Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Opozitarizmi i Monës

 

 

Monika Kryemadhi, nga Jala, i deklaroi shqiptarëve se vendi po shkon drejt një diktature, për shkak të një qeverisje të keqe dhe autoritarizmit të Edi Ramës. Dhe se, së shpejti, LSI do bëj një opozitarizëm frontal kundër çdo padrejtësie.

Në fakt është absurde, si vet natyra e politikës shqiptare.

Pasi akuzuesit i posedojnë plotësisht vet, ato për të cilat akuzojnë kundërshtarin. Eshtë absurde sa edhe për faktin tjetër. Se krahas një fushate të ashpër akuzash, karshi njëri-tjetrit, për drogë, vjedhje, përfitime tenderash, uzurpime institucionesh etj…, për një qeverisje të keqe nga PS, LSI-ja e familjes Kryemadhi-Meta qeveriste edhe vet. Madje u përfshinë në një garë zhvatje, deri tek hekurat e shinave, për shkak të një pasigure të së ardhmes. Se cila do të ishte forca e parë a e dytë. Kësisoj, kush ta shqyente më shumë shoqi-shoqin. Këtij zullumi iu bashkua edhe PD-ja e Lulit me shoqërinë e Fahrisë. Dhe ca djemve të tjerë, baballarët e të cilëve nderonin deri vonë me grusht tek temthi. Sot natyrisht me dy gishta përpjetë. Pra qershori i kaluar, ai i zgjedhjeve, për shqiptarët ishte një teatër absurd. Aq sa ata, të budallepsur, ata, votuesit, qytetarët, u dhanë vota me shumicë Edi Ramës, pastaj Lulit dhe Fahrisë, por pa lënë pas dore edhe familjen presidenciale, Meta.

Që nga ajo ditë qershori, paria ka shkuar me pushime, kurse vendi është përfshirë në zjarre, mban sytë nga Greqia për ndonjë helikopter uji. Dhe lufton me vetveten, duke pështyrë korifejtë e artit. Dhe ata që ikin. Pa i dhënë aspak rëndësi faktit se paria nga pushimet, e gjitha, edhe qeveris, edhe bën opozitën.

A do jetë Mona një opozitare e fortë, frontale? Vertetë asaj i dhimbset vendi? E, vërtetë, i dhëmbin padrejtësitë e qeverisjes ku edhe ajo bën pjesë? Ku edhe ajo pranon se ka gabuar dhe se kanë faj të përbashkët në dështimet e deritanishme? Po ua them unë me plot gojën, asnjëherë. Ky është një truk i radhës… Dhe dhëntë Zoti që shqitarët të ftohen nga koka e të kuptojnë përfundimisht se, me këtë parti kastë familjare, me kastën e Fahrisë nga krahu tjetër etj. Me milionerët e një kuvendi, zor se bëhet ai vend. Një opozitarizëm prej Monës dhe familjes së saj, është angllish për një arsye të thjeshtë…, LSI nuk është as e majtë dhe as djathtë. Një forcë politike e krijuar prej ndarjes, shitjes dhe blerjes. Një forcë pragmatiste mbi organikat. I ka dhënë vendit ”kuadro” me shumicë. Mungesa e identiteti politik, zgjedhjet me vote salle, qarkullimi i pushtetit brenda familjes.

Janë, jo shpresë, por dorëzim tek të fortët. Një politikë tipike e krejt ballkanit perëndimor dhe lindjes së mesme e të largët.

Megjithëse deri diku, tek ne, forcat politike e kanë zbehur identitetin e tyre. Ndaj kjo e përforcon akoma konstatimin e mungesës së opozitarizmit real dhe aq të domosdoshëm për një vend, a demokracinë e tij. Ashtu sikur forcon konstatimin tjetër luftën e ashpër të sojit brenda sojit. Kështu, i bie, që Mona, do bëj opozitë për vendet e humbura në dogana, drejtori arsimore, hekurudhash, resortet turistike, etj. Jo për shqiptarët, por për lësistat. Jo rastësisht sot Shqipëria është plotësisht në një luftë të ftohtë. Ku gjithçka mbetet në kuadrin e denoncimit publik dhe aq. Jo rastësisht Shqipëria dominohet nga të njëjtit elementë. Dhe i beson Monës. Dhe pret se me të vërtetë në shtator do të nisi kthesa. Ndryshimi. Jo, nuk ka për të ndodhur. Përkundër pritshmërisë, po i siguroni dyfish Monës dhe familjes presidenciale një vend në stanjacionin shqiptar.

 

Please follow and like us: