Albspirit

Media/News/Publishing

Izet SHEHU, cikël poetik

 

DËSHIRA E NJË ÇASTI

Ah, të isha i lirë si era,
Ëndrra pyjesh të përkundja,
Të flirtoj me luleshqerrat,
Të guit tok me pëllumbat!

Ah, të isha i lirë si era,
T’ia shkund pyllit kumtet e verdha!

 

GJONI
Ku gjen humbellë më të braktisur
Se kjo pllajë krimbur në mëkat?
Terrin çan një gjon i krisur
Gjo…gjo…gjo… nëpër natë

Ç’breng e bren shpirtin e gjorë,
Errësirës së bërë pis?
Fryn një erë si brisk i hollë
Dhe të pret.
Dhe të dridh.

A mundesh dot që t’i numërosh
Klithmat e zogut në siklet?
Bot’ e zbrazët,
Pllaj’ e gjorë,
Nat’ e verbër bërë skelet.

Ku gjen humbellë më të braktisur
Se kjo pllajë kredhur në mëkat?
Nat’ e mekur, koh’e krisur,
Rebeluar gjon i ngratë.

 

VENDLINDJA IME

Vendlindja ime:
Një kodër me ullinj,
Që gdhihet me ninullën e ngryset me rrëfenja.
Një lumëi rrjedh te këmbët, një përrua në brinjë,
Në sqep e mban yllin e fatit mëllenja.

Vendlindja ime:
Një vendbanim i lashtë,
Përhumbur thellësish mes përdëllimeve pagane.
Shkurrnajave të harlisura, qiell e dhè bashkë,
Plot lulëzime yjore e gugatje zane.

Vendlindja ime: një kryqëzim I trishtë I zotave e perandorive,
Zgafallë diellore e zemrave të lënduara,
Psalme të mistershme, gjurmë pafajësie
Nëpër ah-et e jetës ndër shtigje të humbura.

Vendlindja ime:
Një ninullë në të gdhirë, një rrëfenjë në muzg,
Një kodër e begatë, një këkrkëllimë përjetësie,
Një dallgë e praruar që kujtesën ma shkund,
Që s’më le të zvarritem, që s’më le të bie…

 

JAM LULJA E EGER NE BUZEN E NJE PERROI

Jam lulja e egër në buzën e përroit,
Hija e hirtë që rrëshqet mbi rrëpira,
Bakërima e varfër, e shterpërt, e pagojë,
Gur i durimit në zheg e shira.
Një bekim të blertë kurrë s’ma dhanë
Ata që erdhën e shkuan matanë.

Jam gorga ku ngrohin vezët stuhitë,
Ku e shkuara dhe e sotmja
Kacafyten përditë.

Jam çasti kur zbuten shemrat e misterta,
Mbi tokë e reja,
Nën tokë e vjetra.

Jam Drita me dy krahë
Që s’e ndal fluturimin,
Bakërima e verbër që ëndërron blerimin.

 

VYSHKJE TRËNDAFILI

Një strehëz të bardhë të kem në breg të detit,
Një kopësht të vogël me limonj e portokalle,
Kujtesën ta var në degën e plepit,
Të luaj me zogjtë
Me perëndimet ngjyrë alle.

Një strehëz të thjeshtë, ku të rroj i mënjanuar,
I plagosur nga ndonjë pikëllim i beftë.
Mbase gjej paqen e mohuar,
Mbase gjej lirinë e vërtetë.

Një strehëz të qetë, ku të më zërë bora,
Tek shpurrit hiret e zjarrit të shuar.
Mbase më kuptojnë njerëzit,
Mbase më kupton koha,
Se jo për nam, po për shpirt kam shkruar.

Një strehëz ju kërkoj,
Plotësomani këtë dëshirë,
Këtë vyshkje trëndafili në një buzëmbrëmje të ngrirë.
Kështu, kur të iki, s’do më tundojë frika
Kur t’ju them zëshuar:
Natën e mire! Ika!

 

GORGA

U vidhistë kjo gorgë e nëmur,
U vidhistë dhe pse s’ka faj,
Gjersa gjindja shohin vëngër,
Gjersa qyqet vetëm qajnë.

Në tym vijmë,
Në tym ikim,
Kope shpresash duke ngarë.
Push e pëshpërimë puhize
Përmbi lule, përmbi bar.

U vidhistë kjo gorgë e vjetër,
U vidhistë sa më parë,
Gjersa s’gjeti kurrë prehje,
Gjersa s’pa një ditë të bardhë.

 

PRES

Qënkam qënie e çuditshme,
Kërkoj gjurmë në errësirë!
Zemërthyer, përherë në ikje
Gjysma rob,
Gjysma i lirë.

Diçka pres e s’di çfarë pres,
Rrekem të sajoj një zgavër.
Nëpër terrin e pabesë,
Që as bishat s’mban me hatër.

Qënkam qënie e çuditshme,
Gjersa gjurmë kërkoj në zgavër!
Gjysma rob,
Gjysma i lirë,
Pres një vezullim të qashtër.

Please follow and like us: