Albana Shala: Anija
Tungjatjeta anije!
Ja ku erdhëm përsëri,
në fillim të sezonit të lundrimit.
Si rosakët e vegjël në port, paralajmërojmë fundin e dimrit.
Njerëzit u buzëqeshin të panjohurve,
si pa arsye, të shtyrë nga një nevojë e brendshme për t’u akorduar me stinët.
Gishtat i kam ende të ngrirë
dhe kokën të futur thellë në supe.
Një shi i imët bie paqësisht,
si oriz i thyer mbi të sapomartuarit.
Drita përshkon trupin tënd,
dhe unë shoh se ku të rreh ngadalë zemra.
Direku dridhet si orë me zile, dhe zgjon detarët e fjetur.
Velat duan të zbusin erën e egër,
krahë tunden dhe na ftojnë për një udhëtim të ri.
Në barkun tënd prej druri, ndihem si një monedhë e artë,
e fshehur mes petave të lakrorit të sime gjysheje.
E dua heshtjen tënde anije.
A mund të të rrëfehem?
Unë jam thembra jote e Akilit.