Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Xhevat Lloshi: Kjo akademi duhet shkrirë…

Pak ditë para zgjedhjeve të reja në kupolën e Akademisë së Shkencave, rihapet debati për funksionimin dhe riorganizimin e këtij institucioni të rëndësishëm, që pas pak vitesh do të kremtojë 50-vjetorin e krijimit. Çfarë e ka dëmtuar veprimtarinë e Akademisë dy dekadat e fundit dhe si është zbehur roli i saj. Gjuhëtari i shquar, Prof. Xhevat Lloshi, anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, jep argumentet e tij duke arritur në konkluzionin se kështu siç është, kjo akademi nuk duhet të ekzistojë, pasi nuk e përligj funksionimin e mëtejshëm.. Më tej ai sugjeron se çfarë duhet bërë për ringritjen e saj. Pse qeveria e re nuk duhet t’i njohë përfundimet e zgjedhjeve të afërta në Akademi…

– Profesor, flitet prej vitesh se Akademia e Shkencave nuk është në lartësinë e misionit të saj, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si një institucion që ka dështuar dhe që duhet reformuar rrënjësisht. Cili është perceptimi juaj?

– Pavarësisht nga ndryshimet e mendimeve që janë shprehur, vërehet qartë se ka një pakënaqësi të madhe të opinionit për gjendjen e Akademisë së Shkencave. Nuk i kundërshtoj të gjithë ata që shprehin dëshirën për një ndryshim rrënjësor me qëllim përmirësimi, por më duket se edhe kjo tashmë është një rrugë pa krye. Me një fjali të thjeshtë shqipe do të pohoj se kjo akademi nuk bën më. Nuk ka asnjë shpresë se do të dilte diçka nëpërmjet çfarëdo reformimi. Do ta krahasoja me një fabrikë, që nuk e përligj funksionimin e mëtejshëm, që nuk e vlen të punojë më, prandaj si një fabrikë e tillë duhet të vihet në konservim.

Nuk ka më kuptim të vihen tashti në dukje të metat e saj, të bëhen analiza të arritjeve e të dështimeve. Njëkohësisht për këtë diskutim duhen mënjanuar epitete, fyerjet, qëndrimet diskredituese, e në veçanti përqendrimi te emra konkretë. Kemi nevojë për një ligjëratë të matur dhe logjikë shtetërore. Shkurt, propozimi im, pa e dredhur shumë, është ky: qeveria të marrë menjëherë një vendim për pezullimin e saj. Në buxhetin e qeverisë së re të mos caktohet asnjë financim për veprimtari të mëtejshme. Titujt le t’i mbajnë si të duan, por të mos ketë më një derë, ku të shkruhet emri i këtij institucioni dhe ku njerëzit të hyjnë për të marrë rroga. Hollësitë teknike përcaktohen lehtë sipas krahasimit me një fabrikë që mbyllet për shkak falimentimi.

– Nga veprimtaritë e kësaj Akademie, së paku 20 vitet e fundit, çfarë do të veçonit si arritje të saj?

–  Në akademinë e dikurshme kishim anëtarë edhe ekonomistë të shquar të ekonomisë së dështuar. Në këtë të deritanishmen kemi edhe sociologë, që japin kontribut të shquar për degradimin moral të shoqërisë shqiptare. Me keqardhje vërej, se edhe te shumë shkrime të viteve të fundit në të vërtetë shqetësimi, pavarësisht sesa i mbuluar është,  përqendrohet te synimi për të marrë vetë titullin dhe postet drejtuese, ose për të sjellë atje miqtë e vet. Akademia e tanishme është e infektuar nga të këqijat që i njohim mirë të shoqërisë sonë dhe disa nga ata që hyjnë me zell në këtë diskutim janë po ashtu të infektuar për vete. U bë shumë mirë që u mbyllën disa shkolla të larta dhe nuk do të ishte keq, që të mbyllen edhe disa të tjera, së bashku me këtë akademi.

Arritje e qëndrueshme ka qenë vijimi i botimeve të librave shkencorë. Ndërmjet tyre ka edhe punime të dobëta, që nuk e nderojnë një akademi. Por e keqja e madhe është se ka munguar qëndrimi autoritar akademik deri në atë shkallë, saqë jo vetëm nuk ndihet një kontribut në të gjitha sferat e jetës, por ka rënë edhe roli i domosdoshëm për mbrojtjen e kompleksitetit të çështjes kombëtare. Nuk mund të quaj arritje organizmin e të ashtuquajturave konferenca shkencore, sepse çfarë shkence është ajo, që nuk i nënshtrohet debatit, kritikës dhe verifikimit të vijueshëm me realitetin përkatës. As nuk quhen shkencë përkujtimi i figurave dhe i ngjarjeve, as nekrologjitë.

– Çfarë e ka katandisur Akademinë tonë në këtë farë feje?

– Edhe këtu jemi brenda faktorëve negativë të shoqërisë sonë. Dëshiroj ta përsëris se politika, nga ana e saj, as nuk e ka vlerësuar autoritetin akademik, as nuk ka dashur ta merrte parasysh, sepse korrupsioni e sheh shkencën si një pengesë që duhet mposhtur. Kanë vepruar edhe forca negative, të cilat qëllimisht i shkëputën prej saj institucionet kërkimore për t’u dhënë goditje si këtyre institucioneve, ashtu edhe vetë Akademisë. Dhe ia kanë arritur ta katandisin gjendjen në atë që është, ku edhe arritjet groposen. Sigurisht edhe studiuesit kanë pjesën e vet të fajit, sepse u strukën të trembur, përballë kërcënimeve dhe denigrimeve që vijojnë edhe sot, ndërsa kur janë të personalizuara, nuk del askush t’i mbrojë, as kolegët e tyre. Kemi këtu një dukuri njerëzore të kuptueshme, por historia botërore e shkencës ka edhe shembuj të kundërt, kur dijetarët kanë shkuar deri në burg e në turrën e druve, por nuk janë nënshtruar.

– Juve si gjuhëtar, a ju ka penguar në punën tuaj mosfunksionimi i Akademisë?

– Unë jam shumë i pakënaqur nga rënia e punës së Akademisë dhe e vlerësimit për shkencën përgjithësisht. Personalisht diçka më ka penguar në vijimin e punëve, sidomos sepse kam parë që u ndërprenë arbitrarisht përpjekjet për realizimin e disa veprave madhore, të nevojshme për kulturën shqiptare. Nga ana tjetër, e kam vijuar punën me ato mundësi që kam dhe që i krijojnë lehtësitë e reja nga teknologjia elektronike dhe e komunikimit. Lidhur me gjuhësinë në veçanti, para pak kohësh kam botuar një shkrim në këtë gazetë për organizimin e kërkimit gjuhësor në shkallë kombëtare, duke përfshirë universitetet dhe prandaj nuk po zgjatem këtu.

– Pas një jave bëhen zgjedhjet e reja në Akademi. A mund të shpresohet për një zgjidhje përmes zgjedhjeve?

– Nuk do të ketë asnjë zgjidhje nëpërmjet zgjedhjeve. Qeveria e re nuk duhet t’i njohë përfundimet e zgjedhjeve.

– Nëse bëhet fjalë për reformim, si e mendoni se mund të arrihet ringjallja e Akademisë?

– Nga sa kam thënë deri këtu, shihet qartë se nuk jam për ndonjë ringjallje. Na duhet një rifillim me këmbë të mbarë për shkencën. Konkretisht dhe fare shkurt.

Të mos ketë më një akademi të tillë. Të themelohet Akademia e Shkencave Shqiptare, që të përfshijë ato që ndryshe quhen shkencat albanologjike me institucionet përkatëse. Por edhe në këto institucione të mënjanohet gjithë praktika e trashëguar. E meta e rëndë e trashëguar është krijimi i vendeve të punës për nëpunës shkencorë. Po e sqaroj pak. Një nëpunësi shkencor i miratohet të merret me parafjalët e shqipes. Merr gjithë punën e bërë në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, merr atë që përmbajnë gramatikat e shqipes dhe përfundon duke bërë edhe një kumtesë për parafjalët te Lasgush Poradeci, sikur ky të ishte një autor para Gjon Buzukut. Një nëpunëseje i caktohen dy vjet që të studiojë një roman të një shkrimtari shqiptar. Një tjetri i caktohet të bëjë teorinë e letërsisë. Në asnjë vend të botës nuk e kanë përpunuar teorinë e letërsisë nëpunësit shkencorë, me përjashtim të nëpunësve të teorisë së realizmit socialist, për të cilin nuk ka nevojë të jepen shpjegime.

– Dakord, Profesor me këto që thoni se janë gabim. Por unë ju pyeta se si duhet riorganizuar puna për ringjalljen e Akademisë?

– Në vend të kësaj të kalohet vendosmërisht në organizimin e punës së instituteve me projekte studimore, që të kenë afate dhe financim të kontrollueshëm, duke tërhequr edhe bashkëpunëtorë të jashtëm. Më konkretisht nga gjuhësia: nuk ka nevojë për nëpunës të sintaksës shqipe. Është i mjaftueshëm një specialist i vërtetë, që në bashkëpunim me të gjithë ata që merren me sintaksën në Shqipëri të përpilojë projektin përkatës dhe ta ndjekë atë. Pjesëmarrësit e projekteve ta kenë të qartë se një projekt përfundon dhe të mos shpresojnë se do të vërtiten gjithë jetën me “temën” e tyre.

Për ta shkulur mendësinë e nëpunësit, nuk ka nevojë për drejtorë dhe përgjegjës departamentesh, të cilët befas bëhen shkencëtarët më të shquar. Është me të vërtetë ironike të thuash që ky është drejtori i gjuhësisë shqiptare dhe ky është drejtori i letërsisë shqiptare. Ndoshta duhej hequr krejt posti i drejtorit, në vend të tij të ishte sekretari administrativ, i cili vërtet të merrej me gjithë nevojat administrative të institucionit, ndërsa për anën shkencore barrën ta mbante Këshilli Shkencor, ku të bënin pjesë specialistët më të njohur të fushës.

Detyra e dytë themelore e instituteve është mbajtja dhe pasurimi i bazës për kërkimet shkencore, domethënë i kartotekave, i fondeve etnografike, muzeale etj.

Detyra e tretë themelore është pikërisht bashkërendimi i punës në shkallë kombëtare për fushën përkatëse. Kjo nënkupton edhe marrëdhëniet me shtetin, paraqitjen përpara shtetit të projekteve, duke argumentuar financimin e tyre, si dhe kërkimin e rrugëve për përvetësimin e arritjeve shkencore të fushës përkatëse dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Nuk është vendi këtu për të zbërthyer të gjitha imtësirat, por për të nënvizuar nevojën e ndryshimeve rrënjësore jo nëpërmjet zgjidhjeve që ecin po në atë frymë administrative. Ndërsa për shkencat e tjera, domethënë për fizikën, kiminë, matematikën, gjenetikën etj. të shihet në një të ardhme nëse do të jetë e dobishme të ketë një akademi më vete., si dhe e një komiteti të shkencës. Por një akademi, në të cilën mjekët ose matematikanët vendosin për gërmimet arkeologjike ose për fjalorin e gjuhës shqipe sot është diçka absurde.

 Intervistoi Xhevdet Shehu

 

Please follow and like us: