Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Edmond Panariti: Drejt pikës së vlimit

Për vite të tëra, harta e Ballkanit Perëndimor është rikonfiguruar përmes tranzicioneve të dhimbshme, rrëzimit të regjimeve hibride dhe rotacioneve të vështira politike. Vende që dikur mbanin vulën e hekurt të stabilitetit autokratik kanë lëvizur, qoftë edhe me ritme të ngadalta, drejt standardeve më demokratike.

SERBIA ËSHTË RASTI MË I FRESKËT I KËTIJ PROCESI

E megjithatë, në këtë mozaik ndryshimesh, Shqipëria shfaqet si anomalia më kokëfortë e rajonit: ishulli i fundit i një modeli autarkik dhe njëpartiak, i cili ka konsumuar tri mandate qeverisëse duke ngrirë çdo mekanizëm të garës, përfaqësimit dhe barazisë së shanseve.

Për të kuptuar se si Shqipëria u shndërrua në këtë ngërç politik, nuk mjafton vetëm vështrimi i ciklit aktual qeverisës, por duhet zbritur në rrënjët e një deformimi sistemi që ka nisur dekada më parë. Ngurtësimi i skenës politike shqiptare nuk është një aksident historik, por produkt i një arkitekture të ndërtuar me vetëdije nga klasa politike tradicionale, e cila gradualisht e zhveshi shtetin nga kontrolli qytetar.  Pika e kthesës më e errët dhe më fatale në këtë proces mbeten ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Në atë vit, përmes një pazari të mbyllur mes dy poleve kryesore të politikës, u ndryshua Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, duke i dhënë fund sistemit të ekuilibrave dhe duke inauguruar monarkinë e kryetarëve të partive. Këto ndryshime i dhanë kreut të partisë pushtetin absolut mbi listat e deputetëve, duke e shndërruar ligjvënësin nga përfaqësues i qytetarëve në një militant të emëruar. Partitë politike u shndërruan në korporata private personale, çdo zë kritik u spastrua dhe u krijua një sistem imunitar politik që refuzon çdo element të jashtëm ose të ri që mund të rrezikojë status quo-në.

Mbi këtë skelet institucional të deformuar, në vitet e fundit është ndërtuar një “mutacion” i rrezikshëm i autokracisë. Ndryshe nga regjimet tradicionale që përdorin forcën fizike apo censurën e hapur, modeli aktual shqiptar ka përsosur artin e autokracisë së sofistikuar i cili përfshin kapjen e institucioneve të pavarura, të drejtësisë dhe mbi të gjitha kontrollin e ekonomisë përmes koncesioneve, tenderave dhe klientelizmit. E gjitha kjo ka krijuar një strukturë ku pushteti politik dhe ai financiar janë shkrirë në një trup të vetëm. Opozita, e copëtuar shpesh nga interesat e ngushta dhe e goditur nga presioni sistematik, e ka pasur të pamundur të shfaqet si alternativë e besueshme, duke i dhënë jetë një sistemi faktik njëpartiak, pavarësisht ekzistencës formale të shumë partive në letër.  Në këtë panoramë mbytëse, reaksioni i vetëm i shëndetshëm shoqëror ka ardhur nga brezi i ri. Për të rinjtë shqiptarë, ky model nuk përfaqëson thjesht një politikë të keqe, por mbi të gjitha mohim të ekzistencës. Kur çdo vend pune në administratë, çdo mundësi karriere dhe çdo perspektivë jetësore kushtëzohet nga tesera e partisë ose patronazhizmi, atëhere meritokracia vdes.

Të rinjtë po kërkojnë thyerjen e këtij modeli jo thjesht për ideale abstrakte, por sepse kuptojnë se alternativat e tyre janë vetëm dy: ose të pranojnë të jenë skllevër të një sistemi klientelist, ose të marrin rrugën e mërgimit. Largimi masiv i trurit dhe krahut të punës është shndërruar në formën më të fuqishme të mosbindjes civile ndaj një regjimi që ka konsumuar të ardhmen e tyre. Por kur kanalet e dialogut institucional mbyllen njëri pas tjetrit dhe çdo mundësi e ndryshimit demokratik përmes votës goditet nga tentakulat e një sistemi të kalbur, pacifizmi pa kushte shndërrohet në nënshtrim. Sot, Shqipëria duket se ka arritur pikën e vlimit. Muret e kështjellës autokratike janë bërë kaq të ngurta, saqë protestat qytetare tradicionale dhe paqësore janë injoruar, përqeshur apo neutralizuar nga një aparat shtetëror që nuk e dëgjon më gjuhën e arsyes. Në këtë realitet të mbytur, përshkallëzimi i protestës dhe shfaqja e dhunës nuk shihen më thjesht si akte të papranueshme, por si një pasojë e pashmangshme e dëshpërimit shoqëror dhe e ngërçit total. Kur një regjim refuzon t’i përgjigjet vullnetit të qytetarëve përmes ligjit dhe institucioneve, ai vetëlegjitimon shpërthimin e pakënaqësisë. Përshkallëzimi i tensionit bëhet kështu gjuha e vetme e mbetur për të tronditur themelet e një pushteti që ndryshe nuk lëviz; një shkundje drastike që dëshmon se durimi popullor ka një fund dhe se asfiksimi nuk mund të pranohet më në heshtje.

Pse Ballkani po lëviz, ndërsa Shqipëria mbetet peng i të njëjtit cikël? Përgjigjja qëndron pikërisht te rrënjosja e thellë e këtij sistemi të ngritur që nga viti 2008 dhe te frika e një regjimi nga humbja e privilegjeve. Kontrolli total mbi ekonominë u ka dhënë atyre që qeverisin burime të pafundme për të blerë, manipuluar dhe deformuar vullnetin e lirë. Megjithatë, historia dëshmon se asnjë ishull autokracie nuk mund t’i bëjë ballë përgjithmonë erës së ndryshimit, sidomos kur zjarri i revoltës prek kufijtë e vetepërmbajtjes. Shqipëria mund të jetë stacioni i fundit i këtij treni rajonal, por pikërisht ky pozicion e bën detyrimin e përmbysjes një imperativ jetik kombëtar: sepse ose ky model do të thyhet nga forca e lirë e qytetarëve dhe e të rinjve, ose vendi do të përfundojë përfundimisht si relikja më e trishtë e një Ballkani i cili hap pas hapi po e lë autokracinë pas.

/Gazeta Panorama