Frank Shkreli: Motra jena, shoqe s’jena!
Ekziston një paradoks i dhimbshëm në historinë politike shqiptare, të cilin duket se bota shqiptare ende nuk ka guximin ta analizojë deri në fund. Shqiptarët shpesh janë solidarizuar me pushtetin, edhe kur ai pushtet ka qenë në kundërshtim të hapur me lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e bashkëkombësve të tyre, të sanksionuara dhe nga konventat ndërkombëtare. Kjo nuk është dukuri e re. Gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, ndërsa mijëra shqiptarë burgoseshin, pushkatoheshin, internoheshin dhe persekutoheshin për bindjet e tyre politike, fetare apo intelektuale, një pjesë e shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, vazhdonte të solidarizohej me regjimin diktatorial komunist të Enver Hoxhës. Propaganda komuniste, bindjet ideologjike, interesat politike dhe mungesa e informacionit, gjatë dekadave, luajtën rolin e tyre. Madje, për një kohë të gjatë, edhe një pjesë e diasporës shqiptare e shihte regjimin e Tiranës përmes syzeve të propagandës komuniste, ndërsa zërat e kundërshtarëve të diktaturës shpesh mbeteshin të izoluar dhe të pambështetur.
Historia duhet të shërbejë si mësim, jo si dekor për përvjetorë. A po përsërisin shqiptarët të njëjtin gabim? Sot, pas më shumë se tri dekadash “pluralizëm politik”, përballemi me një pyetje të ngjashme. Kur studentët dhe qytetarët shqiptarë protestojnë për të drejtat e tyre, kur ata kërkojnë llogari nga pushteti dhe kur përballen me trajtime që ngrenë shqetësime për respektimin e lirive demokratike, ku është solidariteti i shqiptarëve, kudo që jetojnë, në trojet shqiptare dhe në mërgim? Le të bëjmë një krahasim: nëse një regjim serb, malazez, grek apo ndonjë regjim tjetër i huaj do të sillej me protestuesit shqiptarë në të njëjtën mënyrë, siç po sillen disa elementë të policisë shqiptare me protestuesit, a do të qëndronin shqiptarët – kudo që gjënden — indiferentë? Vështirë të besohet! Në diasporën shqiptare në Amerikë e Evropë, do të organizoheshin protesta, demonstratata, lobime, do të bëheshin deklarata dhe do të kërkohej ndërhyrja e institucioneve ndërkombëtare. Por kur problemet ndodhin brenda shoqërive tona e kur përgjegjësia bie mbi qeveritë shqiptare, solidariteti shpesh zbehet. Dhe çka është edhe më keq, ndahet sipas bindjeve partiake e politike ose zëvendësohet nga heshtja e plotë. Pse ndoshsë kjo?
Patriotizmi nuk mund të jetë në shërbim të pushtetit. Këtu qëndron, poblemi themelor: një pjesë e shqiptarëve dhe orgnaizatave të tyre, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare por sidomos në mërgim, ku gëzojnë të gjitha të drejtat e njeriut, duket se e kanë më të lehtë të identifikohen me pushtetin, cilido qoftë ai, sesa me qytetarin që kërkon të drejtat e veta themelore të njeriut, nga i njëjti pushtet.
Kjo ishte një nga tragjeditë e periudhës komuniste. Dhe nuk duhet të lejojmë që, në rrethana të tjera historike dhe politike, të përsëritet e njëjta logjikë shumë e gabuar. Nuk mund të jesh kundër shtypjes së shqiptarëve nga regjimet e huaja dhe të heshtësh kur të drejtat e tyre cenohen brutalisht nga qeveritë shqiptare. Nuk mund të kërkosh drejtësi për bashkëkombësit në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut apo Greqi, ndërsa nuk tregon të njëjtën ndjeshmëri për studentët dhe qytetarët në Shqipëri. Nuk mund të mbrosh viktimat e diktaturës së djeshme dhe të relativizosh padrejtësitë e sotme vetëm sepse pushteti ushtron padrejtsitë e një partie të cilën ti ose organizata jote simpatizon. Të drejtat e shqiptarëve nuk mund të varen nga emri, flamuri apo përkatësia partiake e atij që qeveris. Sidomos, diaspora duhet të ruajë ndërgjegjen e saj historike morale dhe atdhetare. Diaspora anti-komuniste shqiptare në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht, ka një histori të gjatë angazhimi për çështjen kombëtare. Ajo ka qenë në front të luftës kundër komunizmit gjatë luftës së ftoftë, ka mbështetur fuqimisht, Kosovën në luftë e në paqë dhe ka denoncuar shtypjen dhe ka kërkuar lirinë e shqiptarëve, kudo dhe gjithmonë.
Por kjo trashëgimi angazhimi politik nuk duhet të shndërrohet vetëm, në një kujtim të së kaluarës. Diaspora nuk mund të jetë e zëshme vetëm atëherë kur bëhet fjalë për çështje kombëtare jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa të jetë indiferente ndaj zhvillimeve demokratike në vendin amë. Nuk them se solidariteti është detyrim për të mbështetur çdo protestë, çdo slogan apo çdo kërkesë politike. Solidariteti është, para së gjithash, detyrim për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të protestuar, për të kritikuar dhe për të kërkuar llogari pa frikë nga dhuna apo ndëshkimi i pushtetit, qoftë në Tiranë apo në Prishtinë. Mësimet e historisë nuk duhen harruar. Shqiptarët kanë vuajtur shumë nga regjimet shtypëse, nga diktatura komuniste dhe nga padrejtësitë e regjimeve të huaja. Pikërisht për këtë arsye, shqipptarët,duhet të jenë ndër të parët që reagojnë kur liria dhe dinjiteti i qytetarit shqiptarë, vihen në pikëpyetje kudo qoftë, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën. Në realitetin e sotëm politiko-ushtarak në Evropë mund të kemi një standard ndaj trajtimit të shqiptarëve në trojet e veta në Ballkanin Perendimor nga regjimet e huaja dhe një tjetër standard për trajtmin e shqiptarëve vendas nga regjimet shqiptare në Tiranë ose Prishtinë. Por si një mbrojtës i viktimave të komunizmit në Shqipëri, gjatë dekadave, unë nuk mund të deklarohem që të kujtojmë viktimat e komunizmit dhe në të njëjtën kohë të hedhim në harresë selektive viktimat e padrejtësive të sotme ndaj studentve dhe qytetarve protestsues në Tiranë dhe anë e mbanë Shqipërisë. Dhe, mbi të gjitha, nuk mund ta quajmë veten komb të bashkuar nëse solidaritetin për njëri tjetrin e kushtëzojmë me interesat politike e partiake të pushtetit në fuqi, cilido qoftë ai. “Motra jena, shoqe s’jena”! Pra, a jemi solidarë kur njëri prej nesh kërkon, me të drejtë, liri dhe drejtësi? Kjo është pyetja që shqiptarët kudo, duhet t’ia bëjnë vetes, jo vetëm sot, në kohën e protestave studentore, por edhe duke parë pas në historinë e vet. Sepse një komb dhe solidariteti i tij në mbrojtje të drejtave të barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallim, nuk dëshmohet vetëm nga mënyra se si një komb kundërshton armiqtë e jashtëm të shqiptarëve. Dëshmohet gjithashtu edhe nga guximi për të mos mbrojtur padrejtësitë ndaj bashkvendasve kur ajo kryhet nga të vetët.
Diktatura e djeshme komuniste duhet të na kishte mësuar se solidariteti me pushtetin nuk është gjithmonë solidaritet me Kombin. Dhe demokracia e sotme duhet t’i mësojë shqiptarët se solidariteti i vërtetë duhet të fillojë me qytetarin, me lirinë dhe me të drejtën për të kundërshtuar pushtetin, duke protestuar, si shqiptarë për të drejtat e veta. Edhe Prishtina zyrtare gjithashtu nuk mund të kufizohet te komentet ceremoniale në lidhje me ngjarjet aktuale në Tiranë. Nëse Kosova e konsideron Shqipërinë nënë ose motër, atëherë solidariteti duhet të shprehet me mbështetje të fortë publike për të drejtën e protestës, me thirrje për dialog të drejtpërdrejtë e të sinqert me studentët duke refuzuar çdo përpjekje për t’i etiketuar ata si të manipuluar nga forca të huaja, apo të dhunshëm vetëm sepse kritikojnë pushtetin.
Studentët nuk po kërkojnë leksione patriotizmi nga askush. Ata kërkojnë universitete funksionale, tarifa të përballueshme, konvikte dinjitoze, transparencë në financim dhe mundësi reale punësimi. Këto nuk janë kërkesa radikale. Janë detyrime bazë të një shteti, anëtar i NATO-s, që pretendon të jetë demokratik dhe evropian. Mendoj se kjo është një tezë historike, veçanërisht, e rëndësishme që duhet të trajtohet, seriozisht, edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, ashtuqë të mos i përsërisë sot gabimiet e një pjese të diasporës së djeshme, e cila, në rrethana të caktuara, që solidarizuar me regjimin komunist të Tiranës dhe jo me viktimat e tij. Frank Shkreli: Një thirrje për diasporën shqiptaro-amerikane, Shqipëria ka nevojë për zërin tonë | Gazeta TelegrafKjo është një çështje që meriton debat të hapur dhe të ndershëm nga të gjithë, qoftë nga Prishtina zyrtare, qoftë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe më gjerë.