Albspirit

Media/News/Publishing

Fshati primitiv, ku era e ftohtë e ‘Real-Soc’ nuk zhduku qelizat e artit të lirë

Anastas KOSTANDINI

Pranë liqenit, në këtë ditë vere plot diell dhe hapësirë liqenore, takova të pazakontin mik dhe profesorin tim të dikurshëm të perspektivës, Maks Velon. Sapo u takuam më gostiti me librin e tij të fundit, libër që dukej si një bllok përshkrimi  dhe vizatimesh, kopertina e tregonte këtë me teksturën e ashpër të letrës në ngjyrë neutrale. Brenda këtij sfondi ndjeje një tjetër letër të ashpër dhe të trashë si sipërfaqja e botuar e një shkëmbi ku primitivët vizatonin skemat e gjuetisë. “Fshati primitiv” merr tingëllimën dytësore në gjuhën frënge, nuk dukej i rastësishëm, për më tepër nën nënvizimin “livre d’artiste” me tirazh të kufizuar prej 200 kopjesh. Numri i librit tim ishte 31, i shpërndarë nën prestigjin e vulës së thatë në reliev si dhe nënshkrimit të vetë autorit, ishte një dhuratë dhe provokim njëherësh. Fill pas kopertinës, faqja e dytë grishte lexuesin me një vepër grafike të realizuar direkt mbi sfond të zi me karbon të bardhë. Tre figurat siluetike të çonin direkt në teatrin e supozuar antik. Gjestikulacioni krijohej me një lehtësi gati inkoshiente, jo të një artisti që nënshkruan thjesht “Velo”, por të një fryme plot forcë dhe stuhi epokale gati anonime. Anonimiteti në këtë rast është vetsakrifikimi si rrugë për të çuar natyrshëm tek emri i këtij autori “blasfemik” kundrejt sfiduesit tash të njohur të të ashtuquajturit realizëm socialist në artin shqiptar. Pra, Fshati primitiv i Maksit zbulon fuqishëm ankthin, makthin, enigmat, të vërtetat natyrale jashtë dogmave, egërsinë e të vërtetave të kohës jo thjesht me format abstrakte dhe formaliste, por me njerëz, pemë, kafshë, gurë, mullarë, banesa, sende dhe orendi krejt realiste, mu ashtu si do të dukeshin fshatrat dhe jeta jonë shqiptare e zhytur nën ujin e detit pas një përmbytjeje epokaliptike. Gjithë ato vizatime në libër të lënë pa frymë në organicitetin e tyre. Megjithëse bardh e zi ato të lejojnë të shijosh dhe një “ngjyrë” që derivon prej kontrasteve të ashpra të së realiteteve në të zi dhe të asgjësë apo humnerave të hiçit në të bardhë. Eshtë ngjyra e eklipsit, një ngjyrë pa ngjyrë që karakterizon gjithë “kapriçot” anti socialiste të Maks Velos.


Në kuadratin konvencional të formatit, autori, së pari organizon sipërfaqen e cila në këtë rast duket dhe si një sipërfaqe letre ku arkitektet dhe inxhinierët e ndërtimit realizojnë planimetrinë e godinave në prerje shumë planëshe. Pra, “themelet” e gjithë këtyre konfigurimeve simbolike dhe në trajta të kuptueshme, përpara se të lemë volume në hapësirën që nënkupton e bardha e letrës tonë, si sipërfaqe mbi truall. Ato të çojnë lehtë të mendosh dhe volumet që derivojnë, nëse këto sipërfaqe të zeza mbi të bardhë i imagjinon si vegullime territori. Maksi rregullon në paqe një territor kaotik në mënyrë shumë të organizuar. Përgjithësisht këto sipërfaqe ndërtimi mbi tokë nuk janë ashtu vetëm për arsye të një planimetrie artistike dhe simbolike, por dhe për arsye të tjera. Në këto vizatime primitiviste dhe shumë moderne të bie në sy këmbëngulja e artistit për rrugën e tij dhe pandryshueshmëria e habitshme në një hark kohor shumë të zgjatur (prej vitit 1964 deri më tash). Në këto grafika ekzemplare dhe të pangatërrueshme në shprehjen shqiptare dhe jo vetëm ai arrin të bashkojë në disa arte të quajtura figurative. E para është arti i arkitekturës dhe i inxhinierisë. Tjetra është skulptura në kuptimet e saj bazike dhe primordiale e parë si një vazhdim i arkitekturës. Elementi i tretë është grafika e bardhezisë, në përplasje të fuqishme të konfigurimeve shumë të pasura të formave (shih këtu grafikën dance e realizuar në 1993). Një tjetër dukuri është karakteri monumental i këtyre konfiguracioneve simbolike në të cilat nuk është e huaj lëvizja ashtu si e kundërta e kësaj – ngrirja metafizike. Maksi lehtë të provokon, duke ia dalë që grafikat e tij t’i shtjellojë si godina të çuditshme plot animacione njerëzore qoftë mbi sipërfaqen e terrenit “tokë”, ashtu dhe mbi tokë me dimensionet në hapësirë. Po ashtu, vihet re dhe një tjetër dukuri. Eshtë veshja me kuptime dramaturgjike, deri në subjekte dhe skena njerëzore të morisë së formave të pafundme dhe tmerrësisht kontrastuese të këtyre figuracioneve. “Te sheshi” viti 2000, ose “Teatri në fshatin primitiv” viti 2016, “Ndërmjetësim” viti 1998, “Postmodernia në fshat” viti 2000. Me të gjitha “armët” e botës figurative, Maksi dëshiron të flasë duke ia dalë të thotë një unitet vlerash që të kujtojnë kompleksitetin e arteve që njerëzit primitivë, antikë, deri në atë të sotmit kanë përdorur për realizimin e veprave të mëdha e të pavdekshme. Konstruktet vizuale dhe vizionare të Maksit të kujtojnë tempujt, urbanizmin dhe rrjetin urban mbi të cilat qëndrojnë të gjitha detajet dhe kuptimet sado të vogla qofshin. Pa ç’ka se duket sikur nuk i përket gjuhës vizuale, kuptimet që lindin prej famave janë si destinacioni final i autorit. Asnjë gjest grafik apo teknik nuk është bërë pa qëllim dhe kuptim. Rendja mbas inkoshiencës shpërdoruese dhe rraskapitëse të formaliteteve duket se është e huaj për Maksin. Ai dëshiron të flasë, dëshmojë, tregojë dhe të denoncojë me format e tij simbolike. Ai rindërton sipas mënyrës së tij gjithçka, paralel mbi të njëjtën truall ku të gjithë të “tjerët” realizonin të ashtuquajturin art të realizmit socialist. Maksi nuk ka bërë veprën e tij thjesht dhe vetëm për të sfiduar artin zyrtar që sterilizonte lirinë e ekspresioneve as si mohues dhe përbuzës i vlerave plastike që dha në këtë art dogmatik ekzistonin nën shumë artistë të talentuar. Jo, ai arriti të kuptonte dhe ndiente që në qelizë lirinë e shprehjes dhe të mendimit, vetëm mbi suprinën konvencionale të së cilës ndërtohej një art i madh dhe modern. Ai ka ndjerë gjithashtu përkatësinë me artin e madh modern të pas luftës, që me zbulimet e veta e çoi njerëzimin drejt demokracive dhe të drejtave të njeriut. Maksi nuk është vetëm një realizues artistik. Ai së gjithash është një vizionar qytetërimi, gjithashtu Maksi transferon natyrshëm modernitetin dhe modernizmin deri në qelizat e një shoqërie të vogël periferike si ajo e jona. Shoqëri që prodhon pafund probleme duke humbur shpesh ekuilibrin dhe normalitetin. Vepra e profesor Maksit flet shumë më tepër se sa teksti i tij profetik dhe minimalist. Ai kërkon të rindërtojë në një kuadrat gjithçka dhe gjithë territorin kombëtar e ballkanik në kuptime njerëzore, urbane, plastike, simbolike, harmonike. Maksi afirmon harmoninë mbi kaosin.

 

Please follow and like us: