Prof. Romeo Gurakuqi: “Projekti i Republikës së Pestë të Shqipërisë”
Me datën 27 tetor 2026, në Akademia e Shkencave e Shqipërisë u zhvillua Konferenca Shkencore mbi Kushtetutën e vitit 1976 dhe efektet e saj në shoqërinë shqiptare. Në këtë konferencë kam mbajtur referatin e titulluar: Miti i pesë republikave në Shqipëri: Vijimësia e pushtetit dhe nevoja e reformës kushtetuese në Shqipërinë e vitit 2026.
Pyetja e shtruar për shqyrtim është nëse në Shqipëri ia kemi arritur ta ndërtojmë plotësisht Republikën në kuptimin liberal-demokratik: një respublica në të cilën pushteti ndahet, kontrollohet dhe i përgjigjet sovranit. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të bëjmë fillimisht një retrospektivë të shkurtër të rrugës republikane të shtetit shqiptar.
Në numërimin konvencional të përdorur në këtë kumtesë, Republika e Parë është ajo e viteve 1925–1928, e shpallur pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet dhe e përfunduar me vendosjen e Monarkisë. Kjo Republikë qe ndërtuar enkas për eliminimin definitiv, në planin e të drejtës së brendshme kushtetuese, të Mbretit të parë të kohës Moderne, Wilhelm von Wied dhe krijimin e kushteve për themelimin e një Mbretnie të re, që nuk kishte lidhje me fisikërinë Arbnore para Osmane.
Pas ndërprerjes së formës republikane prej Monarkisë së Dytë, pushtimit Italian (Monarkia e Tretë) dhe Luftës së Dytë Botërore, më 11 janar 1946 u shpall Republika Popullore e Shqipërisë, e institucionalizuar nga Kushtetuta e 14 marsit 1946. Kushtetuta e vitit 1976 e riemërtoi shtetin Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Në klasifikimin e paraqitur, këto dyja mund të numërohen si Republika e Dytë dhe e Tretë për shkak të dy momenteve të dallueshme kushtetuese, por duhet thënë qartë se ato përfaqësojnë dy etapa të së njëjtës vijimësi diktatoriale dhe jo dy regjime politikisht të ndara.
Republika e Katërt nis me përmbysjen e rendit njëpartiak dhe vendosjen e pluralizmit në vitet 1990–1991. Ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese” i vitit 1991 vendosi themelet e republikës parlamentare të tranzicionit; Një vëmendje e posaçme në trajtimin e kësaj periudhe i kushtohet Projekt-Kushtetutes së vitit 1994, ku u shfaqen për herë të parë, në elitën drejtuese të atëhershme, prirjet që u kurorëzuan në një mënyrë të kamufluar, me metoda e teknika të ndryshme në vitin 2008: Shqipëria, sipas projektit 1994, mbetej formalisht republikë parlamentare dhe presidenti zgjidhej nga Parlamenti, por pesha e kompetencave presidenciale ngrihej paradoksalisht në pushtete të një republike gjysem-presidenciale, duke ngritur pyetje mbi ekuilibrin real që do të mund të mund të krijohej brenda ekzekutivit: Cili do të ishte agjenti principal i mandatuar realisht nga sovrani dhe kush e ushtronte realisht atë funksion?
Tentativa për një Kushtetutë të plotë në vitin 1994 dështoi në referendum, ndërsa Kushtetuta e vitit 1998 e konsolidoi juridikisht këtë rend parlamentar. Pikërisht kjo Republikë, e ndryshuar ndjeshëm në arkitekturën e saj nga ndërhyrjet kushtetuese të vitit 2008, është sistemi brenda të cilit jetojmë edhe sot.
Në kumtim u paraqiten të skeduara diferencat mes Kushtetutes se vitit 1998 dhe ndryshimeve të vitit 2008.
Kësisoj, të gjithë lëkundshmërinë e kuadrit konstitucional 1991-2026 e kam lënë në arsyetim si Republika Parlamentare, teorikisht me spikatje të Parlamentit, në praktike, me spikatje te Kryeministrave me radhë.
Republika e Pestë, në arsyetimin tim, nuk është ende një etapë, është vetëm një pritshmëri për ristabilizimin e sistemit kushtetues të Republikës. Ajo është Repubkika e Ardhshme, është projekti i një reformimi të domosdoshëm: një rend kushtetues që duhet të korrigjojë dobësitë e grumbulluara të Republikës Parlamentare të deformuar nga vullnetet subjektive, të rikthejë kontrollin dhe balancën reale ndërmjet pushteteve, të forcojë përgjegjësinë e përfaqësimit dhe të ndërtojë mekanizma që pengojnë përqendrimin e pushtetit në një individ, një parti ose një shumicë të vetme. Në këtë kuptim, kronologjia që po përdor nuk është thjesht numërim emërtimesh, por një mënyrë për të matur se sa është afruar ose larguar shteti shqiptar, në secilën etapë, nga kuptimi i mirëfilltë i res publica-s.
Vendi ndodhet para nevojës për një kushtetutë të re, të detajuar, të hollësishme dhe korrigjuese të sëmundjeve që po e bëjnë të vuajë Shtetin e Shqipërinë, një kushtetute që rindërton unitetin tonë të brendshëm nacional dhe kulturorë, mundëson nje ndarje te re te kolegjeve elektorale bazuar jothjesht mbi numrat e popullsise, por me perfaqesimin e krahinave dhe emigracionit.
Shqipëria aktualisht me kushtetutë është një Republikë e pastër Parlamentare, teorikisht me mbizotërim të Parlamentit, mirëpo, deformimet e lartpërmendura, sistemi zgjedhor proporcional rajonal, kontrolli politik i parlamentit, mazhorancave dhe opozitave nga kryetarët e partive politike, e kanë shndërruar praktikisht në këto 35 vite, në kundërtshim me kuadrin kushtetues, në një Republikë Parlamentare me spikatje të Kryeministrit, ngjashëm me ato sisteme parlamentare që i prodhon sistemi zgjedhor mazhoritar.
Rrugëzgjidhja:
Dy alternativa dhe një procedure e rakorduar mes partive politike, e ndermjetësuar prej elites intelektuale shqiptare:
1.Në qoftë se parimisht, do të mendohet që të ruhet Republika Parlamentare, dmth, të Rivendoset Kushtetuta e vitit 1998, ajo do të mund të shndërrohet, së paku, në Parlamentary with President, sepse kështu siç është, ndodhet në impasse dhe në pamjaftueshmëri totale vepruese. Në këtë rast, ndryshimi kryesor që mund të bëhen në sistemin tonë, është zhvendosja e pozicionit të Kreut të Shtetit, nga një institucion i dobët, në një institucion të fuqishëm në mënyrë të moderuar, gjë që është e mundur edhe për sistemet parlamentare, me mjaft shembuj në Europë. Rasti më tipik është ai Italian, ku Presidenti i Republikës është një organ monokratik, i paanshëm, apolitik, që nuk ushtron funksione aktive të qeverisë, por ka detyrën e rëndësishme, për të vëzhguar nga sipër të gjitha pushtetet dhe ekuilibrat e parashikuara nga Kushtetuta midis organeve të ndryshme të shtetit.
Synimi vëzhgues është, që presidenti të kontrollojë që asnjë institucion të mos mbivendoset mbi të tjerët dhe të verifikojë, që janë të kontrollueshme parimet dhe vlerat themeltare të sanksionuara nga vetë themeli i shtetit. Në rast se, do të vendoset që Republika jonë të mbetet edhe në vijim një Republikë Parlamentare, ajo duhet të bëhet edhe me një institucion Presidencial të fuqishëm, rolit i Kreut të Shtetit do të duhet të ridimensionohet; atij do të duhet t’i artikulohen dhe shtohen qartë pushtete të rëndësishme, të cilat lidhen me funksionet legjislative, ekzekutive, dhe njëkohësisht pushtetet ndërmjetësuese e të vëzhgimit të interesave të Publikut, që më situatën aktuale juridiko-konstitucionale janë munguese.
2. Opsioni i dytë është një President me legjitimitet të veçantë, të prejardhun nga vota popullore, por pa pushtet qeverisës, ndërsa kabineti mbetet politikisht përgjegjës para Kuvendit. Modeli Slloven paraqitet i pershtatshem per Shqiperine.
Në terma të thjeshtë, reforma mund të ketë dy nivele: një variant më të kufizuar, që rikthen dhe forcon garancitë presidenciale brenda parlamentarizmit; ose një variant më të thellë, me zgjedhje të drejtpërdrejtë të Presidentit dhe funksion korrektiv. Në të dyja rastet, qeveria mbetet përgjegjëse para Kuvendit.
Presidenti që kam parasysh duhet të ketë autoritet për të lehtësuar zgjidhjen e bllokimeve dhe detyrim për të respektuar kufijtë e funksionit të vet. Qeveria duhet të përcaktojë politikat dhe të japë llogari para Kuvendit. Presidenti nuk duhet të drejtojë një program paralel qeverisës, ose të zëvendësojë shumicën parlamentare sipas preferencës së tij apo të pretendojë se mandati popullor e vendos mbi institucionet e tjera.
Në modelin që propozoj, ndryshon mënyra e zgjedhjes së presidentit, ose sipas parashikimeve te Kushtetutes së vitit 1998, ose drejtëdrejte nga populli. Ndryshojnë, gjegjësisht përforcohen pushtetet: ndërmjetësimi presidencial duhet të mbështetet në konsultime të hapura dhe të dokumentuara. Formimi i qeverisë duhet të pasqyrojë shumicën parlamentare; vetoja pezulluese duhet të mbetet e kapërcyeshme sipas një procedure të qartë; ndërsa shpërndarja e Kuvendit duhet të lidhet me raste të përcaktuara shprehimisht të bllokimit kushtetues dhe krizave të renda të rendit publik. Për secilin veprim duhen afate, arsyetim dhe mekanizma kontrolli. Presidenti duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë kushtetuese për tejkalimin e kompetencave.
Faza kalimtare dhe procedura e reformës kushtetuese
Propozimi është për një fazë të rivendosjes kushtetuese, që do të synojë të krijojë kushtet politike të ndryshimit brenda rendit juridik në fuqi. Termi «rivendosje» i referohet efektivitetit të garancive dhe të kontrollit, jo pezullimit të Kushtetutës. Çdo marrëveshje duhet të mbështetet te institucionet dhe procedurat që ajo njeh.
Reforma fiton kuptim vetëm nëse ndryshon edhe kushtet në të cilat prodhohet përfaqësimi. Ajo duhet të forcojë autonominë e deputetit, demokracinë e brendshme të partive, kontrollin e opozitës dhe neutralitetin e administratës, Policise se Shtetit, menyres se financimit te partive politike dhe fushatave elektorale.
Pavarësia e drejtësisë duhet të mbrohet nga çdo marrëveshje politike. Por nevoja për gjykatës të kulturuar, të lexuar dhe të sjellshëm në komunikim me qytetaret, mbetet një emergjence dhe nje standard për t’u plotësuar, ne Shqiperine qe vuan nga arroganca e gjykatesve dhe perkulja e tyre servile ndaj Politikes, sipas radhes. Po ashtu ashtu, një Parlament më i aftë intelektualisht dhe qytetarisht, për të kërkuar llogari dhe një qytetar me ndikim më real mbi zgjedhjen e përfaqësuesve janë kushte të domosdoshme të projektit që mund ta konsiderojmë “Projekti i Republikës së Pestë të Shqipërisë”.