Sadik Bejko: Qetësi kriminale në pushkatimin e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës
Bedri Blloshmi u dënua me njëzet e pesë vjet burg në korrikun e vitit 1977. Gati para syve të tij i vranë të vëllanë dhe të kushëririn, Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën. Ia pushkatuan si sabotatorë, ata që ai i donte më shumë se gjithçka tjetër, ata që ishin poetë dhe që, si kundërshtarë të shtetit, punonin në punët më të rëndomta.
Bedriu mund të mos kishte dalë nga burgu, ashtu si dhe xhaxhai i tij Hasani që vdiq në burgun e Spaçit. Të burgosur të pabindur si Bedriu, njerëz si ai me gurin e fortë të urrejtjes në zemër, që edhe në kamp u kundërviheshin eprorëve, nuk dilnin të gjallë nga burgjet e komunizmit. Por rënia e regjimit… e nxori jashtë telave me gjemba. Ai mbeti gjallë me një amanet të rëndë në zemër: të vërë në vend nderin e dy të pushkatuarve. Dhe ka njëzet vjet që punon e nuk lodhet sa ta përmbushë këtë detyrë të lartë.
1.
Në këtë libër janë sjellë dokumente nga arkivat sekrete të sigurimit të shtetit. Dokumente të tilla janë ende të mbullura në shtatë palë çelësa dhe nuk lejohen të hapen për publikun e gjerë.
Me këto dokumente, më shumë me fshehtësinë, me mosçeljen e tyre, janë bërë krime edhe në këto vite të demokracisë. Si për çdo dokumentacion arkivor famëkeq për to janë krijuar legjenda. Më shumë të pabesueshme, se sa reale: janë zhdukur, nuk janë zhdukur… po të hapen ato do të bëhet nami, do të ndodhë ndonjë hata e madhe et, etj,.
Për ata që janë vrarë e burgosur rëndë, sa janë thyer në mes, ata vetë, por deri dhe pasardhësit e tyre, pak rëndësi ka ajo që ka ndodhur e po ndodh në prapaskenë me dosjet e Sigurimit në të sotmen. E sotmja po të kishte pak respekt për vdekjen dhe persekutimin e tyre duhet t’i kishte hapur me kohë këto dosje.
Dosjet e Sigurimit u kanë vlejtur partiakëve të të dy krahëve dhe pushtetarëve të tranzicionit shqiptar në luftën për pushtet, për të mbajtur nën fre kundërshtarët, për të hipotekuar besnikëri te militantët brenda partive, për të patur njerëzit e tyre të nënshtruar në mediat e rëndësishme, etj. Këta të infektuar nga helmi i sigurimsit në medja, ndonjëherë publicistë me shumë ndikim, kanë ndihmuar në atë që dosjet të mbahen të mbyllura. Kështu, njerëzit më shpirt humbur që u shërbyen dhe u shërbejnë si vegla pushtetarëve të sotëm vijnë nga njerëzit që dikur kanë patur dosje, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Ripërdorimi i hafijeve të djeshme të Sigurimit në luftën e sotme për pushtet, është një nga shfaqjet më të turpshme të demokracisë shqiptare të pasnëntëdhjetës. Pikërisht kjo e ka sjellë lojën me dosjet. Mbyllja e dosjeve u ka shërbyer pushtetmbajtësve të të dy krahëve. Llagëmet e vjetra janë derdhur në ujin e një kohe që duhet të ishte manifesti i shkëlqyer i lirisë dhe i mospërdorimit të njeriut. Dukuria e përdorjes së skllavit të së shkuarës, e shërbëtorit të krimit komunist, ngritja e tij deri në nivelin e deputetit dhe të ministrit të ditëve tona, është një njollë që i vë në dyshim themelor vlerat e së sotmes.
Ky është një nga trishtimet më të mëdha për ata që e shkuam jetën burgjeve, për ata që u janë vrarë kriminalisht njerëzit më të dashur.
Por jashtë këtij konteksti aspak të dëshiruar, i ndihmuar nga njerëz të arkivave, nga detyra që kishte në rrethanat e turbullta që u krijuan më 1997, Bedri Blloshmit i është dhënë mundësia të hyjë në arkiat e fshehta, i janë çelur ca dyer që për të tjerët janë të mbyllura, dhe po na i sjell në këtë libër disa nga këto dokumente shumë sekrete. Dokumente ku provohet se si janë përndjekur nga Sigurimi Genc Leka dhe Vilson Blloshmi.
Me shfletimin e këtyre dokumenteve hyjmë në anën e pasme, në anën e zezë të diktaturës, na jepet çelësi për të parë mekanizmin me të cilin diktatura, për të mbajtur pushtetin kriminal thyente çdo ligj, edhe ligjet e saj, shkelte me këmbë çdo moral, çdo normë të arsyes së shëndoshë, çdo të drejtë njerëzore në një sistem që me filozofi dhe me deklarime zyrtare shpallej si më njerëzori, më i drejti sistem në historinë e njerëzimit. Ajo me qetësi kriminale, sistematikisht, nëpërmjet një aparati kriminal mbante nën kontroll jetën e njerëzve, përgatiste në fshehtësi vdekjen e të quajturve armiq dhe terrorizonte gjithë pjesën tjetër të popullsisë. Pra, me këtë botim, shkohet përtej fasadës komuniste, për ta nxjerrë në shesh të vërtetën në cinizmin e saj më të zi. Të vërtetën ashtu siç ishte dhe jo ashtu siç shpallej dje. Siç shpallet ndonjëherë edhe sot.
Doemos, një punë e tillë mund të të sjellë telashe. Por Bedri Blloshmit, autorit të këtij libri, aq i bën. Nuk pret që ta lavdërojë ndokush.
Ai dhe familja e tij i kanë prerë lidhjet me të shkuarën. Edhe me ata që nanuriten midis të shkuarës dhe të sotmes. Rrugët e tij me të djeshmen janë të lara me gjak e me burgime të gjata.
Me publikimin e këtyre dokumenteve ai përmbush një detyrim ndaj dy njerëzve me të cilët nuk e lidhte vetëm gjaku, por edhe adhurimi për kohën që ata ishin gjallë, e lidh edhe burgimi, jetesa nën të njëjtën çati biruce me ta, dhe e ndan prej tyre vetëm dita kur ata u dënuan me vdekje dhe ai me 25 burg.
Me botimin e këtyre dokumenteve ai do të vëjë në vend emrin, nderin e vëllait dhe të kushëririt të tij. Se komunizmi, jo vetëm të vriste, por edhe të linte me turp, ta njolloste emrin përjetë. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u dënuan me pushkatim si sabotatorë të ekonomisë. Në këtë libër nuk ka asnjë fakt, asnjë të dhënë se ata janë përndjekur si sabotatorë. Ata janë përndjekur nga Sigurimi vetëm si të dyshuar për qëndrim politik kundër regjimit.
Të përpiqesh të vesh në vend nderin tënd, të vësh në vend nderin e njerëzve të tu më të dashur, mbetet një punë fisnike.
Kjo ka qenë shtysa kryesore e Bedri Blloshmit për botimin e këtyre dokumenteve. Në botën demokratike atje përtej nesh bëhen gjyqe edhe pas 50, edhe pas 100 vjetësh nga dhënia e një vendimi që për pasardhësit e të dënuarit konsiderohet i padrejtë. Vënia në vend e nderit të njeriut, vënia në vend e drejtësisë, qoftë dhe me vonesë, është një nga parimet themelore të demokracisë, të qytetërimit.
2.
Reabilitimi moral dhe botimi i veprës së Genc Lekës dhe të Vilson Blloshmit në këto vite u bë shkallë-shkallë. Në fillim u gjet varri i tyre i fshehtë, (1994). Në këtë rivarrim morën pjesë shumë personalitete politike të kohës, si, kryetari i parlamentit, Pjetër Arbnori dhe deputetë e pushtetarë lokalë. Uran Butka shkroi për ta në librin “Ringjallja”. Mbresëlënëse ishte fjala e poetit dhe e deputetit të atëhershëm Rudolf Marku. Një tregim të Rudolf Markut për Seremben Vilsoni dhe Genci e përmendin me simpati në bisedat e tyre. Presidenti i Republikës, Sali Berisha, i dekoroi Vilsonin dhe Gencin si “Martirë të demokracisë”, u dha dhe titullin “Mësues i merituar”.
U bë një dokumentar nga TV shqiptar me regji të Ëngjëll Ndocajt. U botua libri “Qefini i hënës”, me autor Zyhdi Moravën, libër me shënime biografike dhe me poezi nga Vilsoni dhe Genci.
Në Librazhd dy shkolla 9-vjeçare morën emrin e Vilsonit dhe të Gencit.
Më 2005 u botua libri “Vilsoni dhe Genci”, me parathënie të shkrimtarit Ismail Kadare. Ky libër që sillte një jetëshkrim më të hollësishëm të dy poetëve, të mbështetur në burime arkivore, sillte më të plotë krijimtarinë poetike të Vilsonit dhe të Gencit, u prit mirë nga lexuesi e kritika. Për të folën e shkruan shumë autoritete të shtypit e të shkencës, si profesor Aleksandër Meksi, Fahri Balliu, ministri Bujar Leskaj, etj.
Ndërhyrja publike e shkrimtarit Ismail Kadare te Presidenti i Republikës nxiti vendimin që për dy poetët të ngrihej një memorial në vendlindje, në Librazhd. Memoriali, vepër e skulptorit Sadik Spahija, financuar nga Ministria e Kulturës, u përurua me pjesëmarrjen e shumë artistëve të shquar të skenës nga Tirana dhe të shumë personaliteteve të pushtetit qendror dhe të atij lokal. Folën Presidenti Moisiu, deputeti dhe ministri i Turizmit dhe i Kulturës Bujar Leskaj, kryetari i bashkisë, Shaqir Kuka etj. Recituan poezi të Vilsonit e të Gencit aktorët Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Rajmonda Bulku etj.
Regjisori Namik Ajazi bëri dokumentarin “Kur vriteshin poetët”, që u përurua me pjesëmarrjen e kryeministrit Berisha.
U botuan kujtime për dy poetët nga Nazmi Seiti, “Ngadhënjimi i shpirtit”, Tiranë 2007, (180 faqe).
Me tekst të Jorgo Papingjit u regjistrua një këngë për dy poetët.
Më 2009 u botuan veprat e plota të Vilson Blloshmit dhe të Genc Lekës. Mbase për herë të parë në historinë e letërsisë shqipe botohen vepra të plota postume të ndonjë shkrimtari, vepra të nxjerra kryesisht nga arkivat e policisë sekrete. Gjithë shtypi shqiptar e mirëpriti daljen e veprave të plota të Vilson Blloshmit në dy vëllime. Folën e shkruan profesorë të letërsisë si Ilia Lëngu, Agron Tufa etj.
Librat e dy poetëve u paraqitën në Konferencën e International PEN në Bled, Slloveni i cili u informua zyrtarish nga Qendra PEN e Shqipërisë për këtë çështje në mars të vitit 2009. Në këtë sesion mori pjesë presidenti i Sllovenisë, dr.Danillo Turk.
Në parathënien për gjurmimet gjuhësore të Genc Lekës prof. Emil Lafe shpreh vlerësim të lartë për profilin e tij prej shkencëtari.
Për dy poetët ka shumë shkrime në faqet e shtypit shqiptar, shumë shkrimtarë u kanë kushtuar poezi, tregime, është shkruar dhe një dramë me motive nga jeta e Vilsonit dhe Gencit me autor Edmond Sylari.
Komuna e Qukësit i ka shpallur shtëpi muze, shtëpitë e Genc Lekës dhe të Vilson Blloshmit. Ata janë qytetarë nderi të qytetit të Librazhdit.
Qendra e Studimeve Albanologjike, në Ditën e Albanologjisë, 14-16 dhjetor 2009 nën kujdesin e z.Ardian Marashi, në sallën e Akademisë së Shkencave organizoi sesionin shkencor “Vepra postum” mbi “Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, vepra e plotë e autorëve të pushkatuar” ku kumtuan: Doktor Sadik Bejko, Profesor Emil Lafe, Docent Agron Tufa, Doktor i Shkencave Ekonomike Bujar Leskaj dhe Profesor Adem Jakllari.
Dalja e këtij libri, me dokumente dhe të dhëna nga arkivat e Sigurimit, veç të tjerash, do të shërbejë për të nxjerrë në shesh mekanizmin kriminal se si fabrikohej vdekja e njerëzve me vlera për këtë vend në kohën e komunizmit; të fabrikosh armiq edhe tek ata që janë miq të atdheut të tyre, të atdhut të gjithë njerëzimit.
3.
Të vësh në vend nderin… kjo i ka mbetur të bëjë Bedriut e shumë prej të vuajturve si ai. Vetëm kjo.
Trashëgimtarët e Vilsonit dhe të Gencit, pas pushkatimit të prindërve, vuajtën gjithë të zezat. U rritën si jetimë, jetuan si të traumatizuar, të neveritur nga mjedisi, të helmuar nga mallkimi i fatkeqësisë që u ra mbi kokë. Kur ra komunizmi, ata i gjeti të papërgatitur për të zënë një vend në kohën e re që erdhi. Edhe sot ata mbeten pa punë, pa profesion e pa përkrahje. Parlamenti shqiptar, më së fundi, pas njëzet vjetësh, trashëgimtarëve të të pushkatuarve nga regjimi komunist u jep si shpërblim rreth dyzet mijë euro. Genc Leka ka lënë dy fëmijë, Vilson Blloshmi një vajzë. Ç’mund të bësh me 40 mijë euro kur u ke borxhe atyre që të rritën si jetim, kur sot nuk ke shtëpi, kur nuk ke një profesion? Sa plagë hapen me këto para? Për të mbyllur ndonjë hall nuk besoj se mbetet ndonjë euro nga ky shpërblim që jep shteti shqiptar për fëmijtë e pasardhësit e të pushkatuarve .
Jeta e humbur, gjaku i derdhur, fatkeqësitë, mjerimi që nuk të ndahet nuk shpërblehen me para. Para që ende nuk janë dhënë.
Pra, të mbetet që të vësh në vend nderin e njerëzve të tu. Dhe Bedri Blloshmi me përkushtim në këto njëzet vjet këtë rrugë ka ndjekur. Me këtë libër ai do të sjellë edhe një dëshmi tjetër arkivore për atë se si ia kanë pushkatuar njerëzit e tij.
Dhjetor 2009