Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta TOÇILA: Paniku moral dhe gjyqi publik

 

Besoj se ju kujtohet ende materiali filmik, i prodhuar nga celulari i kunatës së gruas që ishte në shtrat me të dashurin në të njëjtën dhomë me fëmijët, i cili u transmetua në mes të ditës në një ekran televiziv ?

Më pas ai u shpërnda në kohë rekord nga portale të shumtë, të cilët janë në konkurencë me njëri-tjetrin vetëm për renditjen te Alexa.com. Këto portale përmes qëmtimit statistikor të lajmeve te “Alexa” kanë kuptuar se kur publikojnë lajme me sex, marrin klikime.
Dhe kështu, një ditë na servirën si scoop, një histori njerëzore pa pikën e interesit publik, por që dashur-padashur ngjalli reagime.

Siç reagova edhe unë në facebook, ka patur plot syresh në rrjetet sociale, të miqve të mi dhe miqve të miqve të mi. Mes tyre reagime me ngjyra gjinore, krahinore, patetike, moraliste, ekstremiste, sadiste.etj…

Po ndodhte ajo që quhet paniku i moralit…”Turma” në facebook (pjesa më racionale e saj) ishte në panik për moralin shoqëror, për ato norma që heshturazi janë transmetuar ndër breza dhe janë kthyer edhe në ligje me zhvillimin e shoqërisë. Kësaj turme i dhimbseshin fëmijët, të cilët ishin të pranishëm, siç pretendohet, gjatë thyerjes së normave të tilla si:

“Në prani të fëmijëve nuk duhet të kryesh vepra të turpshme.

Në prani të fëmijëve një çift nuk duhet të kryejë marrëdhënie seksuale.

Fëmijët nuk duhet të ekzpozohen ndaj akteve apo materialeve pornografike”.

Të paktën kështu u perceptua nga shumica. Sikur nëna e tyre i kishte shkelur këto norma, meqënëse në krevat ishte me një burrë, të dy të zhveshur dhe në të njëjtën dhomë ishin dhe fëmijët e saj.

Dhe turma vazhdoi më tej. Shante e mallkonte gruan tradhëtare, nënën e papërgjegjshme, kunatën mizore, burrin emigrant dhe babain braktisës, dashnorin e përvëluar. Çdokush kishte një qëndrim në këtë gjyq të hapur publik që po i zhvillohej një familjeje që ishte vetë-ofruar ose ishte keqpërdorur nga dikush, duke e kthyer në ushqimin e rradhës për masën e uritur e të zemëruar.

Sipas meje, para se të gjykohet mbi një çështje, ngrihen mirë pyetjet për të sqaruar situatën dhe për të qartësuar rrethanat. Pasi siç thotë një shprehje “Asgjë nuk është ashtu siç duket”.
Për shembull, unë do t’kisha ngritur disa pyetje:

A quhej ende martesë fakti marrëdhënia e një burri dhe një gruaje, të cilët kishin disa vite që nuk bashkëjetonin? Kodi ynë i familjes, neni 129 e parashikon ndërprerjen e jetesës së përbashkët kur bashkëshortët jetojnë të ndarë faktikisht që prej 3 vjetësh, si shkak për zgjidhjen e martesës.

A e kishin konsideruar divorcin familjarët para se gruaja të niste një marrëdhënie jashtëmartesore? Sepse lind dyshimi se ata ndoshta druanin se humbnin kujdestarinë e fëmijëve dhe do duhej ti paguanin asaj pensionin ushqimor plus përfitimeve të tjera që ajo mund të kishte, përfshirë ndarjen e pasurisë madje deri në mundësinë e jetesës deri në 7 vjet në banesën bashkëshortore sipas nenit 153 të Kodit të Familjes.

Po sikur ajo të jetë nxitur të bëjë mëkat dhe ata të kenë bërë kinse një sy qorr e vesh shurdh ndaj akteve mëkatare të saj në mënyrë që të siguronin garancinë e kujdestarisë dhe përjashtimit të gruas nga e drejta morale për pjesëtim pasurie ?

Pse ishte aq e përgatitur kunata për të realizuar videon dhe e sigurt që brenda në dhomë ishte bandilli? Pse nuk u kujdes ajo për traumën psikologjike që po u shkaktonte fëmijëve, duke sharë e ulëritur nënën e tyre? Pse nuk u kujdes ajo që fëmijët të mos shihnin nudizmin e dashnorit të nënës, të paktën në prani të saj?
A ishin në gjumë apo zgjuar fëmijët ndërkohë që nëna e tyre flinte me të dashurin në shtrat?

Pasi duhet theksuar se në shoqërinë shqiptare, kur kushtet e banimit nuk kanë qenë të favorshme për shumicën e popullsisë, çiftet flinin në një dhomë me fëmijët, duke përgjuar me padurim frymëmarrjet e rënduara të gjumit të vogëlushëve, ose ata më të lexuarit e të kujdesshmit, vinin fantazinë më tepër në punë.

Pranojeni që kështu ka qenë dikur dhe për disa ende vazhdon të jetë…Nuk është normale, por ndodh, ky është realiteti. Ndoshta të njëjtën praktikë ka ndjekur edhe kjo grua.

Apo fëmijët u zgjuan nga trokitjet e hallës së tyre? A ishte i dashuri i nënës së tyre i huaj për ta apo ndoshta ata e njihnin më mirë se babain e tyre emigrant?

Gjithë këto pyetje çojnë në ngritjen e dyshimeve të forta të qëllimit të materialit filmik dhe shpërndarjes së tij.

U mora kaq shumë me ngjarjen, për të thënë se ne asnjëherë nuk e dimë se çfarë fshihet pas skenës që na serviret. Mirë është të përmbajmë gjuhën e ashpër dhe akuzuese, sidomos kur në histori ka edhe fëmijë. Nesër ata do të rriten. Por deri tek e nesërmja, do t’u duhet të kalojnë përmes turmës që hedh baltë e gurë mbi nënën e tyre.

Pak a shumë kjo ishte si një histori krimi me disa autorë dhe viktimat e veta. Me autorësinë nuk dua të merrem, por viktimat dua ti cilësoj.

Gruaja ishte viktimë e ndjenjave të saj, e familjes së saj, e bashkëshortit të munguar, e prindërve të tij, e kunatës së saj, e dashnorit, e medias e gjithë shoqërisë.

Burri i saj emigrant është viktimë e një martese të sajuar, e mentalitetit, e ekonomisë, e mungesës së guximit.

Kunata e saj është viktimë e mendësisë dhe injorancës, viktimë e emocioneve negative të saj.

Media gjithashtu është viktimë e paaftësisë, shterpësisë së saj dhe audiencave fiktive.

Dhe bashkë me të masa e gjerë, turma, bie viktimë e informacionit të cunguar, duke u shndërruar së bashku në xhelatin histerik më të keq të tyre.

I lashë enkas për në fund sepse janë më të rëndësishmit. Fëmijët janë viktimat më të guximshme në këtë histori. Ata vetëm përmes të qarës së tyre, u japin një mësim të mirë gjithë xhelatëve që ngrenë sëpatën e ndëshkimit ose gjyqtarëve që i bien çekiçit të drejtësisë. Boll me gjyqe publike ndaj personave që nuk cënojnë interesa publikë !

Please follow and like us: