Shqipëri-Kanada, shënohet 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë u vendosën më 10 shtator 1987.
Në prill të vitit 2001, u hap për herë të parë ambasada e Republikës së Shqipërisë në Otavë, e cila i dha një shtysë të re forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Këto marrëdhënie karakterizohen nga një frymë e konsoliduar e miqësisë.
Objektiv kryesor në marrëdhëniet dypalëshe, sipas Ministrisë së Punëve Jashtme, mbetet forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht përmes thithjes së mëtejshme të investimeve kanadeze në sektorë jetikë siç janë nafta e gazi, minierat, energjia hidrike e administrimi i burimeve ujore dhe industria e turizmit në vendin tonë.
Diaspora e mirëintegruar me rreth 28 270 qytetarë me origjinë shqiptare (sipas censusit të vitit 2011), për MPJ-në është një faktor i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve njerëzore dhe bashkëpunimit dypalësh ndërmjet vendeve.