gusmarit vendosën të kërkonin ndihmë aty ku besonin se mund ta gjenin. U nisën me kuajt e tyre drejt sarajeve të Idriz Sullit. Nuk shkuan për një vizitë të zakonshme, as për të kërkuar një nder të vogël. Shkuan për të kërkuar drejtësi dhe një rrugëdalje nga një gjendje që po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Idriz Sulli i priti me bujari, siç e donte zakoni i mikpritjes labe. U dha vend në sofrën e tij, i nderoi si miq dhe u dëgjoi me vëmendje fjalët. Në atë sofër, krahas bukës dhe gostisë, u shtrua edhe halli i tyre. Pleqtë e zgjedhur nga pleqësia e Gusmarit i treguan se çfarë po përjetonin dhe se sa e vështirë ishte bërë të kalonin nëpër Labëri për të shitur e shkëmbyer mallrat.
Në fund, iu drejtuan me fjalët e thjeshta të njerëzve që kanë nevojë për një zgjidhje të drejtë:
“Na jep një mendje, Aga, për këtë hall që na ka zënë!”. Idriz Sulli nuk nxitoi të jepte një përgjigje të menjëhershme. Ai e kuptoi se një problem i tillë nuk zgjidhej vetëm me fjalë të bukura, por kërkonte një vendim që të kishte peshë për të gjithë. I përcolli miqtë me respekt dhe u tha të ktheheshin në Gusmar, sepse do të vinte vetë për ta pleqëruar çështjen në vend.
Të nesërmen, sarajet e Idriz Agait u gjallëruan nga përgatitjet për udhëtim. Karvani u nis drejt Gusmarit. Bashkë me Idriz Sullin ishin edhe përfaqësues të parisë së Zhulatit dhe të Fushëbardhës, si dhe njerëzit që e shoqëronin. Por ajo që e bënte këtë udhëtim të veçantë ishte një hollësi që nuk kaloi pa u vënë re, pasi karvani kishte marrë me vete shtatë desh, gjashtë të bardhë dhe një të zi. Lajmi për ardhjen e Aga Idrizit nisi të përhapej nga fshati në fshat në rreth 500 fshatra të Labërisë. Kur mbërriti në Kaparjel, banorët e pritën me dashamirësi. E ftuan me dëshirën për të ndenjur me të, për të biseduar dhe për t’i shprehur nderimin dhe respektin. Por Idriz Sulli i falënderoi dhe u tha se ishte me ngut. Një herë tjetër do të kishte kohë të rrinte me ta. Karvani vazhdoi rrugën drejt Golemit. Edhe aty e pritën me gëzim dhe dëshiruan ta ndalnin për një pushim. Hajde Idriz Aga të pimë një kafe, e ftonin ata. Golëmasit, të njohur për humorin e tyre të hollë, u bënë kureshtarë jo vetëm për shpurën që ndiqte Aganë, por sidomos për shtatë deshtë. Çfarë kuptimi kishin gjashtë desh të bardhë dhe një i zi? Pse i kishte marrë me vete një burrë si Idriz Sulli?
Por as në Golem karvani nuk u ndal. Agai kishte një qëllim të caktuar dhe nuk dëshironte ta shtynte zgjidhjen e hallit që e kishte vënë në rrugë. Rruga e çoi më tej, në Progonat, ku banorët e pritën krahëhapur. Progonatasit e njihnin mirë vlerën e fjalës, të besës dhe të zakoneve të trashëguara. Për ta, ardhja e Idriz Sullit ishte një ngjarje që meritonte nderim. Megjithatë, edhe në Progonat nuk qëndroi. Kështu, nga Kaparjeli në Golem e nga Golemi në Progonat, karvani vazhdoi rrugën, duke lënë pas ftesa e mirësjellje të fshatarëve zemërbardhë, por të shtyra për një herë tjetër. Destinacioni ishte Gusmari. Atje e priste një çështje që nuk mund të lihej më gjatë pa zgjidhje. Kur kuajt e Agait mbërritën në Gusmar, lajmi kishte marrë dhenë. Banorët dolën për ta pritur. Paria e fshatit e kuptoi se nuk kishte ardhur thjesht një mik i nderuar, por një burrë me “një barrë shkollë”, që kishte marrë përsipër t’i jepte zgjidhje një halli të përbashkët. Idriz Sulli u mblodh me burrat e Gusmarit dhe, sipas rrëfimit popullor, u foli me vendosmëri: “Dëgjoni, o burra të mençur! Shkova në tri fshatra, në Kaparjel, Golem dhe në Progonat, dhe nuk i begenisa. Jo se nuk doja. Edhe unë kisha dëshirë të rrija me ta, të çmallesha dhe të bisedonim. Por këtë ditë ia kam kushtuar Gusmarit dhe hallit tuaj”. Me këto fjalë, ai u bëri të qartë të pranishmëve se udhëtimi i tij nuk kishte qenë një vizitë e zakonshme, por një mision për të zgjidhur një çështje që prekte të ardhmen, lëvizjen e tregëtinë e lirë të bijëve e bijave të Gusmarit.
Pastaj erdhi vendimi që do të mbahej mend gjatë dhe do të vinte deri në ditët tona: “Që prej ditës së sotme, ju nuk jeni më një fshat me një mëhallë të vetme. Ju jeni mëhalla e shtatë e Zhulatit. Jeni vëllezërit tanë dhe do të jeni nën mbrojtjen e Zhulatit e të Fushëbardhës bashkë. Askush nuk do të guxojë t’ju pengojë të kaloni kryq e tërthor Labërisë dhe të bëni tregti ku të dëshironi. Që prej dtës së sotme, jeni mëhalla e shtatë e Zhulatit”. Ky ishte thelbi i zgjidhjes. Gusmari nuk do të mbetej më i vetëm përballë pengesave dhe rreziqeve. Përfshirja në bashkësinë e Zhulatit dhe Fushëbardhës i jepte mbrojtje, siguri dhe të drejtën për të lëvizur e tregëtuar lirisht. Një problem që dukej i vështirë për t’u zgjidhur u kapërcye përmes një vendimi të mençur, të mbështetur në solidaritetin dhe përgjegjësinë e përbashkët.
Në këtë rrëfim, shtatë deshtë nuk janë thjesht një detaj i udhëtimit. Ata janë bërë pjesë e kujtesës së ngjarjes dhe i japin asaj veçantinë e një tregimi që tërheq vëmendjen. Gjashtë deshtë e bardhë dhe dashi i zi mbeten një imazh që ngacmon kureshtjen, ashtu siç e ngacmuan edhe banorët e fshatrave ku kaloi karvani. Megjithatë, rëndësia e ngjarjes nuk qëndron te hamendësimet për kuptimin e tyre, por te vendimi që Idriz Sulli mori në Gusmar dhe te pasoja që ai synonte të sillte për banorët. Idriz Sulli kujtohet si një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të së drejtës zakonore labe. Në traditën që lidhet me emrin e tij përmenden edhe shartet e vitit 1773, të hartuara në Kuvendin e Rrepeve të Agait, në Taroninë, pranë Fushëbardhës. Këto norma popullore dëshmojnë përpjekjen e shoqërisë së kohës për të vendosur rregulla, për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të ruajtur ekuilibrin mes bashkësive. Më vonë, studiuesi professor Ismet Elezi i trajtoi këto tradita në veprën E drejta zakonore labe, ndërsa studimet e tij mbi të drejtën zakonore u pasqyruan edhe në librin e mirënjohur “Kanuni i Labërisë”.
Rrëfimi për Idriz Sullin dhe shtatë deshtë na sjell përpara një kohë kur fjala e një burri të urtë, të mençur dhe të shkolluar mund të kishte rëndësinë e një vendimi të madh. Ai na kujton se mençuria nuk matet me numrin e fjalëve, por me aftësinë për të kuptuar hallin e tjetrit dhe për të gjetur një zgjidhje që i shërben të gjithëve. Prandaj, edhe pas më shumë se dy shekujsh, kjo ngjarje vazhdon të përcillet gojarisht në Labëri. Ajo nuk ruan vetëm kujtimin e një rrugëtimi të veçantë, por edhe një mesazh të qartë se, drejtësia fiton vlerë kur kthehet në vepër, ndërsa bashkimi bëhet forcë kur mbron ata që kanë nevojë. Idriz Sulli shkoi në Gusmar me shtatë desh, por la pas një trashëgimi shumë më të madhe se aq, pikërisht kujtimin e një burri që e përdori mençurinë për t’u dhënë njerëzve siguri, dinjitet dhe liri.