Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: FIGURA, QË DUHEN NXJERRË NGA HARRIMI

Shkrimtari i njohur Andon Andoni më dha librin “Anthologji dashtunie” të autorit Skënder J. Guri nga Durrësi, botuar në vitin 1934 në Tiranë. Libri është një përmbledhje këngësh qytetare dhe popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, poezi origjinale të autorit, këngë nga vende të ndryshme dhe poezi dashurie të përkthyera nga autori, proza të shkurtra dhe mendime të njerzve të mëdhenj për dashurinë.
Autori shkruan në hyrje të librit se “kjo asht e pesta vepër qi po botoj sot: e para me 1925, e dyta me 1926, e treta me 1929 dhe e katërta me 1932 nga të cilat kam dhurue disa në Bibliotekën Kombëtare Tiranë”.
Autori riboton parathanjen e botimit të vitit 1925 ku shkruan: “Kam përkthye këto kangë (për të parën herë) që i këndojnë djemt e Durrësit e të Tiranës”. Këngët janë përkthyer nga autori nga gjuhë të ndryshme si greqisht, turqisht, italisht, frengjisht, etj. çka tregon se ai zotëronte disa gjuhë të huaja. Nga libri del se ai ka qenë edhe këngëtar i njohur në qytetin e Durrësit, sepse shkruan: ”Nga djelmënia e Durrësit më thirrshin për të këndu e për t’u rregullue zanat e kangëve” dhe sjell letra të adhuruesve të tij, që i shkruajnë “lutem t’urdhënoni në Lulishte popullore se ju pret shoqënia sonte… dishroj me ndigjue zanin e melodishmë të Juejën dhe jam tue ndejt apostafat për këte qëllim”.
Në libër gjen vlerësime të krijimtarisë së autorit nga Kristo Floqi, i cili shkruan se “S’mund të mos e përgëzonj auktorin, prej të cilit mundet të dalin pemë më të mira”. Avokat V.K. Dilo shkruan: ”Ju përgëzoj për këtë veprëzë se veç zellit për përparim të literaturës Kombëtare kallzojnë edhe një talent, i cili jep shpresa për zhvillim ma të mbaruar”. Avokat Perikli Goga shkruan se kjo vepër asht nji shembëll përparimi.
Libri “Anthologji dashtunie” dëshmon përpjekjet e asaj pak inteligjence të kohës për të ngritur nivelin kulturor, moral dhe kombëtar të rinisë dhe të shoqërisë. Për fat të keq, disa prej atyre emrave humbën nëpër kthinat e historisë. Janë emra, të cilëve brezat u kanë borxh sado modest për t’u nderuar veprën dhe përpjekjet e tyre. Ndaj mendova të ndaj me ju mbresat e mia nga libri i autorit Skënder J. Guri, duke shpresuar që trashëgimtarë të familjes së tij apo të rrethit të miqve do të kontribuojnë për t’i bërë të njohur lexuesit të sotëm biografinë dhe krijimtarinë e një njeriu, që pat ëndrrën të bënte diçka “për nevojën dhe sherbimin e Kombi tonë”.

Please follow and like us: