Albspirit

Media/News/Publishing

Kur miku i Leninit shprehej për Kosovën dhe Çamërinë

Çështja e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar ishte problematizuar në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Përderisa diplomacitë perëndimore e konsideronin Konferencën e Versajës si vënie e pikës mbi “i” për kufijtë në Evropë, partitë komuniste të kohës po farkëtonin një kritikë për problemin e pakicave në Ballkan dhe gjetkë, shkruan Konica.al. Duke qenë se Comiterni (ose Internacionalja e Tretë) po rrjetëzohej gjithandej Evropës, çështja e shqiptarëve të mbetur në Jugosllavi dhe Greqi u ngrit disa herë nga komunistët rusë. Bolsheviku rus Grigory Zinoviev (1883-1936), i cili ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Comitern-it, në vitin 1920 i dërgonte një mesazh përshëndetës partive komuniste në Bullgari, Rumani, Serbi dhe Turqi. Në letrën e tij, miku i Leninit nënvizon ‘ngarendjen e fuqishme drejt lirisë’, duke përmendur  si shembuj përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës kundër ‘burokracisë dhe oligarkisë serbe’ dhe luftën e shqiptarëve të Epirit kundër ‘borgjezisë tregtare greke’. Në vazhdim po e sjellim një pjesë të kësaj letre, që vjen për herë të parë në gjuhën shqipe:

«Përderisa Këshilli Suprem i Parisit ka braktisur klikën ushtarake serbe, klasën e pronarëve të mëdhenj rumunë, dhe burokracinë e shprishur rumune, miliona të huaj – bullgarë, shqiptarë, gjermanë, ukrainas dhe rusë – që po vuajnë, i ka dhënë të drejtën pesë Fuqive të Mëdha, që në rast nevoje, të përdorin pakicat kombëtare si mjet për ushtrimin e trynisë ndaj Serbisë, Rumanisë dhe Greqisë, me qëllim të zhvatjes së çdo lloj avantazhi ekonomik djhe politik…

 Kapitalistët e Francës dhe Anglisë…nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë vendet e Ballkanit. Në të kundërtën, ato në të ardhmen do t’i shfrytëzojnë këto vende edhe më shumë si burime të lëndëve të para dhe si tregje të mallrave të panevojshme…

Ndarjet e reja kombëtare, të krijuara pas disfatës së Austro-Hungarisë dhe trandjes së Bullgarisë dhe Turqisë, kanë thelluar problemin e nacionaliteteve në një shkallë më të madhe sesa para luftës. Shumë elemente të nacionaliteteve të huaja kanë rënë në sundimin e fituesve. Dhe politika e shtypjes kombëtare, e një militarizmi të papërmbajtshëm, i ka dhënë frymë një ngarendje edhe më të fuqishme drejt lirisë. Dhe përpjekja për liri merr një qëllim edhe më të gjerë.

Kundër sundimit të burokracisë serbe dhe oligarkisë së pronarëve, po ngriten bullgarët maqedonas, shqiptarët, malazezët, kroatët dhe boshnjakët…Kundër borgjezisë tregtare, spekulative dhe përfituese greke po luftojnë shqiptarët e Epirit dhe fshatarët turq dhe bullgarë të Thrakisë.

 Një periudhë e re e agjitimit nacionalist, urrejtjes dhe luftërave nacional-borgjeze po i kërcënojnë popujt e Ballkanit dhe Danubit. Vetëm proletariati mundet, përmes fitores, të shmang mynxyrën e re…Vetëm fitorja e diktaturës së proletariatit mund t’i bashkojë të gjitha masat e popujve në një Federatë të Republikave Sovjetike të Ballkanit Socialist, dhe t’i shpëtojë ata prej shfrytëzimit të pronarëve kapitalist dhe borgjezisë së huaj, si dhe prej skllavërimit kolonial dhe mosmarrëveshjeve kombëtare. Partia Komuniste ftohet që në rrethanat e tashme të luajë një rol edhe më të madh në Gadishullin e Ballkanit sesa në vendet kapitaliste ku nuk ka probleme kombëtare…

Në fazën e tashme të përgatitjes për revolucionin socialist, partitë komuniste ballkanike duhet, krahas punës në shtetet e tyre, të kenë vëmendje më të madhe për një bashkëpunim dhe bashkërendim të vendosur të veprimeve të partive të caktuara ballkanike. Fitorja është e pamundur pa bashkimin e të gjitha partive ballkanike».

Po kush ishte në të vërtetë Grigory Zinoviev?

I njohur edhe me emrin Ovsei-Gershon Aronovich Radomyslsky, ai ishte politikan sovjetik dhe një nga bolshevikët e orëve të para.

Zinoviev ishte një nga shtatë anëtarët e Politbyrosë së parë, të themeluar më 1917 me qëllim të drejtimit të Revolucionit Bolshevik. Ai njihet si drejtues i Comitern-it dhe një nga arkitektët e orvatjeve të dështuara për ta shndërruar Gjermaninë në një shtet komunist gjatë fillim-viteve ’20. Zinoviev kishte një rivalitet me Stalinin, i cili e eleminoi nga udhëheqja politike sovjetike më 1926.

Ai ishte një nga të gjykuarit kryesor në rastin e Gjyqit të Gjashtëmbëdhjetëve, që shënoi fillimin e terrorit të madh në Bashkimin Sovjetik e që përfundoi me ekzekutimin e tij në gusht të vitit 1936.

Burimi: Euangelos Kōphos, Nationalism and communism in Macedonia: civil conflict, politics of mutation, national identity, A. D. Caratzas, 1993, f.70

Please follow and like us: