Albspirit

Media/News/Publishing

Elina Duni fiton çmimin “Swiss Music Prize 2017”

Kantautorja shqiptare, Elina Duni ka fituar çmimin “Swiss Music Prize 2017”. Këngëtarja, që prej vitesh jeton në Zvicër si fituese e këtij çmimi është në mesin e artistëve Jojo Mayer, Tobi Tobler, Helena Winkelman, Pascal Auberson e këngëtarë të tjerë. “Elina Duni nuk është as shqiptare, as zvicerane, ajo është krenari kombëtare, në disa shtete. Elina është një përzierje e melankolisë dhe guximit e kur ajo del në skenë për të kënduar himne mërgimi sjell vrazhdësinë e vendit që ajo nuk e ka lënë kurrë”, shkruan Arnaud Robert në arsyetim pse Elina merr njërin nga çmimet kryesore që Zvicra jep në fushën e muzikës. Muzika e Elina Dunit është pothuajse gjithmonë një gërshetim mes xhazit dhe folklorit popullor shqiptar dhe ajo përpunon me shumë delikatesë shumë këngë të vjetra shqipe dhe i qaset në mënyrë të veçantë poezisë e melosit shqiptar. Elina u lind në Tiranë dhe për herë të parë u ngjitë në skenë kur ishte vetëm pesë vjeç. Në vitin 1991, Duni shpërngulet në Gjenevë të Zvicrës. Repertori i saj ndër të tjera përmbledh albumet “Baresha”, “Lume lume” “Matanë malit” e “Dallëndyshe”. Duni konsiderohet si një nga këngëtaret më të mira të xhazit në Evropë.

Please follow and like us: