Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: SISTEMI QË HËNGRI BIJTË E VET

Në historinë e artit shqiptar ka një grup artistësh, pionierë të ekranit dhe të artit skenik, jeta e të cilëve dëshmon se si një sistem, për të cilin kishin luftuar, punuar apo besuar, u kthye kundër vetë bijve të tij.

Viktor Stratobërdha, Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli, Petro Marko dhe Mandi Koçi (MAK) janë emra që, në forma dhe rrethana të ndryshme, përjetuan përplasjen tragjike me regjimin komunist.

Disa prej tyre kishin marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të tjerë kishin besuar te idealet e komunizmit. Por angazhimi i tyre nuk i mbrojti nga përndjekja, burgimi, përjashtimi apo shkatërrimi i jetës personale dhe profesionale.

Viktor Stratobërdha , Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli, Petro Marko dhe Mandi Koçi përfaqësojnë histori të ndryshme, por me një pikë të përbashkët: përplasjen e artistit me një pushtet që kërkonte t’i nënshtronte krijuesit.

Drama e Mandi Koçit, pionierit të kamerës në filmin shqiptar, është veçanërisht tronditëse. Ish-partizani komunist fotograf i shtabit te përgjithshëm  përfundoi në burg dhe vuajti për vite të gjata, deri në vitet ’80. Pasojat e goditjes së tij prekën edhe familjen, përfshirë bashkëshorten ruse. I moshuar dhe i rrënuar nga vuajtjet, pas daljes nga burgu, ai e mbylli jetën në një azil.

Këto nuk janë thjesht fate individuale. Janë dëshmi të një tragjedie historike, në të cilën sistemi u kthye kundër njerëzve që dikur i kishin shërbyer, duke mos kursyer as kontributin, as talentin, as sakrificat e tyre.

Për Petro Markon, Viktor Stratobërdhën kam publikuar diçka në Facebook,  ndërsa për Spahivoglin dbe Mandi Koçin po shkruaj për të parë nuk di përse  me kaq vonesë.

Jo vetëm për t’i kujtuar si artistë, por edhe për të dëshmuar për njeriun që fshihej pas emrit të tyre.

Sepse historia e artit nuk shkruhet vetëm me veprat që mbeten. Ajo shkruhet edhe me jetët që u ndërprenë, me talentet që u mohuan dhe me plagët që një sistem la pas.

Një sistem që përfundoi duke ngrënë bijtë e vet.

Kam edhe një shëmbull familjar. Një ndër ata që u masakrua nga sistemi ishte i ati i Natashës.Në një natë miku i tij Sotir Andoni, vjen e takon dhe i thotē po iki, do arratisem. Të dy i kishin baballarët në SHBA.Të dy partizanë.Sotiri do arratisej i pakënaqur nga pozicioni qē kishte në degën e punëve te brendshme në Korçë, i ati i Natashës ishte drejtor në Radio Korça..Sotiri ikën, në kufi e kapën. Pas hetimeve, shtrëngimeve nxorri emrin e Petro Lakos, personit që i kishte thënë që do arratisej. E arrestojnë të atin e Natashës ditën që lindi Natasha. Bëri dy vjet burg për mungesë vigjilence përse nuk kishte treguar që Sotir Andoni do arratisej. Ja edhe këta të dy partizanë provuan burgun dhe sigurisht gjithë jeta e privuar nga çdo gjë. Dënimet ishin një zbatim i përsosur i mësimeve të Stalinit. Ata që kishin bërë Revolucionin e Tetorit, kishin luftuar për krijimin e Bashkimit Sovjetik dhe kishin ndihmuar në ngritjen e vetë Stalinit, përfunduan të akuzuar, të burgosur, të internuar ose të pushkatuar prej tij.

Pra e njëjta praktikë, kush kishte pasur pjesëmarrje gjatë luftës njëri pas tjetrit provuan burgun internimin. Ende nuk arrij të kuptoj si funksiononte përzgjedhja apo më mirë ishte ndonjë sistem roleje apo bingo apo llotarie që shënjohej x person për t’u survejuar apo arrestuar, se janë me qindra,raste me dëshmitarë të sajuar për të bërë akuzën. Çdo njeri mund të arrestohej. Nuk kishte njeri të mbrojtur. Ishte një popull i akuzuar dhe një popull i trembur nga pasiguria. Një gjë ishte e sigurtë  njeriu nuk besonte te askush. Askushi kontrollonte gjumin.