Albspirit

Media/News/Publishing

Irma Kurti shpallet Ambasadore në botë e Universum Academy Zvicër

Irma Kurti shpallet Ambasadore në Botë e Universum Academy Switzerland. Njohja zyrtare u bë në Lugano, në ceremoninë e e drejtuar nga Dr. Roberta Di Laura në praninë e artdashësve si dhe të personaliteteve të letërsisëdheartit. Ky vlerësim i jepet shkrimtares në njohje të kontributit të saj të jashtëzakonshëm në fushën e letërsisë si autore e 124 veprave, një sukses i arritur nga pak autorë, që i ka lejuar asaj të kapërcejë kufijtë kombëtarë. Veprat e Kurtit, të botuara në 25 vende të botës kanë arritur lexues të shteteve dhe pikave të ndryshme gjeografike. Një vend të rëndësishëm zë puna si promovuese e letërsisë bashkëkohore që lidhet me rolin e saj si përkthyese dhe koordinatore në Fondacionin Ithaca në Spanjë. Irma Kurti është pjesë e stafit botues të shumë gazetave dhe revistave në gjuhën italiane dhe shqipe. Ky dimension i dyfishtë gjuhësor dhe kulturor i ka lejuar të veprojë si një urë e vërtetë midis realiteteve të ndryshme, duke lehtësuar dialogun si dhe duke krijuar bashkëpunime të rëndësishme me poetë dhe intelektualë nga e gjithë bota.

Lidhur me këtë vlerësim Kurti thotë: “Ky titull është një nder dhe përgjegjësi për mua, për të vazhduar të promovoj përmes forcës së fjalës së shkruar dhe të përkthyer vlerat e paqes dhe barazisë në botë”.

Universum Academy Zvicër, me seli në Lugano, është një organizatë joqeveritare e themeluar në Ticino në vitin 1990, e përkushtuar për të promovuar kulturën e paqes, historinë dhe traditat e popujve. Presidenti Federal dhe përfaqësuesi ligjor i shoqatës kulturore Universum Academy Zvicër është Dr. Valerio Giovanni Ruberto.

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka fituar 100 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Greqi, Liban, Kinë dhe Kore.

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Ka shkruar rreth 200 tekste këngësh në festivalet e muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër.

Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese e koordinatore pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Në vitin 2026, iu akordua Çmimi ‘Pena e Artë’ nga Shoqata Koreane e Letërsisë Botërore, në bashkëpunim me gazetën koreane ‘Culture & People’.

Irma Kurti ka botuar 124 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Poezitë e saj janë përkthyer në 40 gjuhë. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 25 vende të botës.