Shkrimi i vitit 1606: Elokuenca, sekreti i suksesit të Gjergj Kastriotit në fushën e betejës
Aurenc Bebja*, Francë
Në librin “Maximes d’estat militaires et politiques” të Giovanni Botero (1544 – 1617) – të përkthyer në gjuhën frënge nga Pierre de Deimier (1580 – 1618) dhe botuar në vitin 1606 në Paris nga shtëpia botuese “Toussaincts du Bray” – gjejmë një shkrim në kapitullin “Des Capitaines excellens à se faire rendre obeïssance”, më saktësisht në faqen n°33, ku flitet për Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Fragmenti në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” – trajton elokuencën ushtarake të udhëheqësve më të shquar, ndër të cilët përmendet edhe heroi ynë kombëtar:
“…Elokuenca (gojëtaria) ushtarake ka shërbyer dikur për të qenë një bindës i menjëhershëm, dhe në bazë të këtij virtyti, siç tregon Suetone (Caius Suetonius Tranquillus, 70 mb.K. – 122 mb.K.), Çezari (Caius Iulius Caesar, 100 p.K. – 44p.K.) i ka barazuar apo tejkaluar të gjithë ata që ishin para tij.
Për këtë, Ciceroni (Marcus Tullius Cicero, 106 p.K. – 43 p.K.) shkruan se megjithëse ky luftëtar i madh ishte po aq i mirë sa Lelio (Caius Laelius Sapiens, 188 p.K. – 125 p.K.), dhe sado që një burrë e ka të vështirë të dëgjojë se një tjetër është i shkëlqyer në më shumë gjëra se ai, duke e pranuar lëvdatën ushtarake, ai ia atribuoi Lelios trofeun e elokuencës.
Aftësia e të qenit elokuent ka qenë shumë e dobishme në mesin e kapitenëve modernë, ku fatmirësisht i ka shërbyer Gjergj Skënderbeut, prej të cilit mësojmë nga historia, se kur ai dilte i armatosur në fushën e betejës, sytë e tij shkëlqenin mrekullueshëm nga gëzimi, fjalimi i tij gjallërues, trimërues dhe luftarak u jepte zemër ushtarëve të tij në atë mënyrë saqë i bënte jo vetëm të shkathët e guximtarë, por edhe të furishëm e përbuzës ndaj rreziqeve, madje edhe ndaj vetë vdekjes.”
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania