Ilir Levonja: Me 4 euro turizëm, mos ta dëgjoj kush?!
- Ka disa ditë që plot webe, japin një reportazh të një tv-je franceze, për turizmin shqiptar. Se si mund të kalosh javën me 500 euro. Dhe të hash me 4 a 5 euro vaktin etj. Shto pastaj ato pamjet filmike me muzikë. Dhe ndjenjat e fryra tonat se, jemi perla e ballkanit dhe e botës. Një bregdet i mahnitshëm, plazhe me pyje, a parqe…, laguna, derdhje lumenjsh, pyje buzë detit etj. Po nuk jemi! Ua them me siguri. Por si gjithmonë na pëlqen të mburremi. Na pëlqen të mos jemi vetvetja. Por ajo, dukja.
Ndjenjat tona të fryra se, gjoja, ushqimet janë bio. Kuzhina jonë etj. Dhe se shërbimi nga më të mirët, aq sa të huajt mbeten pa mend.
E gjeni edhe në faqen e kryeminstrit, i cili beson se, që pas ardhjes së tij në pushtet, turizmi shqiptar ka ndërruar faqe. Dhe është sot një ndër konkurentët me turizmin në botë.
Pra për bukuritë dhe çmimet e lira.
Një pështirosje ja, kjo jemi. E kësisoj nuk krahasohemi fare me botën. As mos ta çojmë nëpër mend. Dhe kjo për fajin e atyre fisnikëve që e duan punën. Që duan të jenë si bota.
Por për dështimet klasike të shtetit me shtetarët e saj.
2. Para së gjithash duhet të them se reportazhe të tilla, janë të porositura. Madje me pjesë teksti e pamje të serviruara. Mjafton që një socialist të fluturoj mbi atdhe. Dhe ato pamje filmike, të retushuara a tonuara, janë gati për tv-ën franceze. Paratë përsipër dhe u kry kjo punë. Do ishte ndryshe nëse një television do vinte aty për llogari të vet. Por jo vetëm për turizmin. Për gjithka tjetër. Shqipëria jonë ngel në klasë.
Dhe ta dini, është ndryshe reklamimi. Nuk ka vend në botë që nuk reklamon turizmin. Jo vetëm në sezone, por gjatë gjithë vitit. Pasi turizëm nuk bëhet vetëm kur lahesh. Po në çdo stinë, Turizmi është një kompleks veprimtarish. Madje teksa shkruaj këto radhë, CNN po jep një sekondazh pamjesh nga deti i vdekur, me ftesën për të vizituar Izraelin. Pra reklamimi është praktikë normale në ekonominë e tregut. Mirëpo kur u përpoqja të futesha në faqen e kryeministrit të Izraelit, nuk gjeta ndonjë link nga CNN-i, ku ai tu thoshte qytetarëve ja si bota e vlerësojnë vendin e tyre. Kurse kryeministri shqiptar, paguan për tu shitur mend qytetarëve. Eshtë një lloj reklamimi bajat shqiptar. Një dukje për të hedhur hi syve. Pasi realiteti është krejt ndryshe.
3. Unë do t’ia falja çdo perversitet, jo vetëm këtij, por kujtdo shtetari. Mjaft të shikoja grimcat nga një turizëm bashkëkohor me atë të botës. Por nuk i kemi. Sot ne jemi afro 40% e shqiptarëve që jetojmë jashtë vendit. Kemi sy e bëjmë krahasime. Sidomos kur vijmë aty. Nuk ua shpjegoj dot se sa e mallët është ardhja. Se sa horizont i pamat’ është dashuria për vendin tënd, për njeriun tënd. Edhe pse ai është i mbytur rrudhash a hallesh. Eshtë një provë që nuk ka përpjekje ta qarkoj me fjalë. Prapë është përmbi, diçka ta lë një peng tek gjoksi. Një peshë që të shtyp. Dhe duhet të jesh emigrant ta provosh këtë. Megjithatë një squllje të mbyt menjëherë, qoftë nga komunikimi, shërbimi, çmimet, papastërtia. Dhe ajo rrëmuja me zhurmat apo shërret në grup për parkime a gërvishtje mjeti. Deri tani është një shanc qiellor që nuk po plas ndonjë epidemi. Pasi jemi një kazan plehrash.
Isha vjet, pashë Divjakën…, mu dhimbs si dreqi. Ajo nuk ishte më Divjaka e gëlqeres së Enver Hoxhës. Por e plehrave me shumicë të demokracisë sonë demode. Mora malet e Korçës.
4. Nuk e di se si ndihen shqiptarët dhe se si duan ta besojnë një lloj ballafaqimi me realitetin përmes fakteve të tilla. Si kalohet me 4 a 5 euro? Mos ta dëgjoj kush se pastaj do të pyesin…, po shkon për tu ushqyer, apo për turizëm? Pra me 4 apo 5 euro mund të ushqehesh, por jo të bësh turizëm.
Turizmi ka kursimet e veta në formë tjetër.
Në bonuset që merr. Në ofertat.
Nuk e di se si ndihen kur paralel me pamjet, e vërteta është një informalitet brutal. Pasi të shërbejnë kamarier që nuk paguhen, nuk kanë siguracione. Shkurt njerëz të pa lumtur. Të serviren ambjente pa asnjë garanci jete. Dhe një shtet që nuk përballon as nxjerrjen e një adn-je, për shkak se ka vetëm një aparaturë së cilës i është djegur llampa. Siç është rasti me vajzën ruse, një kob i turpshëm. Kjo ndodh në Shqipëri, në shtetin e Edi Ramës. Ka një makineri sherbimi jashtë kushteve teknike, siç ishte rasti i djeshëm në Velipojë. Ku askush nuk ka përgjegjësi. Askush nuk njihet. Montohen pajisjet me i thuaj një çikë atij, të vi këtej sonte, etj.
Jepen liçenca shërbimi me gjobë përsipër. Dhe shërbimet u paguahen sekserëve. Jo institucioneve, përshembull uji, ujrat, pastrimi. Apo dritat.
Ndoshta kanali televiziv francez i referohet resoteve ku kalon pushimet Edi Rama, Iliri, apo vilave të kunatit të Berishës në gjirin e Lalzit. Se sa për mëndjet e këtyre që vine nga bota, ua themi ne… vine për të shuar kuriozitetin. Ose për hatrin tonë. Dhe ata që njoh unë, e që kanë qënë me mua deri në skaj, në jug, çmimet i kanë quajtur të kripura. Kushtet beterr, Madje dikujt nuk ia shpjegoja dot togfjalshin, të shesësh pordhë. Kur ca çuna varavingeshin me motora uji, shfrynin stërkala shkume me shumicë, mes kokave të njerëzve. Sikur të kishin kapur qiellin. Si t’ja shpjegoja që të më zbrazej pesha. Habinë atij tjetrit nga bota, kur thoshte se, si, i lejojnë këta. Mund të vrasin njerëz. Megjithatë për mirësjellje të thonë good, good.
Good e mos u pafshim më.
5. Paralelisht me videon e ERT-së, (ediramatelevizion) jepen dhe ca shifra pagash nga Instituti i Statistikave në vend. (INSTAT) Kryesisht për vitin që shkoi. Një pakicë fare e vogël, afërmendsh, ata që punojnë me agjensitë e huaja, apo shoqatat, marrin një pagë, pak të krahasueshme me qytetarin perëndimor. Pjesa dërrmuese varion tek njëqindmijë e ca lekshi. Me një llogari të thjesht i bie që pushimet janë një privilegj social. Kësisoj që, një vend që nuk i ofron mundësi relaksimi qytetarit të vet, nuk ka se si t’ia ofrojë atij nga bota.
Pasi turizmi nuk është industri e hallit, që bëhet me hallexhinj, por industri e finesës, klasit, traditës. Një lloj llumturie që ta ofron i lumturi. Jo i lodhuri rrugëve të botës. Asesi. Jo ai soj lloj shtet që u bllokon rrugëve bashkëkombasve. Atyre që në emër të atdheut vine e derdhin edhe ato pak kursime dimri.
Shkëlqesi pa shkëlqim, vëre vëth në vesh. Turizmi nuk është lirësia, por standarti. Dhe, ti, për standarte je vëllai i Zeros.
Please follow and like us: