Ahmet Ilmiu, kryeministri shqiptar i qeverisë së parë të Palestinës në 1948
Prof. Muhamed Mufaku Gega
Këto ditë po shkallëzohen për fat të keq edhe më shume tensionit në Lindjen e mesme, përkatësisht midis Izraelit dhe Autoritetit Nacional Palestinez, i formuar më 1993 sipas Marrëveshjes së Oslos që kishte për qellim arritjen e një zgjedhje për konfliktin gati 100 vjeçar midis arabëve dhe hebrenjve. Atëherë, administrata e re demokratike në SHBA filloi të deklarohet për “zgjedhjen e bazuar në dy shtete”, pra për një shtet palestinez pranë shtetit izraelit i cili do të krijohej në bazë të bisedimeve. Ky parim, pra “zgjedhja e bazuar në dy shtete”, mori shtysa të reja tani me ardhjen e Presidentit Trump në krye të administratës republikane në SHBA, i cili po mundohet të nxisë një vizion tjetër të kesaj zgjidhje në një kuptim më të gjerë në rajon.
Megjithatë, tani në prag të 70 vjetorit të vendimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me 29.11.1947 për krijimin e dy shteteve në Palestinë, një për hebrenjtë dhe një për arabët, shtrohet pyetja: përse hebrenjtë arritën të krijojnë shtetin e vet (Izraelin) më 1948 kurse arabët nuk arritën të kenë shtetin e vetë në atë pjesë të Palestinës që iu nda më 29.11.1947?
Në propogandën kundra-izraelite në Lindjen e Mesme gjithnjë fajsohet Izraeli për atë që pësuan palestinezët, që ngelen ende pa shtet të vetin. Dhe nuk preket shumë fajsia e udhëheqjes palestineze dhe arabe për pësimet e palestinezëve, përkatësisht për deshtimin e krijimit të një shteti paralel pranë Izraelit më 1948.
Ç’është e vërteta, në verë të vitit 1948 u bë një përpjekje dhe u formua një qeveri palestineze me në krye me shqiptarin Ahmed Hilmiu dhe Izraeli ishte gati të pajtohej me atë realitet. Porse rivaliteti në udhëheqësinë palestineze-arabe çoi në dështimin e asaj përpjekje e cila mbetu de jure deri në vdekjen e Ahmed Hilmiut më 1963.
Ahmed Hilmiu u lind në Sidon të Libanit më 1882 ku babai shqiptar ishte oficer në ushtrinë osmane. Më vonë ai u transferua me detyrë në Nablus i cili i përkiste Vilajetit të Sidonit, ku Ahmet u rrit dhe u shkollua duke treguar interesim për studimin e financave e duke filluar punën në Bankën agrare osmane. Nderkohë, Ahmed Hilmiu u shqua në opozitë kundër regjimit absolut të sultan Abdulhamitit II.
Me humbjen e shtetit osman në fund të Luftës së Parë botërore u paraqiten shtete të reja në rajon. Kështu, Ahmed Hilmiu shërbeu një kohë si zëvendësministri i financave në “qeverinë arabe” që u proklamua në Damask më 5.10.1918 nga princi Fajsal, përkatësisht në Mbretërinë e Sirisë siç u quajt më 08.03.1920 gjatë periudhës 1918-1920. Më pas mori pjesë në qeverinë jordaneze kur u themelua Principata e Jordanisë më 1921 me në krye me princin Abdullah, vëllain e Fajsalit, që u bë atë vit mbret i Irakut. Në atë shtet të ri nën mandatin anglez Ahmed Hilmiu shërbeu si ministër të finansave në tri qeveri jordaneze gjatë 1922-1924 dhe u nderua nga princi me titullin pashë, me çka u bë Ahmed Hilmi pasha.
Më 1926 Ahmed Hilmiu u thirr në Jerusalem, pasi Palestina u bë shtet po ashtu nën mandatin anglez, për të drejtuar finansat e vakveve në Palestinë. Me qëndrimin e tij në Jerusalem Ahmed Hilmiu fitoi famë e respekt për punën e tij në fushën e financave dhe më 1930 themelloi më Abdulhaid Shumanin Bankën Arabe, të cilën e drejtoi me sukses gjatë viteve 1930-1935 duke e shndëruar atë në bankë të suksesshme që edhe sot e kësaj dite pranohet si ndër bankat më të njohura në rajon. Mirëpo, pasi u nda prej Abdulhaid Shumanit ai themelloi disa banka e disa firma dhe që u quajt në shtypin palestinez “krijues i ringjalljes ekonomike” në vend.
Në kujtimet e figurave kryesore të lëvizjes vendase për pavarësi në vitet 1930 të shek.XX (Izet Darwaza, Axhaxh Nuwajhid, M. Ali al-Tahir etj.) Ahmed Hilmiu përmendet me respekt të madh për rolin e tij në zhvillilmin ekonomik dhe të gjithë e theksojnë origjinën e tij shqiptare duke shtuar ndonjëherë edhe llagapin “Arnauti”. Mu për ato merita ai u zgjodh më 1936 në udhëheqjen palestineze Komiteti Arab i Palestinës pre 10 anëtarësh, si i vetmi anëtar i pavarur që nuk kishte mbështetje fisnore ose partiake.
Mirëpo, fatëkeqësia e asaj udhëheqje politike qëndronte në atë se kishte në krye Myftiun e Jerusalemit Emin al-Husajni (1895-1974). Ndonëse ai nuk pat kryer ndonjë shkollë fetare ai e trashëgoi atë postë prej xhaxhait më 1921 me ndihmën e autoriteteve të mandatit anglez dhe, më 1922, u bë Kryetar i Këshillit Islamik që përfaqësonte interesat e myslimanëve të vendit. Me rritjen e autoritet deri më 1929 al-Husajni u bë me ambicie politike tejet të rrezikshme. Kështu, ai u afrua me boshtin italo-gjerman qysh nga 1933 duke vizituar Romën e Berlinin ku u takua me Musolinin e Hitlerin.
Prandaj autoritet e mandatit anglez e suprimuan me kohë (1937) Komitetin Arab të Palestinës, me çka u shpërndan anëtarët e tij. Ndonëse al-Husajni gjeti strehim në Berlin Ahmed Hilmiu u kthye më vonë në Jerusalem duke vazhduar aktivitetin e tij në fushën e ekonomisë. Më vonë, me formimin e Ligës Arabe më 1945 e cila mori përsipër të ndikojë më 1946 për të zgjedhur një udhëheqje unike prej gjashtë anëtarëve në prag të tërheqjes së Britanisë së Madhe prej Palestinës. Ahmed Hilmiu u zgjodh përseri në atë udhëheqje. Përsëri, problemi qëndronte në caktimin e Myftiut al-Husajni në krye të asaj udhëheqje si vegël e vendeve arabe Egjiptit, Sirisë dhe Arabisë Saudite kundër ambicieve politike të mbretit jordanez Abdullah.
Ç’është e vërteta, mbreti Abdullah qysh kur ishte princ i Jordanisë nën mandatin anglez kishte ambicje për të ribashkuar Mbretërinë e Sirisë së madhe duke përfshirë Sirinë e sotme, Libanin, Palestinën dhe Jordaninë. Ajo Mbretëri e Sirisë së Madhe u shpall më 08.03.1920 me në krye të vëllanë Fajsalin. Ndonëse ai kishte lidhje të mirat me hebrenjtë në Palestinë dhe iu afroi një autonomi në kuadër të Sirisë së madhe, autoritet e mandatit anglez ishin kundër asaj. Mirëpo, me pavarësinë e Jordanisë më 25.05.1946 ambiciet e mbretit Abdullah u shtuan duke hyrë në lidhje me udhëheqësit hebrenj si dhe me udhëheqësit arabë në Palestinë për t’i bindur ata që të bashkohen me mbretërinë e tij. Udhëheqësit hebrenj nuk e pranuan atë ofertë pasiqë ishin për një shtet të vetin (Izraelin), kurse armik më i madh kundër bashkimit me Jordaninë ishte Myftiu al-Husajni, i cili donte të bëhej vetë udhëheqësi i shtetit palestinez me përkrahjen e disa regjimeve arabe.
Vendet arabe e përmendura (Egjipti, Siria e Arabia Saudite nuk i shikonin me sy të mirë ambiciet e mbretit Abdullah për Sirinë e Madhe, sepse frigoheshin se më vonë mund t’i bashkohej Iraku, i cili sundohej nga nipi i mbretit Abdullah. Mu për atë, ato vende përkrahën krijimin e një shteti palestinez në atë pjesë që e caktoi OKB më 29.11.1947 vetëm për të penguar ambiciet e mbretit jordanez Abdullah
Mirëpo, pasi Myftiu al-Husajni sa kishe ardhur nga Berlini dhe nuk ishte më figurë e pranueshme nga Britania e Madhe dhe SHBA, u arrit ujdia që të tërhiqej nga skena Myftiu al-Husajni dhe të zgjidhej në krye të qeverisë palestineze një figurë e respektuar Ahmed Hilmi Arnauti. Kështu, pas përgatitjeve me ndihmën e Ligës Arabe, më 01.10.1948 u shpall në Gazë Qeveria palestineze me në krye Ahmed Hilmiun. Mirëpo, ajo ngjarje historike u dëmtua rëndë me paraqitjen në skenë të Myftiut al-Husajni, i cili iku nga Kajroja dhe u fut fshehurazi në Gazë, gjë që i çoi mesazhe të gabuara Perendimit, Izraelit dhe Jordanisë.
Për shkak të së kalures së tij me Gjermaninë naziste shtetet perendimore nuk e njohen Qeverinë palestineze me në krye Ahmed Hilmiun, i cili nuk e priti mirë qasjen e Myftiut al-Husajnit. Nga ana tjeter, qeveria e re izraelite gjatë periudhës Qershor-Nëndor 1948 e konsideronte në interes të saj të pranonte një shtet të vogel palestinez por jo me në krye Myftiun al-Husajni më mirë se sa ajo pjesë e Palestinës t’i bashkohej Jordanisë, e cila mund të bashkohej më vonë me Irakun dhe të paraqiste rrezik më të madh për Izraelin. Kështu, me paraqitjen e Myftiut në skenë, i cili ishte armik i përbashkët i Izraelit dhe i Jordanisë, Izraeli u pajtua de facto që ajo pjesë e Palestinës (Bregu perendimor i lumit Jordan) t’i bashkohej Jordanisë në Dhjetor 1948 .
Mirëpo, me aneksimin e asaj pjese të Palestinës, të cilën OKB e kishte paraparë për një shtet palestinez, u revoltuan shtetet arabe të cilat e kishin njohur qeverinë palestineze me në krye Ahmed Hilmiun për kundërshti të Jordanisë. Si pasojë, Egjipti, Siria dhe Arabia Saudite që ishin themelues të Ligës Arabe ndikuan më 1950, kur Jordania e vulosi me Kushtetutë aneksimin e Bregut Prendimor, që Ahmed Hilmiu të zgjidhej Përfaqsues i Palestinës në Ligën Arabe dhe të mbeti në atë pozitë deri në vdekjen e tij më 1963.
Kur ra i sëmurë Ahmed Hilmiu, Egjipti me në krye me Naserin ishte në konflikt me Jordaninë dhe Arabinë Saudite, ndaj për kundërshti të Jordanisë përkrahu formimin e një organizate të re palestineze që do të merrej me “çlirimin e Palestinës”. Kështu, pas vdekjes së Përfaqësuesit të Palestinës në Ligën Arabe, Ahmet Hilmiut, në vitin 1963 u formua më 1964 Organizata për Çlirimin e Palestinës më të cilën u tensionuan marrëdhëniet jordaneze-egjiptiane, jordaneze-palestineze dhe ato izraelite-palestineze deri në luftën e vitit 1967, e sidomos pas saj.
Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosoves, Profesor i Historisë së Re në universitet jordaneze 1989-2017, i nderuar me Medaljen e Republikës për Merita më 2012