Shaban Murati: Nismë “kulturore” për “Serbinë e Madhe”
Stil presidencial i presidentit të sotëm të Serbisë Vuçiç po bëhet nxjerrja herë pas here e ideve të vjetra, të kohës kur ai ishte ministër në qeverinë e presidentit të luftës Sllobodan Millosheviç. E tillë eshtë nisma e tij kulturore, e shpallur në 4 gusht, për të hartuar një program të përbashkët mbarëserb për mbrojtjen e interesave kombëtare të serbëve në të gjitha territoret ku ata ndodhen. Kjo është quajtur nismë kulturore, sepse parashikon angazhimin dhe veprimin e drejtpërdrejtë të qeverisë dhe të institucioneve të Serbisë në fushën e kulturës, arsimit, të propagandës, etj. në vendet e tjera, ku jetojnë serbët. Vetë presidenti serb nuk ka dhënë shumë hollësi për nismën e tij, e cila do të konsultohet me të gjithë serbët në të gjitha shtetet e rajonit dhe pastaj pritet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë në muajin nëntor të këtij viti. Sekretari i përgjithshëm i presidencës serbe, Milan Selakoviç, duke shpjeguar qëllimin e nismës kulturore të presidentit, deklaroi në 11 gusht se “Ne duhet të riekzaminojmë se ku jemi në Ballkan dhe në Europë”, objektiv i cili flet se nuk është fjala për një platformë kulturore dhe as për një interesim ndaj pakicave serbe në shtetet e tjera. Shfaqet si një nismë politiko-diplomatike për rolin, që kërkon Serbia në Ballkan.
Nisma kulturore e presidentit Aleksandër Vuçiç synon që të ringjallë në kushtet e reja idenë e vjetër të Millosheviçit “të gjithë serbët në një shtet”. Kjo synohet të bëhet jo duke u vendosur të gjithë serbët në Serbinë e sotme, por duke u vendosur Serbia në shtetet, ku jetojnë serbët. Objektivi bazë mbetet vendosja e ndikimit dhe e kontrollit serb në shtetet e pavarura, që kanë dalë nga ish-Jugosllavia. Filozofi dhe analisti serb Milan Demjanac theksonte në 8 gusht se “nisma është e rëndësishme si simbol dhe inspiron shpresat që identiteti serb do të rikthehet edhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë”. Kuptimi i kësaj është se ka një pikësynim shtetëror serb për të rikthyer statusin dhe vulën e identitetit të kontrollit serb në të gjitha shtetet, që dolën nga ish-Jugosllavia. Mjeti, preteksti dhe instrumenti, që presidenti serb i mendon se mund të ndihmojnë këtë ambicie janë pakicat serbe që jetojnë në shtetet e tjera ish-jugosllave. Nëpërmjet nismës kulturore justifikohet dhe forcohet ndërhyrja dhe presioni i Serbisë në shtetet e tjera, si dhe detyrimi i këtyre shteteve për të pranuar peshën dhe ndikimin e Serbisë në jetën politike, sociale dhe ekonomike të atyre shteteve. Nisma kulturore synon të shndërrojë pakicat serbe në shtetet e tjera në karta force dhe vatra të influencës së Serbisë në ato shtete.
Gjëja e parë, që flet për mossinqeritetin e nismës, është se Presidenti i Serbisë e shpalli nismën e tij në datën 4 gusht, që është dita e operacionit të famshëm “Storm” të ndërmarrë nga Kroacia në gushtin e vitit 1995 për të çliruar pjesën e territorit kroat të pushtuar nga Serbia. Presidenti serb, që flet shumë për pajtimin në ish-Jugosllavi, në mënyrë aspak diplomatike bën një gjest jopajtues, duke e klasifikuar ditën e fitores së ligjshme të ushtrisë kroate mbi ushtrinë pushtuese të Millosheviçit si ditë zie për serbët. Karakteri antikroat i mesazhit presidencial serb lexohet lehtë si nga data e shpalljes së nismës, ashtu dhe nga vetë nisma. Këto nuk ishin të rastësishme, por për të treguar se Beogradi në nismën e tij të re do ta përdorë çështjen e pakicës serbe në Kroaci, e cila arrin nja 50 mijë veta sipas regjistrimit zyrtar, për ta pasur si instrument presioni dhe shantazhi mbi shtetin kroat.
Gjëja e dytë, që flet për mossinqeritetin e nismës, është se Vuçiç e shpalli nismën e tij si një ndërmarrje e përbashkët me presidentin ultranacionalist të së ashtuquajturës “Serpska republika” Milorad Dodik. Është një mesazh i hapur për karakterin antiboshnjak të nismës. Nuk është një zgjedhje e rastësishme, por për të demonstruar se nisma kulturore do të inkurajojë pakicat serbe në të gjitha shtetet e dala nga ish-Jugosllavia që të ndjekin rrugën separatiste të Dodikut dhe të punojnë për bashkimin e territoreve, ku ata jetojnë, me Serbinë, siç po punon prej vitesh Dodik. Presidenti i së ashtuquajturës “Serpska republika” nuk e fsheh aspak planin për të shkatërruar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe për t’u bashkuar me Serbinë. Kjo është strategji zyrtare e Serbisë, të cilën e konfirmoi Tomislav Nikoliç, në 27 maj, kur ishte ende zyrtarisht President i Serbisë. Me rastin e përurimit të një ure midis Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës në pjesën ku ndodhet “Serpska republika”, Presidenti i Serbisë deklaroi se uronte që një ditë Serbia dhe “Serpska republika” të jenë një. Kjo shënon fazën e parë të planit të krijimit të “Serbisë së Madhe” dhe nuk është e qartë përse nuk reaguan Komisionerët dhe zëdhënësit e BE-së, sepse ai që rivendikonte ishte presidenti i shtetit serb.
Në këtë funksion synohet nisma kulturore e presidentit aktual serb për mbrojtjen e interesave kombëtare të serbëve në territoret, ku ata ndodhen jashtë Serbisë, me aspirata për territore kroate, territore boshnjake, territore malazeze, territore kosovare, territore maqedonase etj. Kjo është strategjia e krijimit të “Serbisë së Madhe”, nëpërmjet bashkimit gradual të territoreve ballkanike, ku jetojnë serbë, sepse në të gjitha ish-republikat jugosllave kanë qenë shpërndarë serbë si kolonë dhe jetojnë edhe sot.
Strategjinë e bashkimit të territoreve ku jetojnë serbë, e shprehu pa doreza presidenti i së ashtuquajturës “Serpska republika”, Milorad Dodik. Duke shpjeguar nismën e re kulturore, ai deklaroi në datën 9 gusht se “duhet ndjekur shembulli i Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore për bashkimin, kur krijohen kushtet historike”. Kjo deklaratë meriton vëmendje, sepse Dodik e shprehu kur po fliste për nismën kulturore të presidentit Vuçiç, që do të thotë se nisma do të punojë në drejtimin e bashkimit të Serbisë me “Serpska republikën” duke kërkuar modelin ose formulën e “dy Gjermanive”. Meriton vëmendje të veçantë mënyra se si e interpreton Serbia formulën e njohur të “dy Gjermanive”. Sidomos qarqet zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë duhet të ndalen ta analizojnë, sepse formula e “dy Gjermanive” po serviret nga disa zyra diplomatike europiane si mënyrë e zgjidhjes së raporteve midis Serbisë dhe Kosovës. Unë kam pasur dhe kam mendimin që në vitin 2010, kur u hodh për herë të parë kjo formulë për raportet e Kosovës me Serbinë, se ajo është e papërshtatshme, sepse do të inkurajojë Serbinë që të kërkojë më vonë bashkimin e Kosovës me Serbinë. Deklarata e presidentit të “Serpska republikës” nuk lë hapësirë për ekuivok.
Nisma kulturore e Presidentit të Serbisë ravijëzohet si një projekt për të krijuar një “Serbi të Madhe” duke shkëputur nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës “Serpska republikën”, si fazë e parë. Në këtë fazë Serbia planifikon edhe aneksimin e gjysmës së Kosovës sipas planit të ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili çdo ditë qysh nga shpallja e nismës së Vuçiçit për “dialogun e brendshëm serb” për Kosovën, përsërit publikisht kërkesën për “delimitimin” dhe ndarjen e Kosovës.
Më tej parashikohet faza e dytë e zgjerimit direkt ose indirekt të Serbisë me territore nga shtete të tjera të ish-Jugosllavisë, ku ka pakica serbe, dhe Serbia ka ndikim e prani të fortë politike, ekonomike dhe demografike. I tillë është Mali i Zi, ku Serbia po punon fort që pakica serbe atje të marrë kontrollin mbi qeverinë dhe mbi institucionet malazeze, me qëllimin që të pasojë bashkimi i këtij shteti me Serbinë. Partia politike “Nova” e pakicës serbe në Mal të Zi njoftoi në 11 gusht se do t’i bashkohet projektit të nismës kulturore të Vuçiçit. Një zyrtar i kësaj partie, Jovan Vucuroviç, deklaroi se partia e tij do t’i propozojë “mënyra kulturore dhe të tjera për të bashkuar serbët nga të gjitha territoret serbe”. Në konceptin politik nacionalist serb me “territore serbe” kuptohet gjysma e Ballkanit. Ndaj është i gjallë në Beograd pretendimi se kudo që ka serbë janë territore serbe, të cilat duhen bashkuar në një të ardhme me Serbinë. Kjo është strategjia afatgjatë e nismës kulturore të Vuçiçit. Nisma kulturore e presidentit serb mori një përkrahje të menjëhershme nga organet e propagandës ndërkombëtare të Rusisë, e cila vazhdon të punojë së bashku me institucionet e specializuara serbe që të përmbysin raportin e forcave në shtetin malazez për të anuluar anëtarësimin e tij në NATO.
Presidenti i ri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është i obsesionuar nga ideja e rikrijimit të Jugosllavisë, të cilën e drejtonte Serbia. Këtë ide ai e paraqiti hapur në prill të vitit 2017. Në intervistën e tij të parë si president, dhënë portalit amerikan “Politico”, në 6 prill, i pyetur nëse me planin e tij për një treg të përbashkët ballkanik ai po përpiqet të rikrijojë Jugosllavinë, Vuçiç përgjigjet pa hezituar dhe në mënyrë pohuese se “Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë”. Është një ligjërim në ligjëratë të drejtë i presidentit serb. Mbreti është lakuriq, pavarësisht se nuk duan ta pranojnë disa zyra në Tiranë. Natyrisht, presidenti serb do të përpiqet të përshtatet me kohën e “integrimeve dhe të globalizimeve” dhe të gjejë forma dhe etiketa të reja për realizimin e ideve të vjetra serbe. Një nga këto forma është dhe nisma kulturore për identitetin serb dhe bashkimin e të gjitha territoreve ku jetojnë serbët.
Projekti i “Serbisë së Madhe”, që aspiron presidenti serb, nuk ndalet vetëm në kufijtë e ish-Jugosllavisë. Interpretimet dhe konceptet që kanë qarkulluar në mediat serbe tregojnë se ambicia është për të përfshirë në objektivat e hapur dhe të fshehur të kësaj nisme të gjitha shtetet e Ballkanit. Kjo konkretizohet nga thirrjet dhe programet që Serbia të organizojë dhe të financojë shkolla serbe, gazeta, portale, radio, televizione, shoqata joqeveritare, qendra studimore, shoqata kulturore dhe sportive serbe në shtetet e tjera të Ballkanit.
Jashtë rrezes së nismës kulturore serbe për krijimin e “Serbisë së Madhe” nuk mbetet as Shqipëria. Në fakt, përpunimi psikologjik serb për të përgatitur një atashim të Shqipërisë te Serbia ka kohë që ka filluar, dhe ai ka dhënë rezultatet e veta në përhapjen nga lobi serb në Tiranë të tezave filoserbe se Serbia dhe Shqipëria janë miq historikë dhe nuk kanë luftuar asnjëherë midis tyre, se Serbia na ka çliruar nga pushtimi otoman, se Beogradi është më afër se Brukseli etj. Diplomacia serbe sponsorizon prej kohësh në Tiranë portale, media, qendra studimore, shoqata joqeveritare etj. Efekti i përpunimit serb dhe i ndikimit të lobit serb në Tiranë shpjegon lehtësinë me të cilën diplomacia serbe dhe institucionet e specializuara serbe kanë arritur të shpikin në Shqipëri të ashtuquajturën pakicë serbe nga malazezët dhe nga boshnjakët myslimanë, të ardhur në Shqipëri në fillim të shekullit të kaluar. Që Shqipëria hyn në rrezen e veprimit të ambicieve të Serbisë e konfirmoi presidenti i së ashtuquajturës “Serpska republika”, Dodik, i cili duke folur në 9 gusht për shtrirjen gjeografike të nismës kulturore të Vuçiçit, deklaroi: “Ne duhet të shtojmë Shqipërinë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë, dhe të shohim se çfarë sfidash përballojnë në këto shtete komunitetet tona kombëtare”.
Nga nisma kulturore e presidentit serb duhet pritur një intensifikim i ndërhyrjes serbe në punët e brendshme të shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, por edhe të shteteve që nuk kanë asnjë lidhje me Jugosllavinë, si Shqipëria. Iluzionet se presidenti serb prej magjisë së integrimit europian është shndërruar nga skifter i Millosheviçit në pëllumb të paqes ballkanike, janë për naivët.
Aktivizimi i ideve të vjetra nacionaliste serbe për rikrijimin e Jugosllavisë apo për “Serbinë e Madhe” mund të jetë edhe një presion i Serbisë mbi Bashkimin Europian dhe mbi faktorin perëndimor për ta lejuar Serbinë të luajë në Ballkan lojën e vjetër hegjemoniste. Në Beograd nuk e kanë fshehur kurrë ambicien për rolin e liderit apo të hegjemonit në rajon. Nuk duhet përjashtuar gabimi që dikush nga diplomacia europiane dhe nga disa organizma paneuropiane t’ia ushqejë këtë ide për ta marrë Serbinë me të mirë, që të mos shkojë te Rusia. Akoma më i rrezikshëm do të ishte gabimi nëse dikush në isteblishmentin zyrtar në Tiranë do të hante karremin serb se Serbia mund ta ndajë me Shqipërinë rolin e saj drejtues në Ballkan. Roli i një hegjemoni rajonal do të ishin një gabim i madh strategjik dhe gjeopolitik, që do t’i kushtonte shtrenjtë stabilitetit të rajonit dhe integrimit euroatlantik. Ndaj duhen denoncuar projektet e një “Serbie të Madhe” apo të një “Jugosllavie të re”, jo vetëm si gjeneratorë konfliktesh të përgjakshme në rajon, por sepse prej tyre humbësi më i madh do të ishin Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar.