Albspirit

Media/News/Publishing

Akademik Prof. Anastas ANGJELI: Procesi i Berlinit dhe Shqipëria

Më 12 korrik do të zhvillohet takimi i katërt i nivelit të lartë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në Trieste. I filluar si Procesi i Berlinit me iniciativën e kancelares gjermane Merkel më 2014, ai u pasua me takime të tjera në Vjenë e Paris, dhe tani në Trieste.

Samiti është një iniciativë ndërqeveritare për të nxitur integrim më të madh midis vendeve të rajonit. Aktualisht 6 vende anëtare të BE – Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia e Sllovenia janë anëtarë të Procesit së bashkë me vendet e rajonit, konkretisht Shqipëria, Bosnia-Herzegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia.

Iniciativa të tilla si Procesi i Berlinit sigurisht që janë shumë të rëndësishme sepse janë platforma që lehtësojnë komunikimin dhe zgjerojnë hapësirat e bashkëpunimit konkretisht ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian, por edhe mes vetë vendeve të rajonit. Mund të themi se Procesi i Berlinit në këto tre vite të ekzistencës së tij ka shërbyer, për fazën në të cilën vendet e rajonit ndodhen, si një “urë” për procesin e integrimit evropian të të gjitha vendeve tona. Pra ka shërbyer si një “urë” nga faza në të cilën ndodhemi për në fazën e anëtarësimit që do të ndodhë në të ardhmen. Me fjalë të tjera Procesi i Berlinit është një instrument i rëndësishëm si për BE-në, edhe për vendet e rajonit, për të forcuar reformat strukturore të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të ruajtur dinamikën pozitive të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Mund të themi se deri tani Procesi i Berlinit ka qenë i suksesshëm, duke marrë parasysh edhe kontekstin politik dhe ekonomik, jo vetëm të rajonit tonë por edhe të Bashkimit Evropian. Jetojmë në një periudhë zhvillimesh të rëndësishme gjeopolitike globale. Bashkimi Evropian ka treguar se vështirësohet në përballimin e krizave, por në fund ia del mbanë. Në dhjetë vitet e fundit kemi pasur një sërë zhvillimesh të cilat nisën me krizën ekonomike dhe financiare globale të 2008-ës dhe ndikuan në mënyrë të menjëhershme edhe në Bashkimin Evropian. Mund të përmendim këtu krizat në Spanjë, Portugali, Qipro, Irlandë dhe sigurisht në Greqi. Përveç këtyre krizave financiare Bashkimit Evropian iu desh të përballej edhe me çështjet e flukseve të shtuara të emigrantëve dhe të refugjatëve  të luftës. Nuk mund të mos përmendim këtu edhe Brexit-in.

Të gjitha këto patën si rezultat rritjen e euroskepticizmit thuajse në të gjithë BE-në, rritjen e ksenofobisë dhe ekstremit të djathtë si dhe uljen e besimit të qytetarëve evropianë ndaj institucioneve të Bashkimit Evropian.

I parë në këtë kornizë, Procesi i Berlinit fiton një rëndësi sa simbolike aq edhe praktike. Së pari tregon angazhimin e Bashkimit Evropian jo vetëm ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tyre por edhe ndaj vetë projektit të Bashkimit Evropian. Së dyti, ndihmon vendet e rajonit tonë të cilat vuajnë ende nga problemet e njohura ekonomike dhe politike, por edhe nga një traditë jo shumë pozitive bashkëpunimi rajonal.

Për sa i përket bashkëpunimit politik, mund të themi se Procesi i Berlinit ka shërbyer pozitivisht duke rritur nivelin e ndërlidhjes politike midis vendeve të rajonit. Një shembull pozitiv ishte bashkëpunimi relativisht i shpejtë dhe efikas i të gjitha vendeve të rajonit të përfshira në këtë proces gjatë krizës së emigrantëve. Gjithashtu kush më shpejt dhe kush më ngadalë të gjitha vendet e rajonit kanë ndërmarrë reforma të rëndësishme të cilat e kanë përshpejtuar disi ecjen e tyre drejt BE-së (Shqipëri, FYROM, Serbi, Kosovë).

Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik mund të themi se Procesi i Berlinit ka shërbyer si një forum shumë i rëndësishëm duke i mundësuar Komisionit të BE të ofrojë asistencë dhe mbështetje të shtuar për vendet e rajonit për sa i përket konsolidimit të financave publike, forcimin e rritje ekonomike dhe punësimit të të rinjve si dhe rritjen e investimeve.

Lidhur me projektet e infrastrukturës, mund të themi se nga 10 projektet e propozuara nga vendet e rajonit tonë në Samitin e Parisit, tre fituan mundësinë e bashkëfinancimit nga BE. Të tria projektet kishin të bënin me hekurudhat dhe ato do të zbatohen në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri (rehabilitimi i hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Rinas).

Shqipëria përveç këtij projekti ka fituar edhe atë të interkonjeksionit elektrik me FYROM.

Një sukses mund të themi se është arritur edhe në një fushë shumë të rëndësishme siç është bashkëpunimi rinor. Pra shkëmbimi kulturor dhe arsimor i të rinjve të rajonit. Shqipëria dhe Serbia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për shkëmbimin e të rinjve në vitin 2014. Gjithashtu të gjitha vendet e rajonit që marrin pjesë në Procesin e Berlinit nënshkruan marrëveshje për themelimin e Regional Youth Cooperation Office e cila ka si fokus kryesor projektet e të rinjve për bashkëpunimin rajonal ndërmjet të rinjve të rajonit. Kjo është ndoshta edhe fusha më e rëndësishme e bashkëpunimit sepse është pikërisht brezi i ri që rritet në të gjithë rajonin tonë ai i cili do të ndërtojë një të ardhme larg mërive dhe keqkuptimeve të së shkuarës.

Për ta përmbledhur mund të themi se Procesi i Berlinit nuk zgjidh problemet e secilit vend të Ballkanit Perëndimor apo problemet që këto vende kanë ndërmjet tyre. Po ky Proces hedh bazat për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën politike, ekonomike, kulturore dhe infrastrukturore. Dhe bashkëpunimi në këto fusha jetike i bën vendet më të përgjegjshme dhe më të predispozuara t’i tejkalojnë problemet që kanë mes tyre. Kjo është një strategji mbi të cilën është ngritur vetë Bashkimi Evropian. Një strategji që i ka dhënë provat që funksionon. Prova më e mirë është vetë Bashkimi Evropian, një nga eksperimentet më të suksesshme në historinë e njerëzimit.

Në këtë kontekst edhe ideja e një tregu të përbashkët të vendeve të rajonit merr kuptim vetëm nën kornizën e Bashkimit Evropian. Si qëllim final jo vetëm i Procesit të Berlinit, por edhe i politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian, është integrimi i plotë i vendeve të rajonit tonë në strukturat e BE. Integrimi i plotë do të thotë integrim politik dhe ekonomik. Tregu i përbashkët i vendeve të rajonit do të jetë i përbashkët vetëm në kuptimin evropian të fjalës, pra kur i gjithë rajoni të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Sa i takon rolit shqiptar në këtë proces dhe në vlerat që kjo nismë nxit dhe promovon, në fund duhet padyshim nënvizuar një element për të cilin nuk kemi pse tregohemi modestë. Qeveria shqiptare e viteve të fundit ka qenë jo thjesht përkrahëse, por iniciatore e dorës së parë në shkrirjen e akujve, intensifikimin e komunikimit dhe trajtimin sy më sy dhe sinqerisht me homologët rajonalë, të ngërçeve të mbartura të rajonit tonë. Kryeministri Rama në këtë aspekt ka qenë protagonist në kuptimin pozitiv të fjalës, duke rrëzuar së bashku me zotin Vuçiç ato gardhe të ngurtësuara shumëshekullore të të parit tek tjetri vetëm armikun dhe jo fqinjin me të cilin je i dënuar të bashkëpunosh, komunikosh, gjesh pikat e përbashkëta, qoftë dhe të debatosh hapur. Të dalësh nga transhetë e vjetra dhe të shohësh drejt së ardhmes, është një akt i fuqishëm emancipimi që s’kemi pse të mos ja njohim kryeministrit Rama. Pjesëmarrja e tij në Trieste është tregues i këmbënguljes për vazhdimin e këtij procesi, që ende mund të ngjajë terren i panjohur për rajonin tonë, por efektet e tij pozitive i dëshmon vetë projekti i madh me emrin BE.

Please follow and like us: