Edison Ypi: Jamarbër
Ku takohet rruga “Fortuzi” me bulevardin “Zogu I”, mbi një bordurë betoni me pranë një shishe raki dhe një paketë DS, rri ulur Jamarbër Marko, Madu.
Po kalon Llozi.
-Madu, si po t’duket ky llozi?
-Shembja e xhamive, profanimi i kishave, harrimi i historisë, para këtij janë hiçasgjë.
Zinxhiri hiqet zvarrë duke kërcitur hallkat.
-Madu, a ta kujton zinxhiri Spaçin?
-Është drejtor drejtorie në ministrinë e tullusumit. Ka grada shkencore, tituj, është Qytetar Nderi i katër qyteteve.
Kalon Rrogozi.
-Madu, e njeh ti këtë, ku punon ky, kush e thuri këtë?
-Posi s’e njoh. Është garancia e progresit. Punon nëpër labirintet e administratës. I ka plasur cipa. I ka dalë fije-fije kashta. Mpleksja e fukarallepsjeve të së shkuarës me molepsjet e tanishme, e kanë mbuluar me një këllirë që s’ka sapun që e lan.
Erdhi Sqepari
-Madu, çne ky këtu?
-Sqepari është gdhendës, poet, shkrimtar. Shkruan pocaqira tranzicioni tretur në sherbet moderniteti, hedhur dhjamë pluralizmi, tundur në katruve balte mbyllur me tapë supermarketi.
Po marshojnë Tytat. Janë ndryshkur, por vjaskst u ndrisin.
-Madu, po këta?
-Tirana i përket një kontinenti të fundosur që nuk e përmban asnjë hartë. Këta janë cironka që vetja u duket balena. Kujdes se të vrasin.
-Madu, kush është ky çengeli ?
-Është kushëriri i Umberto Ekos. Janë fis të shkarësh si Erazmusi i Roterdamit. Ka harruar të vdesi.
Një i pastrehë.
-Madu, e njeh ti këtë?
-Unë jam një si ky këtu ku ka marrë fund gjithçka. Unë që pi gjith ditën raki dhe tymos DS, unë që Arbër jam e Arbër do jem, tani kur nuk më lejohet që, dhe as dua të më kujtohet më ajo që askush nuk e kupton dot pse, me libër shtëpie e karta identiteti, qeverira e parlamente, votime e numërime, ju pështyj në…