RRËFIMI: Takimi i fundit me Sandër Kondon, pikëpyetjet e mëdha të vdekjes së tij në SHBA
Të mendoje ikjen nga Shqipëria në vitin 1983 ishte ta çoje veten drejt vdekjes. Megjithatë, ëndërrimtarët më të mëdhenj të lirisë, jo vetëm e mendonin por shumë prej tyre arritën ta realizojnë. Të tjerë, edhe pse rrethanat e zhdukjes së tyre mund të mos jenë zbardhur asnjëherë plotësisht, patën fund tragjik!
Një ndër ta ishte edhe kampioni i padiskutueshëm i peshëngritjes, njeriu që për herë të parë kaloi limitin e 200 kilogramëve në shtangë, Aleksandër Kondo.
Për jetën e tij kohëshkurtër në Amerikë, kanë folur ata të cilët i takoi e i bëri miq atje. Secili tregon të vërtetën e tij ndërsa të afërmit që kishte lënë në Shqipëri, ende çuditen nga gjithë ngjarjet që nuk u zbuluan kurrë.
Një ndër to është edhe kushërira e afërt e Sandrit, Xhuli Kondi, vajza e tij e xhaxhait. Xhuli, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga vdekja e njeriut të saj të dashur, vazhdon të jetë e çuditur nga zhurma e një ngjarjeje që nuk u ‘hap’ asnjëherë siç në të vërtetë mund të ketë qenë.
Xhuli na tregon sot takimin e saj të fundit me Sandrin, vizitën e tij në shtëpinë e saj dhe gjithë planet e Kondos me të fejuarën për martesë…realitet ky, për të, shumë i largët me ngjarjet që rrodhën më pas…
Çfarë dini për vdekjen e kushëririt tuaj, Aleksandër Kondos?
Edhe pse Sandri ishte njeriu im i afërt i familjes dhe dija shumë gjëra rreth jetës së tij, disa ngjarje e hollësira që ndodhën pas largimit të tij nga Shqipëria, i kam mësuar, si të tjerët, kohë më vonë, duke parë intervista e të dhëna nga jeta e tij e shkurtër në Amerikë. Kam ditur që vdekja e tij erdhi si pasojë e një aksidenti të organizuar nga njerëz që nuk u bënë asnjëherë publik, por ky informacion ngelet ende i pavërtetuar. Ndjeva dhimbje shumë të madhe kur e kam parë ashtu, në karrocë, në gjendje të rëndë, që e çonin në spital.
Po ju, kur e keni takuar për herë të fundit?
Më kujtohet ende dhe do të më kujtohet gjithmonë takimi i fundit me Sandrin. Ishte përpara kampionatit europian dhe ishte i grumbulluar. E takoj në rrugë, po shkonte të takonte të fejuarën sepse kishte marr leje. Babai im, në atë kohë, ishte i sëmurë dhe po jetonte ditët e tij të fundit të jetës. Sandri, pasi me pyeti për të gjithë, më pyet nëse kishte ndonjë përmirësim shëndeti i babait, xhaxhait të tij. Kur unë i thashë që është me ditë jeta e tij, më tha se do të vinte mbas një ore në shtëpi ta takonte. Meqenëse ishte i grumbulluar, tha se nuk do të kishte rast tjetër sepse do të nisej, menjëherë më pas, për kampionatin në Poloni. Dhe me të vërtetë pas një ore erdhi bashkë me të fejuarën e tij në shtëpinë tonë. Nuk do ta harroj kurrë atë pasdite kur Sandri bashkë me të fejuarën dukeshin kaq të lumtur dhe të gëzuar.
Për çfarë biseduat?
Sandri bëri aq shume shaka dhe me babain tim sa çuditërisht dhe babai im ia kthente me të qeshura. Bëmë shumë biseda të ndryshme, edhe për kampionatin, por arritëm deri aty duke i thënë që kur të kthehej do bënim dasmën e tij. Nuk e besoj as sot që ai takim do të ishte takimi i fundit. Nuk mund akoma ta konceptoj dhe ta besoj që arratisja e tij ishte e përgatitur më parë, siç dëgjuam më vonë. Nuk e besoj se mua, të paktën, nuk më la të kuptoj ndonjë mendim të tillë.
Si ishte marrëdhënia e tij me të fejuarën?
Përkundrazi, ai e donte shumë të fejuarën dhe diskutoi dhe martesën dhe dhuratat qe do t’i sillte të fejuarës. Bënin plane të tjera me njëri-tjetrin dhe këto i dëgjova me veshët e mi, atë pasdite të fundit. Akoma nuk e kam të qartë si e mori këtë hap, ose, nëse është ashtu siç thuhet, kush e implikoi për të bërë ato lëvizje. Nga lajmet e mëvonshme kuptova që jeta e Sandrit paska qenë një jetë tepër e vështirë. I kuptoj dhe i besoj të gjitha ato halucinacionet e veprimeve të tij.
Dhe të gjitha ato veprime të tij që dikujt i janë dukur dhe i duken anormale, janë normale për një njeri si Sandri, i cili ishte sa i egër në pamje të parë, aq shumë i ndjeshëm në shpirt. Ishte naiv dhe i padjallëzuar, pra ishte si një fëmijë i pafajshëm. Jam e bindur, edhe pse iku për të gjetur lirinë në një vend të huaj, Sandri u gjend i papërgatitur për ta përballuar këtë liri dhe këtë ndarje nga njerëzit e tij të afërt. Prandaj reagonte në ato forma agresive dhe me të tjerët. Këto janë shkaqet e një depresioni psikologjik, kur njeriu humbet lidhjet me kohën dhe vendin ku qëndron, kur humbet çdo lloj kënaqësie dhe dashurie.
Mbi të gjitha, kur humbet të gjitha ato përpjekje dhe dëshirën për të arritur diku lart, siç ishte sporti i peshëngritjes që ai ëndërronte gjithmonë. Nga ajo lartësi ku kishte arritur Sandri në sportin e tij, ra shumë poshtë, në kërkim të lirisë dhe ëndrrave të tjera. Deri sa e mbylli jetën dhe karrierën e tij me një fund tragjik. Për shkatërrimin e jetës dhe fundin tragjik të Sandrit nuk është vetëm ai vetë fajtor, në jetën dhe tragjedinë e tij kanë ndikuar edhe shumë arsye dhe njerëz të tjerë që kanë marr pjesë në forma të ndryshme në jetën e tij. Sandri do të ngelet në sportin e peshëngritjes, një figurë origjinale me forcën e tij dhe do të kujtohet gjithmonë në breza, edhe pse jeta e tij ishte e shkurtër dhe tragjike.”
Muharrem Berisha rrëfen momentin e arratisjes së mikut të tij
Muharrem Berisha, përveçse kampion absolute në sportin e peshëngritjes, ka qenë edhe mik i afërt me Aleksandër Kondon. Planet për t’u arratisur ata i kanë bërë bashkë, sado që fundi nuk shkoi njësoj për të dy. Sa më poshtë, Berisha i ka treguar vite më vonë…
“Përpara se t’ju tregoj planin e arratisjes, dua të them disa gjëra për karakterin e Sandrit. Një muaj para se të shkonim në Katovicë të Polonisë, erdhi në shtëpinë time. Të gjithë e njihnin e Sandri fliste dhe e kishte zakon të mos kishte frikë. Babai ishte turni i dytë dhe në shtëpinë time ishte vetëm nëna. Sapo hyri, jo se nuk e kishte parë ndonjëherë, u irritua kur pa fotografinë e Enver Hoxhës varur në mur (kështu ishte koha), e mori dhe e theu. Mamaja ime u llahtaris dhe menjëherë kërkoi të lajmëronte policinë. Sandri me një ton të qetë iu kthye: “Mbaj fotografinë e burrit tënd, jo të këtij krimineli, qetësohu se ne jemi djemtë e tu”.
Në moment mbërriti babai. I lodhur nga puna, na tha të bënim ç’të doni, por të kishim kujdes veten. Por, nëse një muaj më parë theu fotografinë e Enver Hoxhës në shtëpinë time, të njëjtën gjë bëri me të gjitha fotografitë e tij në Qytetin Studenti. Kishte urrejtje e, për më shumë, kur kam shkuar ta takoj në dhomë, e gjej me magnetofon të ndezur e me zë të lartë dhe ai me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Ky ishte Sandri, njeriu rebel ndaj regjimit. Donte me çdo kusht të ikte. Në ato ditë, pasi unë isha i lëkundur, ai më drejtohet: “Shikoji këta njerëz (ishin fshatarë të rropatur nga puna), shikoji, ti je kampion i madh, por një ditë edhe ti si ata do të përfundosh. Nuk e besoja në atë kohë, por realiteti ky ishte, e Sandri kishte të drejtë. Që para nisjes, mes nesh nisën polemikat. Unë një natë përpara ika dhe nuk u duka në qendrën e grumbullimit… Kur u ktheva, shokët më hapën çantën e filluan kontrollin, nuk kuptova se ç’donin.
Megjithatë, plasja kishte ndodhur. Kisha një ide se në vendin organizator nuk të mbanin, por të kthenin. Pikërisht për këtë arsye u thashë miqve se në Poloni nuk mund të kërkonim strehim politik. Duhej të gjenim një vend tjetër. Ngaqë Sandri kishte folur shumë e gjithë Qyteti Studenti e dinte se ne do të iknim, duhet të ishim shumë të sigurt në veprimet tona. Në Poloni zhvilluam garën ku dolëm me rezultate të jashtëzakonshme e të mrekullueshme e duke përfituar prej tyre, u drejtuam në një sportel polak për të prerë bileta për në Amerikë. Unë kisha rreth 100 dollarë, po kaq edhe Sandri, ose nëse nuk gaboj, të dy bashkë kishim rreth 300 dollarë, ndërkohë që Xhelal Sukniqi kishte një çek prej 1000 dollarësh. Një natë para nisjes për në Beograd, u mblodhëm të gjithë në dhomën ku ishte Sandri dhe Sukniqi.
Vendosëm të pyesim për biletat për në Amerikë dhe më pas të vepronim. Në këto momente, Asim Belinova u tërhoq. Ndikimi i tij ishte i madh, megjithatë vendosëm të pyesnim. Në sportelet e Katovicës, meqë dija fare pak rusisht, mësova se çeku i Xhelal Sukniqit prej 1000 dollarësh vlente vetëm për Shqipërinë dhe ishte i pavlefshëm për jashtë. U pezmatuam dhe u kthyem prapa. Unë me mendjen e dyzuar, pas tërheqjes së Asim Belinovës, Sandri me mendjen top se do të largohej”.
Ani Jaupaj/Panorama