Kur Elez Isufi takohej me djalin e perandorit austro-hungarez në 1917
Çezar Ndreu
Në vitin 1917 tribuni popullor Elez Isufi shkon në Vienë të Austrisë, si përfaqësues i rezistencës shqiptare, për 1 vjetorin e vdekjes së Perandorit Franc Josefit.
Pas takimit, i biri i Franc Jozefit kërkoi nga delegacioni shqiptar mbështetje si në planin ekonomik ashtu dhe ushtarak. Ai iu drejtua delegacionit shqiptar me fjalët:
“Ne jemi në të njëjtën luftë të përbashkët me ju shqiptarët, prandaj kërkojmë nga ana juaj që të na ndihmoni dhe të na mbështesni. Nga ju kërkohet ndihma në ushqime, drithë si për ushtrië ashtu dhe për furnizimin e kuajve të ushtrisë sonë. Kërkojmë që ju të organizoheni dhe të na jepni dhe djem ushtarë që të ndihmoni ushtrinë tonë”.
Të gjithë e miratuan këtë lloj kërkese. Në fund Elez Isufi i indinjuar kërkoi fjalën:
“I nderuar Perandor! Ne jemi popull i varfër. Nuk mund të mbajmë ushtrinë tuaj as me drithë as me ushtarë. Unë jam një nga familjet më të pasura në zonën time, por megjithatë ne nuk sigurojmë bukë për vete veçse 6 muaj.
Ju kërkoni ushtarë. Ne kur vinte turku dhe merrte djemtë tanë për nizamë, ne i vinim pushkën. Në rast se dhe ju do të silleni me ne si janë sjell turqit, paska qenë e thënë se dhe me ju paskemi me pas punë, kemi për t’u vu pushkën dhe Ju”!
Atëhere Perandori kërkoi të dinte dhe pyeti:
- Kush jeni ju?
- Elez Isufi, ma thonë emrin.
- Ta kisha pasë dëgjuar emrin si luftëtar, por paske qenë dhe diplomat. Faleminderit. Prej Shqipërisë nuk kërkojmë asgjë.
Kështu Perandori anulloi çdo kërkesë për ndihmë nga Shqipëria dhe për nder të Elezit pati një lidhje miqësie të veçantë me të. Pak a shumë këto janë tregimet nga profesori dibran Irfan Tërshana, që i kam dëgjuar në vitet 1994-1995, kohë kur profesori ishte në moshën 90-vjeçare.