Frank Shkreli: PËR SHQIPTARËT DIELLI LIND NË PERËNDIM
Me rastin e promovimit të librit të Z. Bardhyl Ukcamaj: “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor”
Të hënën me 31 korrik, Shtëpia botuese “Princi” dhe “Albanian Tourism Magazine” organizuan në Tiranë promovimin e librit “Shqiptarët në qytetërimin Perëndimor” me autor Bardhyl Ukcamaj, MS. Bardhyl Ukcamaj është i njohur si publicist dhe aktivist i të drejtave të njeriut, dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë” për kontributin e tij në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Z. Ukcamaj ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, si dhe Master i Shkencave në Bridgeport University, në shtetin Connecticut, SHBA. Ai gjithashtu ka studiuar në Cornell University, New York, SHBA. Njoftohet nga organizuesit e promovimit se libri i Z. Ukcamaj, “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor”, botuar nga Shtëpia Botuese “Princi”, është gjithashtu në proces botimi edhe në gjuhën anglisht. Në promovimin e moderuar nga Myftar Gjana, MS., botues i librit, Shtëpia Botuese “Princi” dhe Aferdita Elezi, botuese e “Albanian Tourism Magazine”, kishin përgatitur referate dhe diksutuan Prof. Dr. Sami Repishti, Prof. Dr. Aleksander Meksi dhe Prof. Dr. Mark Marku.
Për librin “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor” të Z. Ukcama të cilin kam pasur rastin ta kem lexuar më heret, kam privilegjin, që megjithse larg Tiranës, të ofroj disa mendime të hedhura me rastin e promovimit në Tiranë.
Një fjalë popullore thotë, “Mos të raftë me e harrue të keqen.” Me këte vepër, Zoti Ukcamaj nuk na le ta harrojmë të keqen e kryer mbi popullin shqiptar gjatë shekullit të kaluar, sidomos kalvarin e klerit katolik. Ai, në të njejtën kohë, në librin e tij, sjellë një pasqyrë të rëndësishme jo vetëm të historisë kishtare, por edhe të asaj kombëtare. Duke venë në dukje përkatësinë evropiane të popullit shqiptar — ai flet për një “thesar të pafund trashëgimie kombëtare”, e cila në botëkuptim dhe në paraqitje është krejtësisht evropiane. Autori shkruan për një trashëgimi mijëvjeçare, e cila u ndërpre gjatë shekujve nga pushtues të huaj që nuk ia donin të mirën kombit shqiptar. Zoti Ukcamaj, me të drejtë thekson se kjo trashëgimi u ndërpre, në mënyrën më brutale nga diktatura mizore komuniste 50-vjecare, e cila paraqiti historinë e kombit shqiptar me syzë ideologjike, në përputhje dhe në bashkpunim të plotë me politikën e forcave më anti-shiptare dhe armiqëve më të përbetuar të kombit tonë (fillimisht me jugosllavët, pastaj me rusët e më vonë me kinezët) — në një përpjekje për të prerë pothuaj të gjitha lidhjet e shqiptarëve me të kaluarën e tyre dhe si rrjedhim, edhe me botën perëndimore. Nuk është e nevojshme tu kujtoj se kush janë sot armiqët më të përbetuar të pavarësisë së Kosovës dhe të interesave të kombit shqiptar në Balkan. Po, janë ekzaktërisht këto shtete dhe popuj, me të cilët komunistët e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë ishin lidhur mish e shpirt, në mbrojtje të interesave të marksizëm-leninizmit, në kurriz të interesave afatgjata dhe afta shkurtëra kombëtare të shqiptarëve.(Lexoje te plote ne Gazeten Dielli www.gazetadielli.com)