Shtatorja e Skënderbeut në Hungari do korrigjohet
Skënderbeu hungarez do të ndryshojë mënjeherë pamjen duke u kthyer në një Skenderbe ashtu si e njohin të gjithë, pasi shumë reagime në Tiranë alarmuan për profilin e deformuar të heroit tonë kombëtar nga një skulptor hungarez. “Duke marrë shkas nga disa reagime të miqve në FB lidhur me fizionominë e bustit të Skënderbeut që planifikohet të vendoset në Budapest, dëshiroj të sqaroj se maketi i paraqitur në foto është vetëm maket. Ai do të pësojë ndryshime deri sa të marrë tiparet me të cilat shqiptarët janë familjarizuar. Faleminderit për mirëkuptimin”, njofton ambasadori shqiptar në Budapest, Arian Spasse. Pak ditë më parë ambasada shqiptare në Budapest, bëri me dije për vendosjen e një shtatoreje të Heroit tonë Kombëtar në Budapest, pranë monumentit të heroit hungarez Janosh Hunaidi. Skulptorë dhe pedagogë të Fakultetit të Arteve të Bukura pohojnë se statuja e heroit tonë kombëtar si vepër e skulptorit hungarez Mihaly Gabor nuk i referohet Skënderbeut. Sipas tyre Skënderbeu është një figurë që ka rol të madh në histori, por edhe në diplomaci. Për skulptorët Sadik Spahija, Artan Peqini apo dhe Ermir Grezda është një vepër e dobët artistikisht. Reagim të menjëhershëm dhe të ashpër ndaj kësaj pune u bë nga dekani i fakultetit të Arteve Pamore, Ardian Isufi, ku përmes rrjetit të tij social e quajti një “mënyrë artistike” skulpturën hungareze, duke tërhequr vëmendjen edhe për “injorancën” e institucioneve shqiptare. “…nuk kam parë ndonjëherë Skënderbe më “impresionues ambig” por jo shqiptar… padyshim, mund të jetë hungarez, bullgar apo serb, por kurrsesi shqiptar!… fundi i fundit, sipas shprehjes së urtë popullore edhe kjo “mynxyrë artistike dhe historike nuk do zgjasë më shumë se tre ditë” dhe do ta ngulin aty ku e kanë paravendosur duke vazhduar të shtrembërojnë në mënyrë konstante historinë dhe kulturën tonë, por ajo çfarë më vjen keq është se palë në këtë rast bëhet edhe injoranca jonë institucionale e zyrtarëve tanë “par excellence”, që i kemi dërguar me taksat tona për të promovuar Shqipërinë dhe po e “ç’meritojnë” me sukses të paparë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare!”, ka thënë Isufi.
Në foto shtatorja e Skënderbeut në Peshkopi, realizuar nsa skulptori Sadik Spahija.