Migena Aleksi: Servilizëm i paskrupullt i oborrtarëve që gatuajnë vetë poshtërsitë e tyre
Ish-miku i ngushtë dhe kumbari i dasmës së Veliajt që i detyron këtij të fundit gjithë karrierën politike, ka vepruar si mashë e kryeministrit? Apo te figura e këtij pastori të çuditshëm, duhet parë portreti i një karrieristi të zellshëm që kërkon të tregojë besnikëri të tejskajshme ose të përfitojë nga situata për interesa personale?
Në debatin e nxehtë rreth mënyrës se sa të ndikuara janë veprimet e zyrtarëve të lartë nga vullneti i kreut të qeverisë, priremi të biem në grackën e një determinizmi të thjeshtuar. Çdo lëvizje e një ministri apo drejtuesi mendohet se është e telekomanduar nga lart. Një analizë më e ftohtë e realitetit shqiptar tregon se shpesh problemi nuk qëndron te komandat, por te zelli i tepruar, oportunizmi dhe servilizmi i atyre që duan të duken më katolikë se Papa.
Në rastin e pastorit ministër Toni Gogu, ideja se ai ka shërbyer si korrier ose zëdhënës i disa mesazheve të Edi Ramës ndaj z. Veliaj në burg, jo vetëm që e shfajëson padrejtësisht përgjegjësinë e tij personale, por edhe e nënvlerëson logjikën e vetë pushtetit aktual.
Ideja se kryeministri do të përfshihej personalisht apo do dërgonte emisarë për të komunikuar me mesazhe Veliajn si organizator të protestave shkallëzon në kufijtë e absurdit. Çfarë interesi do të kishte Rama t’i shtonte Veliajn listës së tij të “fajtorëve të mëdhenj”, ku tashmë ka radhitur gjithçka, nga skenarët me qendra subversive në Iran e Rusi, deri te grupet antifa?
Le të jemi logjikë. Ja ta zemë se Veliaj do të pranonit të vetëshpallej organizator i protestave. Kjo do të shkatërronte në sekondë vetë narrativën e ngritur me aq bujë nga kreu i qeverisë. A do të rrezikonte Rama të përgënjeshtronte po vetë narrativën e tij gjeopolitike vetëm për t’i zhvatur një pohim një të burgosuri? Një skenar i tillë nuk qëndron në asnjë logjikë pushteti.
Po kështu, edhe aludimi për një kërkesë të detyruar për dorëheqje duket tërësisht jashtë kohe (out of touch me realitetin e pushtetit). Bashkia e Tiranës komandohet dhe drejtohet prej kohësh sipas dinamikave që përcakton vullneti i qendrës. Me Veliajn brenda qelisë apo jashtë saj, Rama bën aty prej kohësh atë që dëshiron. Ndaj unë mendoj se, as kjo trysni e panevojshme për dorëheqje formale nga Bashkia nuk është produkt i një vendimmarrjeje strategjike “nga lart”.
Nëse pastor ministri i ka thënë ato që tha z.Veliaj, kjo nuk duhet kërkuar te skenaret e mëdha të kryeministrit, por te një tipar shumë më i errët dhe më i zakonshëm i politikës sonë. Karakteri i ulët dhe oportunizmi i verbër, zelli prej shërbëtori i atyre që duhet të dëshmojnë besnikëri me çdo kusht.
Njerëz të këtij kalibri nuk udhëhiqen nga parimet morale, as nga ndonjë besim i vërtetë, por nga llogaritë e vogla të karrierës. Për ta, çdo situatë tensioni apo krize është një mundësi e artë për të treguar “gatishmëri”, për të goditur dikë që ka rënë nga fiku, apo për të fituar pikë personale tek ai që mban çelësat.
U nisa për ta shkruar këtë opinion e nxitur nga shkrimi i profesor Fatos Tarifës që ngre një pyetje të drejtë mbi kufijtë e integritetit moral në politikë.
Mendoj se profesori gabon në adresimin e fajit kur beson se ministri pastor ka qenë “masha” ose korrieri i mesazheve të Edi Ramës. Në këtë pikë, besoj se i jepet Ramës një rëndësi operacionale që ai, as nuk e ka dhe as nuk ka nevojë ta ketë në këtë histori.
Nëse ka një tumor malinj në politikën tonë, siç thotë me të drejtë profesori, ai nuk ushqehet vetëm nga demagogjia e kreut, por edhe nga ky servilizëm i paskrupullt i oborrtarëve që gatuajnë vetë poshtërsitë e tyre, pa pasur nevojë t’ua kërkojë njeri./gazeta dita
https://gazetadita.al/zelli-i-tepruar-i-nje-pastori-te-cuditshem-pertej-hijes-se-edi-kryeministrit