Albspirit

Media/News/Publishing

Alket Veliu: Çështja Çame sipas koncepteve filozofike të Antonio Gramshit

Tragjeditë historike shpesh nuk përcaktohen vetëm nga madhësia e dhunës fizike, por edhe nga suksesi iharresës, apo amnezisë historike që vjen pas saj, fshirja e vetëdijshme e ngjarjeve të rëndësishme të sëkaluarës, veçanërisht atyre që përfshijnë padrejtësi, shtypje, apo konflikte. Në këtë përmbysje të paradigmës historike, autoriteti i së vërtetës zëvëndësohet me të vërtetën e autoritetit, sipas një rendi të fshehtë të miopive nacionaliste. Çdo çështje historike natyrisht duhet të zgjidhet nga historia për të mos mbetur në pozitën e metafizikës së vonuar. Harresa dhe shkëputja e arsyes nga historia përfaqësojnë njënga krizat më të mëdha të identitetit dhe mendimit modern, ku parimet racionale dhe vlerat universale trajtohen si të pavarura nga koha, kultura dhe zhvillimet konkrete historike.

Në këtë kontekst, Çështja Çame, parë si gjenealogji dhe si kujtesë etnike, përbën një nga plagët më pak të trajtuara në dritën e filozofisë politike moderne.

Nëse do të analizonim çështjen çame përmes koncepteve të Antonio Gramshit, (filozof, politikan, gazetar dhe shkrimtar italian, i njohur si një nga mendimtarët me ndikim të madh të shekullit të XX, arbëresh i vetdeklaruar me prejardhje nga Epiri), mbi “Subalternët”dhe “Hegjemoninë Kulturore”, fati i çamëve në rrjedhat kohore do të shihej i zhveshur nga patetizmi sipërfaqësor, duke u shfaqur si një shembull klasik i dhunës strukturore të shtetit-komb modern, me ekzistencën e tij të mëvetësishme. Ashtu si “Subalternët” që trajton A. Gramshi, çamët janë një grup shoqëror apo etnik tërësisht i përjashtuar nga strukturat e pushtetit dhe, mbi të gjitha, të privuar nga mundësia për të treguar historinë e tij. Kujtojmë që çështja çame lindi më herët se dëbimi i dhunshëm dhe spastrimi etnik i popullsisë shqiptare myslimane nga Çamëria gjatë viteve 1944–1945 nga forcat shoviniste greke dhe lidhet me ndërgjegjen dhe përkatësinë shqiptare.

Popullsia çame u shndërrua në “subalternë” e dyfishtë. Në Greqi, pas dëbimit, ekzistenca fizike e çamëve dhe trashëgimia e tyre shekullore u fshinë nga regjistrat zyrtarë, ndërsa pronat iu nënshtruan sekuestrimit shtetëror.

Në Shqipërinë komuniste, fati i tyre nuk qe më i mirë. Regjimi i trajtoi ata me dyshim ideologjik, duke e lënë pa zë kërkesën e tyre legjitime për rikthim. Çamët u privuan nga e drejta për të pasur një zë politik të pavarur, duke u dënuar me një ekzil jo vetëm gjeografik, por edhe historiografik.

Sipas teorisë së Gramshit mbi “Hegjemoninë Kulturore”, shteti nuk qeveris vetëm me dhunë militare dhe policore (shoqëria politike), por kryesisht duke dominuar opinionin publik dhe narrativën historike (shoqëria civile).

Athina zyrtare ndërtoi dhe eksportoi me sukses një narrativë hegjemone kundër integritetit etnik të çamëve, ku i gjithë popullata çame u etiketua kolektivisht si “bashkëpunëtore e fashizmit” me një dispozitiv të falsifikuar juridik, pasi përmban ndryshime të qëllimshme të së vërtetës me qëllim që të prodhojë pasoja juridike të paligjshme.

Me gjithë këtë agresivitet ksenofobik dhe manipulim të qëllimshëm, masakrat mbi popullsinë civile të pambrojtur dhe spastrimi etnik në Çamëri u toleruan apo u kaluan në heshtje nga komuniteti ndërkombëtar. Përmes kontrollit të hegjemonisë diplomatike dhe akademike, shteti grek arriti ta kthente një krim kundër njerëzimit në një “çështje të mbyllur” ligjërisht dhe moralisht. Madje duke i dhënë vetes të drejtë të provokojë përndezjen e pasioneve nacionaliste për të ashtuquajturin “Vorioepir”.

Pse çështja çame ka mbetur e pazgjidhur dhe e izoluar në sirtarët e historisë?

Pas dëbimit, të mbijetuarit u detyruan të luftonin për ekzistencë minimale ekonomike, duke mos pasur mundësi të prodhonin një elitë mendimtarësh, juristësh dhe diplomatësh të aftë për të sfiduar narrativën shtetërore greke në arenën ndërkombëtare. Duhet thënë që shteti shqiptar jo vetëm që nuk u investua në këtë drejtim, por përkundrazi nuk mori asnjë përgjegjësi apo detyrim mbi çamët. Edhe pas rënies së komunizmit, shteti shqiptar nuk tregoi asnjë vullnet të qartë për të ndërtuar një strategji kombëtare lidhur me çështjen çame duke iu nënshtruar presionit grek për ta lënë këtë çështje në heshtje. Përpjekjet e Shoqatës Patriotike Çamëria krijuar në 1991, e cila afroi rreth vetes intelektualë të zëshëm dhe rizgjoi aspiratat e çamëve për kthim në shtëpitë e veta, nuk arritën t’i imponojë qeverisë shqiptare adaptimin e çështjes çame në agjendën diplomatike. Përpjekjet mbetën të fragmentuara dhe shpesh të instrumentalizuara për votat e ditës nga partitë politike, pa u shndërruar në një strategji kombëtare e mirëfilltë. Fokusi te përfaqësimi politik dhe sigurimi i ulëseve në Parlament, edhe pse i rëndësishëm, la në plan të dytë faktin se Çështja Çame kishte nevojë për një dimension shumë më të gjerë përfaqësimi. Përfaqësimi politik është një instrument i rëndësishëm, por ai nuk mund të jetë themeli i vetëm mbi të cilin mbështetet një çështje historike dhe kombëtare.

Krijimi i kapaciteteve dhe i një infrastrukture të qëndrueshme të dijes dhe të argumentit, të aftë për të artikuluar profesionalisht të drejtat e çamëve në planin historik, juridik, kulturor dhe ndërkombëtar, duhej dhe duhet të jetë një nga përgjegjësitë kryesore të elitës çame.

Sepse lind një pyetje thelbësore: çfarë ndodh me Çështjen Çame nëse përfaqësimi politik dobësohet, dështon apo humbet besimin e vetë popullatës? Një e drejtë historike nuk mund ta lidhë ekzistencën e saj me fatin e një partie, një mandati parlamentar apo një brezi të caktuar përfaqësuesish politikë. Prandaj sfida nuk është vetëm që çamët të kenë përfaqësues, por që Çështja Çame të ndërtojë kapacitetin për të përfaqësuar vetveten, pavarësisht koniunkturave politike.

Jo monopolit mbi historinë!

Çështja Çame nuk është thjesht një konflikt vjetër i vitit 1944. Ajo është dëshmi e gjallë e asaj se si shtetet moderne përdorin forcën e anti-egalitarizmit ligjor, duke injoruar parimin sipas të cilit të gjithë njerëzit duhet të jenë plotësisht të barabartë përpara ligjit, pavarësisht nga raca, gjinia, feja, apo prejardhja e tyre shoqërore.

Në këndelljen e ekskluzivizmit etnik lulëzon edhe propaganda për të fshirë të vërtetat e të shtypurve dhe përjashtimin e grupeve të tjera etnike nga të drejtat, privilegjet ose pjesëmarrja shoqërore, duke favorizuar vetëm një grup të caktuar etnik.

Ekziston edhe një pushtet më i padukshëm dhe ndonjëherë më jetëgjatë: pushteti për të përcaktuar se çfarë një shoqëri duhet të kujtojë dhe çfarë duhet të harrojë.

Ndoshta pikërisht këtu duhet të fillojë një fazë e re e Çështjes Çame.

Jo duke kërkuar monopolin e historisë, por duke kundërshtuar monopolin mbi të. Jo duke kërkuar që një narrativë të zëvendësohet verbërisht nga një tjetër, por duke kërkuar hapjen e arkivave, ballafaqimin e dokumenteve, individualizimin e përgjegjësive, rikthimin e zërave të munguar dhe të drejtën që historia të shqyrtohet përsëri.

Pajtimi i vërtetë nuk ndërtohet mbi heshtjen, por fillon kur të dyja palët pranojnë se historia nuk mund të jetë pronë ekskluzive e askujt. Vetëm kur çamët do të rifitojnë zërin e vet, historia e tyre do të pushojë së qeni një fantazmë dhe do të kthehet në drejtësi.