Saimir Kadiu: Meditim pas dokumentarin për prefektin Qazim Mulleti…
Historia, gjykata “de facto” e njerëzimit nuk është gjithmonë e drejtë me njerëzit.
Ndonjëherë, ajo shkruhet nga fitimtarët, të cilët, pasi marrin pushtetin, kërkojnë të marrin edhe të drejtën për të përcaktuar se kush meriton të kujtohet dhe kush duhet të harrohet. Madje, jo rrallë, përpiqen të shndërrojnë kundërshtarët e tyre në karikatura, duke ua zvogëluar figurën njerëzore dhe duke ua fshirë kompleksitetin historik.
Rasti i Qazim Mulletit është një shembull që meriton të shihet përtej humorit të skenës dhe klisheve të trashëguara.
Pas vendosjes së regjimit komunist, shumë personalitete të Shqipërisë së paraluftës u trajtuan jo vetëm si kundërshtarë politikë, por edhe si objekte të një fushate të gjatë diskreditimi. Në këtë klimë, satira u bë një instrument i fuqishëm propagande.
Nëse Shefqet Musaraj përdori vargun satirik kundër Mit’hat Frashërit, Besim Levonja e përjetësoi në prozë figurën e Qazim Mulletit përmes personazhit të famshëm të Prefektit. Në të dyja rastet, arti u vendos në shërbim të një përballjeje politike dhe ideologjike.
Pse duhej kaq shumë përpjekje për t’i përqeshur dhe zvogëluar pikërisht këta njerëz?
Përgjigjja gjendet te vetë natyra e pushtetit të sapoardhur.
Mit’hat Frashëri dhe Qazim Mulleti përfaqësonin një botë tjetër: njerëz me formim intelektual, përvojë politike, kulturë evropiane dhe identitet të konsoliduar. Ata kishin bindjet e tyre, të cilat mund të kundërshtoheshin, por nuk mund të fshiheshin me një libër satirik apo me një komedi.
Qazim Mulleti nuk ishte thjesht personazhi grotesk që shqiptarët mësuan të shihnin në skenë. Ai kishte studiuar në Manastir, në Zosimea të Janinës dhe në Gallatasaraj të Stambollit. Kishte qenë pjesë e jetës politike shqiptare, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe prefekt gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dokumentet e kohës dhe studimet e mëvonshme nxjerrin në pah një profil shumë më kompleks sesa ai i komedisë.
Sigurisht, historia nuk duhet të bëhet as gjykatë rehabilitimi. Qazim Mulleti ushtroi funksione shtetërore gjatë pushtimit italian dhe veprimtaria e tij duhet vlerësuar edhe në kontekstin e bashkëpunimit me administratën e pushtuesit. Por kjo nuk i jep askujt të drejtën t’i falsifikojë portretin njerëzor dhe intelektual.
Dhe këtu qëndron dallimi thelbësor: të gjykosh një figurë historike për veprimet e saj është detyrë e historiografisë; ta shndërrosh në një karikaturë për ta bërë të urryer është diçka tjetër.
Pse pikërisht Qazim Mulleti?
Sepse propaganda kishte nevojë për një fytyrë të dallueshme, një emër të njohur dhe një personazh që mund të kthehej në simbol të gjithë botës që regjimi kërkonte të përmbyste. Komedia e Besim Levonjës, e shkruar më 1948, e bëri këtë figurë të përjetshme në kujtesën popullore, por jo domosdoshmërisht të vërtetë në kuptimin historik.
Qazim Mulleti ishte një copëz e Tiranës, e asaj Tirane bujare, fisnike, mikpritëse, të familjeve të njohura dhe me tradita të thella patriotike. Sulmi ndaj tij nuk ishte thjesht një hakmarrje ndaj një kundërshtari politik, por pjesë e një projekti shumë më të gjerë, polivalent dhe afatgjatë. Duhej goditur kujtesa, duhej përmbysur hierarkia e vlerave, duhej shkëputur qyteti nga rrënjët e veta. Nuk mjaftonte të rrëzohej një njeri; duheshin rrëzuar malet, ato male të traditës, kulturës, fisnikërisë dhe autoritetit shoqëror.
Sepse objektivi nuk ishte vetëm Qazim Mulleti. Ishte Tirana që ai përfaqësonte.
Dhe ironia më e dhimbshme është se pas personazhit të skenës te Besim Levonjes qëndronte një familje e vërtetë. Bashkëshortja Hajrie dhe djali Reshit përjetuan internimin dhe pasojat e një stigmatizimi që nuk mbeti vetëm në teatër.
Nuk është e nevojshme të jesh dakord me bindjet politike të Qazim Mulletit për të kërkuar drejtësi ndaj kujtimit të tij.
Një komb që nuk arrin t’i shohë kundërshtarët e vet me sy objektiv, nuk e njeh ende plotësisht historinë e vet.
Ndoshta ka ardhur koha që Qazim Mulleti të zbresë nga skena e karikaturës dhe të kthehet në faqet e historisë, me të gjitha meritat, gabimet, përgjegjësitë dhe kontradiktat e tij.
Sepse një personalitet nuk mund të jetë peng i përjetshëm i një komedie, ashtu siç një popull nuk duhet të jetë peng i përjetshëm i propagandës së fitimtarëve.
Ka një ironi të jashtëzakonshme në historinë shqiptare të vitit 1945: një njeri si Qazim Mulleti, të cilit fliste nëntë gjuhëve të huaja, përfundoi në shënjestrën e një pushteti që kishte vendosur të maste vlerën e njerëzve jo me kulturën, dijen dhe formimin e tyre, por me bindjen politike dhe besnikërinë ndaj fitimtarëve.
Përfytyroni kontrastin! Një njeri i formuar në mjedise arsimore e kulturore evropiane, që mund të komunikonte me nëntë gjuhë, përballë një pjese të elitës së re politike, e cila kishte më shumë etje për pushtet sesa për dije, më shumë zell për dënime sesa për libra, më shumë dëshirë për të rishkruar biografitë sesa për të shkruar historinë.
Nuk ishte thjesht një përplasje politike. Ishte edhe një përplasje kulturash: mes një bote që e kishte njohur Evropën përmes shkollimit dhe një pushteti që kërkonte ta rindërtonte shoqërinë përmes dogmës ideologjike.
Dhe, kur nuk mundën ta mposhtnin dot me argumente, e mposhtën në skenë. Besim Levonja i dha jetë një personazhi komik, ndërsa propaganda bëri pjesën tjetër: njeriu u shndërrua në karikaturë dhe karikatura zëvendësoi biografinë.
Natyrisht, të dish nëntë gjuhë nuk të bën automatikisht njeri të drejtë dhe të jesh fitimtar nuk të bën automatikisht injorant. Por asnjë pushtet nuk ka monopolin e inteligjencës dhe asnjë fitore ushtarake nuk përbën diplomë kulture.
Qazim Mulleti mund të gjykohet për qëndrimet dhe përgjegjësitë e tij politike. Por nuk mund t’i mohohet formimi vetëm sepse historia u shkrua nga kundërshtarët e tij.
Në fund të fundit, nëntë gjuhë mund të hapin dyert e nëntë botëve, ndërsa dogmatizmi mund ta mbajë mendjen të mbyllur edhe kur njeriu flet vetëm një gjuhë.
Dhe kjo është ironia më e madhe e historisë: nuk është e thënë që ai që fiton luftën të ketë fituar edhe betejën me padijen.
Historia nuk shkruhet për të kënaqur fitimtarët. Ajo shkruhet për t’u treguar të vërtetën brezave që vijnë.