Mashtrimi i pa skrupuj i arkeologut Gjergj Frashëri
Çerçiz Loloçi
Një e përditshme shqiptare ka botuar së fundi një shkrim të gjatë “Përse I. Kadareja e braktisi Shqipërinë? (meditime – 31 janar 1991)” të autorit Gjergj Frashëri, (http://www.gsh.al/2017/09/11/perse-i-kadareja-e-braktisi-shqiperine-meditime-31-janar-1991/), i cili është ndërtuar fundekrye me shpifje mjaft të rënda kundër Ismail Kadaresë, të pamoralshme dhe në thirrje të një shërbimi që de fakto nuk egziston, por na sillet nëpër këmbë këtu e 27 vjet me radhë.
Përpara se të themi disa fjalë për këto lajthitje (meditime nuk janë asnjëherë dhe pavarësisht se shkruhet në 1991 ato janë hedhur tani) i duhet kujtuar ndonjë redaktori të zellshëm dhe fytyrëvrerosur të kësaj gazete se shpifja, mashtrimi për këdo qënie njerëzore, aq me tepër për një personalitet me famë botërore, përbën një krim dhe kjo lojë nuk do të ishte vazhduar kaq gjatë, nëse botuesi apo një zyrë avokatore do të hapte një padi ndaj një prej kësaj shpure neveritëse.
Unë nuk di se çfarë përfaqëson Gjergj Frashëri dhe çfarë lidhje mund të ketë ai me strukturat e larta të ish emërtesës komuniste apo të Sigurimit të Shtetit (në librin “Mëkatarët” e Bezhanit janë denoncuar disa arkeologë dhe punonjës të Monumenteve të Kulturës si bashkëpunëtorë të zellshëm të Sigurimit të Shtetit), megjithatë fakti që ka punuar një jetë të gjatë në institucione shtetërore do ta mençuronte sadopak për të mos shkarë deri ku s’mban më dhe aq me tepër do ta frenonte për të mos mashtruar deri në atë masë sa të marrë përbuzjen dhe neverinë nga shumica e shqiptarëve.
Gjergj Frashëri mediton se Kadare u largua në Francë jo për t’i shërbyer demokracisë, proceseve demokratike, por thjesht e vetëm për interes të tij. Kuptohet se është një mashtrim i madh.
Gjergj Frashëri thotë se Kadare është shkrimtar i përkëdhelur i regjimit. Një gënjeshtër e trashë.
Gjergj Frashëri thotë se Kadare është përfaqësues i politikës së diktaturës. Një shpifje monstruoze.
Gjergj Frashëri thotë se Kadare himnizoi kultin e diktatorit dhe kupolës komuniste. Një përfundim foshnjërak.
Gjergj Frashëri thotë se Kadare është i përlyer me ndjenjën e hakmarrjes. Një akuzë shumë e fortë dhe nëse autori nuk arrin ta vërtetojë duhet t’i vetëdorëzohet drejtësisë.
Atëhere përse bëhet ky sulm?
Jemi në shtator, pra jemi në kohën e shoshitjes së kandidaturave të letërsisë për Nobelin dhe siç e ka konstatuar me të drejtë kolegu im Arben Kallamata është edhe stina e shpifjeve kundër Kadaresë dhe nëse nuk ka një Ferrë që mund të shpifë kundër tij, do të dalë një Frashër, një përfaqësues tjetër i klubit të diarresë, që do trazojë me akuza të paqena.
Asnjë shkrimtar në botë nuk mund ta ketë me vete të gjithë popullsinë, ka që e duan, por ka edhe të tillë që nuk e pranojnë dhe kjo është diçka normale. Megjithatë pjesa mospranuese asnjëherë nuk detyrohet të bëjë rolin e shpifësit, me apo pa pagesë, sepse vendet me standarde demokratike kanë edhe kuadrin e tyre ligjor duke i çuar para drejtësisë. Me Kadarenë mospëlqimi ndodh ose nga fundamentalisët, ose nga pinjollët e emërtesës së lartë komuniste, nga Sigurimi i Shtetit po e po, si dhe nga antieuroatlantikët, që arrijnë të shpifin dhe të mos marrin ndëshkimin ligjor. Gjergj Frashëri dhe botuesit e këtyre shpifjeve le të gjejnë vetë se ku bëjnë pjesë në këto kategori.