Abetare Syla hap ekspozitë personale në Çeki
Për të treguar më shumë në lidhje me artin e saj, i cili do të qëndrojë përgjatë një muaji i hapur në hollin e bibliotekës më të madhe në Brno, për KultPlus, foli vetë artistja Abetare Syla.
Studentja e Fakultetit të Arteve (art konceptual) në Universitetin e Prishtinës Abetare Syla, ka hapur ekspozitën e saj personale në Brno të Çekisë. Abetarja, e cila ishte e përzgjedhur nga Universiteti Masaryk në Ceki, për të një semestër me bursë të plotë, gjatë atyre muajve ka pasur përpjekje të shumta për një ekspozitë të tillë, e që në fund u realizua.
Për të treguar më shumë në lidhje me artin e saj, i cili do të qëndrojë përgjatë një muaji i hapur në hollin e bibliotekës më të madhe në Brno, për KultPlus, foli vetë artistja Syla.
“Iniciativa ka qenë e imja por kam pasur mbështetje të madhe nga dy profesorët e mi në Masaryk. Fillimisht kam marrë pjesë me 1 video dhe tri fotografi në ekspozitën kolektive në Galerinë Monomach në Brno gjithashtu, e më pastaj kam kontaktuar me përfaqësues të bibliotekës, të cilët më dhanë mundësinë për një ekspozitë të vogël personale”, tha fillimisht për KultPlus, Abetare Syla, e cila vazhdoi tutje të thotë se të gjitha veprat i ka realizuar në Ceki.
“Koncepti i ekspozitës bazohet tek njeriu si qenie, trup dhe art. Ekspozita ka pas gjithsej 15 fotografi të realizuara nga unë 70cmx100cm, tri piktura 70cmx100cm dhe një instalacion”, pohoi ajo.
Ashtu siç tha edhe vetë Abetarja, kjo ekspozitë konsiderohet si një të arrirë shumë të madhe duke qenë se është akoma duke u formuar artistikisht dhe ka edhe 1 vit studime që të mbaroj studimet bachelor. Rikujtojmë se ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 korrik në hollin e Bibliotekës së Brnos./ KultPlus.com
Qershor 2017