REFLEKTIM PËR DASHURINË DHE GJURMËT QË LË HUMBJA E SAJ
Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Për novelën “Loçi” të Albert Hajnajt
Albert Hajnaj është bërë i njohur për lexuesin bashkëkohor, nga një varg veprash monografike e publicistike nga jeta e njerëzve të talentuar të industrisë kimike, marrëdhëniet e shqiptarëve me minoritetet, me vëllime me poezi, por edhe me tregime e novela, që kanë tërhequr vëmendjen e intelektualëve dhe shkrimtarëve. Novela “Loçi” është një rrëfim i gjatë realist, me një botë të thellë psikologjike e meditative.
Novela “Loçi”, e autorit Albert Hajnaj, është një vepër me karakter rrëfimtar, emocional, reflektues dhe filozofik, e cila trajton marrëdhënien e veçantë midis njeriut dhe kafshës, duke u përqendruar në lidhjen e një familjeje me një qen të vogël, të quajtur Loçi. Në pamje të parë, vepra duket si një histori e thjeshtë familjare, që tregon ardhjen e një qeni në shtëpi, jetën e përditshme me të dhe humbjen e tij. Por, në thelb, ajo trajton çështje më të gjera njerëzore: dashurinë, miqësinë, përkushtimin, besnikërinë, dhimbjen, kujtesën, humbjen dhe mënyrën se si një qenie e gjallë mund të ndryshojë jetën e njerëzve që e rrethojnë.
Autori nuk e paraqet Loçin thjesht si një kafshë shtëpiake, por si një pjesëtar të vërtetë të familjes, i cili krijon marrëdhënie të veçanta me secilin prej tyre. Prania e tij sjell gëzim, afërsi dhe gjallëri, ndërsa largimi i tij krijon një boshllëk emocional. Ideja qendrore e veprës është se dashuria e vërtetë nuk kufizohet vetëm brenda marrëdhënieve njerëzore. Ajo mund të krijohet edhe midis njeriut dhe një kafshe, duke u shndërruar në një lidhje të thellë, të sinqertë dhe të paharrueshme.
Titulli “Loçi” është i shkurtër, i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, por mbart një domethënie të madhe emocionale dhe simbolike. Ai përfaqëson emrin e qenit që bëhet protagonisti kryesor i veprës dhe qendra rreth së cilës organizohet ngjarjet. Loçi simbolizon dashurinë e pakushtëzuar, sepse afrohet me familjarët pa kërkuar asgjë tjetër përveç kujdesit dhe pranisë së tyre, besnikërinë, sepse qëndron pranë familjes dhe përpiqet ta mbrojë atë, pafajësinë dhe pastërtinë shpirtërore, sepse marrëdhëniet e tij nuk karakterizohen nga interesa apo llogari. Prania e tij krijon më shumë momente të përbashkëta, kujtesën, sepse edhe pas largimit të tij, ai vazhdon të jetojë në mendimet dhe ndjenjat e personazheve.
Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Tiranë dhe rrëfehen nga Lerti, një inxhinier ndërtimi, i cili tregon përvojën e tij familjare me qenin Loçi. Në fillim, autori na njeh me miqësinë midis Lertit dhe fqinjit të tij, Tasos, një veteriner i apasionuar pas profesionit. Tasua bëhet personi që propozon ardhjen e një qeni në familjen e Lertit. Fillimisht, Lerti nuk është i bindur, ndërsa vajza e tij, Nela, e dëshiron shumë qenushin. Edhe Mara, bashkëshortja e tij, shfaq kundërshtim të fortë. Megjithatë, pas këmbënguljes së Nelës, familja vendos ta marrë qenushin.
Kështu fillon jeta e tyre me Loçin. Në fillim, familjarët mësohen gradualisht me praninë e tij. Ata u kujdesën për ushqimin, shëndetin, pastërtinë dhe nevojat e tij. Me kalimin e kohës, Loçi bëhet pjesë e pandashme e familjes. Nela e sheh si shokun e saj, Mara lidhet me të pothuajse si me një fëmijë, ndërsa Lerti krijon një miqësi të veçantë, duke e marrë me vete në shëtitjet e përditshme. Jeta familjare ndryshon. Loçi bëhet pjesë e aktiviteteve, udhëtimeve dhe momenteve të zakonshme të ditës. Edhe njerëzit e lagjes fillojnë ta njohin dhe ta duan. Megjithatë, vepra tregon edhe vështirësitë, përgjegjësitë, shqetësimet shëndetësore, konfliktet me fqinjët dhe përkushtimin që kërkon kujdesi ndaj një kafshe.
