Albspirit

Media/News/Publishing

NINA MULA, 95 VJET NGA LINDJA E NJË PREJ ZËRAVE MË TË SHQUAR TË OPERËS SHQIPTARE

Sot, në 95-vjetorin e lindjes së saj, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor përkujton me nderim dhe mirënjohje sopranon ruso-shqiptare Nina Mula, “Mjeshtre e Madhe”, një nga figurat më të rëndësishme të historisë së artit operistik shqiptar.

Një jetë e përkushtuar muzikës, një karrierë e ndërtuar mbi talentin, disiplinën dhe dashurinë e pakushtëzuar për skenën. Nina Mula mbetet simbol i përkushtimit artistik dhe një emër i paharruar në historinë e teatrit tonë.

E lindur më 23 nëntor 1931 në Izhevsk të Rusisë, ajo kreu studimet për kanto në Konservatorin “P. I. Tchaikovsky” të Moskës, gjatë viteve 1950–1955. Në vitin 1957 erdhi në Shqipëri, vendin që do të bëhej shtëpia e saj e dytë dhe ku do të ndërtonte një karrierë të jashtëzakonshme si soliste e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Përkrah bashkëshortit të saj, artistit të shquar Avni Mula, “Nderi i Kombit”, ajo kontribuoi në pasurimin e jetës muzikore shqiptare, duke interpretuar role kryesore nga repertori operistik kombëtar dhe ndërkombëtar. Arti i saj kapërceu kufijtë e Shqipërisë përmes koncerteve dhe interpretimeve në Çekosllovaki, Rusi, Lituani, Ukrainë, Letoni e më gjerë.

Në kujtesën e publikut mbeten të gjalla interpretimet e saj si Mimì në “La Bohème”, Rosina në “Il barbiere di Siviglia”, Norina në “Don Pasquale”, Susanna në “Le nozze di Figaro”, Cio-Cio-San në “Madama Butterfly”, Leïla në “Peshkatarët e Perlave”, Violetta në “La Traviata”, Gilda në “Rigoletto”, Micaela në “Carmen”, si edhe Mrika në operën shqiptare “Mrika” dhe Donika në operën “Skënderbeu”.

Krahas karrierës skenike, Nina Mula iu përkushtua edhe formimit të brezave të rinj të artistëve. Prej vitit 1965, si pedagoge e jashtme në Institutin e Lartë të Arteve, ajo përcolli dijen, përvojën dhe dashurinë për muzikën te shumë studentë, të cilët më pas u bënë pjesë e rëndësishme e jetës artistike shqiptare dhe ndërkombëtare.

Për kontributin e saj të çmuar, u nderua me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit II, titullin “Artiste e Merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës dhe titullin “Mjeshtre e Madhe”.

Sot, 95 vjet pas lindjes së saj, emri i Nina Mulës vazhdon të jetojë në historinë e operës shqiptare, në kujtesën e publikut dhe në trashëgiminë artistike që u la brezave.

Me mirënjohje dhe respekt të thellë, kujtojmë një artiste që i dha zërin, shpirtin dhe një pjesë të madhe të jetës së saj skenës sonë operistike./Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor