Arben Iliazi: Kolë Idromeno dhe shtatorja e Shën Mëhillit
Shtatorja e Shën Mëhillit (Shën Mikaelit) është një vepër e mahnitshme e gdhendur në dru, realizuar nga Kolë Idromeno dhe vendosur në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër.
Në vitin 1906 Kolë Idromeno do ia jepte si dhuratë Katedrales se qytetit. Vepra u restaurua në Itali nga studioja restauruese “Arekon“ dhe u rikthye në Katedralen e Shën Shtjefnit në qershor 2023, ku u bekua gjatë një meshe. Shtatorja e Shën Mikaelit është punuar nga Idromeno në stilin e Rafaelos, me qëllim që Katedralja e Shkodrës t’i përngjante Kishave tjera të Evropës.
Në historinë e artit, Kolë Idromeno cilësohet si themeluesi i pikturës realiste shqiptare (ose babai i realizmit shqiptar). Shpesh mbiquhet edhe “Da Vinçi shqiptar” sepse, ashtu si Leonardo da Vinçi, ai shkëlqeu njëkohësisht si piktor, arkitekt, skulptor, fotograf, muzikant dhe inxhinier. Ai ishte piktori i parë që e shkëputi artin shqiptar nga ikonografia e ngurtë fetare, duke sjellë në telajo jetën e përditshme, portretin psikologjik dhe peizazhin natyror.
“Piktor i Popullit” është titulli i lartë zyrtar që i është akorduar në Shqipëri për kontributin e tij të jashtëzakonshëm kulturor.
***
Kolë Idromeno (emri i vërtetë Nikollë Idromeno) lindi dhe jetoi në Shkodër (1860–1939), por origjina e tij familjare është nga Parga e Çamërisë. Babai i piktorit, Arsen Idromeno, me profesion marangoz dhe projektues, u vendos në Shkodër rreth vitit 1856. Aty u martua me Roza Saraçin, një vajzë nga një familje shkodrane. Nga kjo martesë lindën dy fëmijë: motra e madhe, Tonja (subjekti i kryeveprës “Motra Tone”), dhe Kola. Edhe pse u rrit dhe u formua tërësisht në mjedisin kulturor të Shkodrës, Kolë Idromeno e ruajti kujtimin e rrënjëve të tij. Një nga vizatimet e tij të hershme (viti 1871) titullohet “12 luftëtarët e Pargës në lundër”, vepër që ai e realizoi pikërisht në përkujtim të largimit të paraardhësve të tij nga Parga.