Një moment i veçantë është takimi i Loçit me ish-pronaren e tij, e cila kishte ardhur nga jashtë vendit. Ky episod zbulon se qeni ruan instinktivisht kujtimet dhe lidhjet e mëparshme. Më vonë, Loçi sëmuret rëndë. Familja përpiqet ta shpëtojë, duke e çuar në spital dhe duke qëndruar pranë tij. Megjithatë, ai nuk arrin të mbijetojë. Vdekja e tij shkakton dhimbje të madhe te të gjithë, sidomos te Mara, Nela dhe Lerti.
Pas humbjes së tij, Nela merr një vendim të rëndësishëm: të largohet nga studimet e mjekësisë dhe të vazhdojë studimet për veterinari, në mënyrë që t’u shërbejë kafshëve në kujtim të Loçit. Historia merr një dimension tjetër kur Nela i tregon shoqes së saj, Edës, për jetën dhe varrimin e Loçit. Disa banorë të fshatit ku ishte varrosur qeni kishin filluar ta vizitonin varrin e tij, duke ndezur qirinj dhe duke lënë lule. Në fund, Lerti merr një letër nga Tasua, i cili shpreh ngushëllimet e tij dhe reflekton mbi përgjegjësinë që ka pasur për t’i përgatitur më mirë miqtë e tij për jetën me një kafshë shtëpiake dhe për humbjen e pashmangshme të saj.
Proza ka një ndërtim kryesisht kronologjik, por edhe reflektues. Ngjarjet zhvillohen sipas rendit kohor, ndërsa rrëfimtari ndërpret herë pas here historinë për të dhënë mendime personale, përvoja, shpjegime dhe reflektime filozofike. Kjo strukturë ndërtohet mbi disa nyje të fuqishme kompozicionale të zgjeruara me episode të tilla si: miqësia me Tason dhe propozimi për të marrë një qen, ardhja e Loçit në familje dhe kundërshtimet fillestare, njohja, përshtatja dhe krijimi i lidhjeve emocionale, jeta e përditshme me Loçin, shëtitjet dhe episodet familjare, sëmundja dhe humbja e qenit, jeta pas humbjes dhe vendimi i Nelës për të studiuar veterinari, historia e varrit të Loçit dhe besimet popullore, letra e Tasos dhe reflektimi për përgjegjësinë e humbjes.
Kjo strukturë krijon një zhvillim emocional: nga njohja dhe gëzimi, te lidhja e thellë, dhimbja dhe përfundimisht, te kujtimi dhe reflektimi. Episodet e ndërfutura e zgjerojnë veprën dhe e bëjnë atë më shumë se një histori të zakonshme familjare. Loçi është personazhi qendror dhe figura rreth së cilës ndërtohet e gjithë novela. Ai është një qen i vogël, i racës “Terrier” sipas të dhënave të rrëfimit, me pamje të veçantë, lesh të gjatë dhe veshë të varur. Megjithëse nuk komunikon përmes fjalëve, ai shpreh ndjenjat instinktive nëpërmjet shikimeve, lëvizjeve, sjelljeve dhe reagimeve. Me besnikërinë e tij ai krijon lidhje të forta me familjen e ndërsa për këtë kërkon përkëdhelje, vëmendje dhe shoqëri, gjithashtu reagon ndaj gjendjes emocionale të familjarëve, nuk e duron vetminë dhe kërkon praninë e njerëzve.
Në aspektin simbolik, Loçi përfaqëson dashurinë e pastër, besnikërinë dhe aftësinë për të krijuar lidhje pa interes. Ai bëhet një pasqyrë përmes së cilës autori vë në dukje edhe sjelljen dhe ndjeshmërinë e vetë njerëzve. Lerti është personazhi nëpërmjet të cilit lexuesi njeh dhe përjeton ngjarjet. Ai është inxhinier ndërtimi, bashkëshorti i Marës dhe babai i Gonit e Nelës. Në fillim paraqitet si njeri praktik, racional dhe disi skeptik ndaj idesë së mbajtjes së një kafshe në shtëpi. Me kalimin e kohës, qëndrimi i tij ndryshon dhe ai krijon një miqësi të veçantë me Loçin, si vëzhgues analizon sjelljet e Loçit dhe të njerëzve përreth, po kështu, ai mbetet ironik dhe plot humor, si dhe i ndjeshëm.
Kontrasti kryesor në karakterin e tij është përplasja midis arsyes dhe ndjenjës. Ai nuk beson plotësisht në shpjegimet mistike të Marës, por pas humbjes së Loçit dëshiron të besojë se qeni mund të ketë pasur një mision të veçantë. Mara, bashkëshortja e Lertit, në fillim kundërshton ardhjen e qenit në shtëpi, por shumë shpejt qëndrimi i saj ndryshon. Ajo fillon ta përkëdhelë Loçin, kujdeset për të, e ushqen, e lan dhe i siguron gjithçka që i nevojitet. Krijon me të një lidhje pothuajse amësore. Mara përfaqëson anën emocionale dhe besimtare të njeriut, në kontrast me natyrën më racionale të Lertit.
Nela është vajza e Lertit dhe Marës. Ajo dëshiron që në fillim të marrë një qen në shtëpi dhe krijon me Loçin një lidhje shumë të fortë. Humbja e tij e prek aq shumë, sa vendos të ndryshojë drejtimin e studimeve dhe të vazhdojë në veterinari. Nëpërmjet Nelës, autori tregon se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm një ndjenjë, por mund të shndërrohet në një qëllim dhe në një veprim konkret. Ajo përfaqëson dashurinë e sinqertë, përkushtimin ndaj kafshëve, ndjeshmërinë, dhembshurinë dhe vendosmërinë.
Tasua, fqinji dhe miku i Lertit, veteriner dhe pedagog në Institutin Bujqësor, nxit familjen të marrë Loçin dhe i ndihmon të kuptojnë mënyrën e duhur të kujdesit për të. Në fund, përmes letrës së tij, ai reflekton mbi përgjegjësinë dhe pranon se mund t’i kishte përgatitur më mirë miqtë për jetën me një qen dhe për dhimbjen e humbjes. Autori tregon se dashuria nuk është vetëm një marrëdhënie midis njerëzve, por mund të ekzistojë edhe midis njeriut dhe kafshës. Loçi nuk është thjesht një kafshë që mbahet në shtëpi, por një qenie me të cilën familja krijon marrëdhënie të thella emocionale.
Loçi paraqitet si një shok i vërtetë i familjes. Ai kërkon praninë e njerëzve dhe nuk dëshiron të mbetet vetëm. Miqësia midis Lertit dhe Tasos është një tjetër shprehje e kësaj teme, e ndërtuar mbi sinqeritetin, respektin dhe ndihmën reciproke. Sëmundja dhe vdekja e Loçit tregojnë se humbja e një qenieje të dashur mund të shkaktojë dhimbje të thellë. Familja nuk humbet thjesht një kafshë shtëpiake, por një pjesëtar që ka qenë i pranishëm në jetën e saj të përditshme. Loçi ndikon në marrëdhëniet familjare, krijon më shumë momente të përbashkëta dhe bëhet një pikë lidhëse midis pjesëtarëve. Edhe pas largimit të tij, kujtimi vazhdon t’i bashkojë ata.
Në novelë nuk kemi një konflikt të vetëm, por disa përplasje që zhvillohen në nivele të ndryshme, si kundërshtimi fillestar i Marës dhe hezitimi i Lertit për të marrë një qen, përballë dëshirës së Nelës apo vështirësitë që krijon prania e një qeni në ambientet e përbashkëta, sidomos për shkak të lehjes dhe marrëdhënieve me fqinjët, por edhe konflikti i brendshëm dhe emocional: përballja e familjes me sëmundjen dhe humbjen e Loçit. Konflikti kryesor është emocional: familja përballet me pamundësinë e njeriut për të kontrolluar gjithçka, pavarësisht dashurisë dhe përpjekjeve të tij.
Dashuria e vërtetë nuk njeh kufij midis qenieve të gjalla dhe nuk varet nga gjuha apo forma e komunikimit-mbetet mesazhi qendror i novelës. Gjuha e përdorur nga Albert Hajnaj është një nga elementet që i japin veprës karakterin e saj të veçantë. Ajo është e pasur, e drejtpërdrejtë, rrëfyese dhe e ndërthurur me elemente të gjuhës së përditshme, të gjuhës emocionale dhe të ligjërimit reflektues. Ngjarjet tregohen me një gjuhë që i afrohet komunikimit të zakonshëm ndërsa përdoren fjalë dhe shprehje që përcjellin emocione të ndryshme. Pasuria leksikore mund të përmblidhet në fjalë të jetës së përditshme, terma profesionalë, fjalë abstrakte dhe shprehje popullore. Dialogët krijojnë përshtypjen e një bisede të drejtpërdrejtë.
Një veçori e dukshme e novelës është përdorimi i shpeshtë i gjuhës së folur. Shprehje të tilla si: “Kaq u desh, hyri krimbi”, “Ma mori kalanë nga brenda”, “S’e mori seriozisht”, “Po punoja në boshllëk” dhe “Ik ore shoku i qenit”, e bëjnë rrëfimin të natyrshëm dhe të afërt me lexuesin. Këto shprehje tregojnë karakterin e personazheve, mënyrën e tyre të të menduarit dhe atmosferën e marrëdhënieve familjare. Përdorimi i tyre i jep novelës së Albert Hajnajt ngjyresë kombëtare dhe e lidh me traditën e komunikimit të përditshëm shqiptar.
Në tekst vërehen forma të ligjërimit bisedor si: “moj”, “ore”, “gocë”, “çun”, “hajt”, “ça bëni” dhe “të them troç”. Këto forma i japin dialogut spontanitet dhe individualizojnë të folurit e personazheve. Ato krijojnë dallim midis gjuhës së rrëfimtarit në pjesët përshkruese dhe gjuhës së personazheve në bisedat e përditshme. Sintaksa e veprës është e larmishme. Autori përdor fjali të thjeshta, të përbëra, të zgjeruara dhe fjali me shumë pjesë. Fjalitë e thjeshta përdoren kryesisht në dialogë dhe në momentet kur autori dëshiron të përcjellë një reagim të menjëhershëm. Fjalitë e gjata i japin rrëfimit ritëm të ngadaltë, reflektues dhe shpjegues, ndërsa fjalitë e shkurtra e bëjnë rrëfimin më dinamik dhe theksojnë momentet emocionale.
Stili i Albert Hajnajt është kryesisht realist, rrëfimtar, përshkrues dhe reflektues. Autori nuk i zbukuron artificialisht ngjarjet, por paraqet situata të këndshme, vështirësi dhe konflikte, duke krijuar një tablo të besueshme të jetës familjare në kohët e sotme moderne. Rrëfimi nuk mbetet vetëm në nivelin e ngjarjes. Albert Hajnaj ndalet dhe analizon atë që ka ndodhur, duke nxjerrë meditime e përsiatje të përgjithshme. Për shembull, pas paraqitjes së lidhjes së njeriut me qenin, ai kalon në shpjegime mbi prejardhjen e kësaj marrëdhënieje, historinë e zbutjes së ujkut dhe interpretimet folklorike. Kjo i jep stilit edhe karakter eseistik e filozofik.
Rrëfimi i tij paraqitet në disa plane, si: rrëfimi retrospektiv: Lerti tregon ngjarje të së kaluarës nga këndvështrimi i së tashmes. Ndërhyrja e rrëfimtarit: personazhi kryesor jep mendimet dhe gjykimet e veta, ngjarjet zhvillohen në mjedise të zakonshme dhe të besueshme qytetare. Rrëfimi zhvillohet në vetën e parë. Lerti është rrëfimtar dhe njëkohësisht pjesëmarrës në ngjarje. Kjo mënyrë i jep veprës karakter subjektiv, sepse lexuesi i njeh ngjarjet përmes përvojës, kujtimeve dhe mendimeve të tij. Përdorimi i vetës së parë krijon afërsi dhe besueshmëri.
Një aspekt që meriton vëmendje, është mënyra se si autori paraqet ndryshimin psikologjik të personazheve. Në fillim, familjarët nuk e kuptojnë se sa e fortë mund të bëhet lidhja me një kafshë. Ata e shohin ardhjen e Loçit si një ndryshim të vogël në jetën e përditshëm, por gradualisht ndodh një transformim. Novela “Loçi” e Albert Hajnajt na tregon se dashuria mund të lindë në mënyra të papritura dhe të bëhet pjesë e pandashme e jetës sonë. Loçi vjen në familjen e Lertit si një qenush i zakonshëm, por largohet prej saj, duke lënë pas një kujtim të jashtëzakonshëm.
Pjesa më prekëse e veprës është ndryshimi që pëson familja pas humbjes së tij. Veçanërisht vendimi i Nelës për të studiuar veterinari tregon se një përvojë humane mund të shndërrohet në një arsye për të bërë mirë dhe për të ndihmuar të tjerët. Autori natyrshëm përcjell mesazhin se nuk ka rëndësi vetëm sa gjatë qëndron dikush në jetën tonë, por sa shumë dashuri, kujtime dhe gjurmë lë pas. Loçi nuk mund të flasë si njeriu, por nëpërmjet sjelljes së tij arrin të tregojë besnikëri, dashuri dhe përkushtim.
“Loçi” është një novelë që e tejkalon historinë e një kafshe shtëpiake. Ajo është një reflektim mbi ndjeshmërinë njerëzore, përgjegjësinë, miqësinë dhe fuqinë e kujtimeve. Vlera e saj më e madhe qëndron në faktin se na bën të kuptojmë, se një qenie mund të jetë pjesë e jetës sonë për një kohë të kufizuar, por gjurma që lë në zemrën tonë mund të mbetet përgjithmonë.
Tiranë-Vlorë, nëntor 2026.