Albspirit

Media/News/Publishing

Edi Rama: Kosova duhet shpejt në NATO

Vetëm deri para pak kohësh, kur shumë prej nesh këtu ishin studentë, në këtë vend ju konsideroheshit si “djemtë e këqij”. Por kohët kanë ndryshuar dhe sot ju jeni “djemtë më të mirë”. Faleminderit që jeni këtu! Shpresoj që të jeni duke shijuar të qenit sëbashku në këtë vend kaq të mrekullueshëm.

Mbledhja për herë të parë në Shqipëri e Komitetit Ushtarak të NATO-s i jep këtij takimi edhe një përmasë historike, ndërsa, natyrisht, për mua dhe për ministren e re të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, si dhe për të gjithë Forcat e Armatosura të vendit tonë është një nder i veçantë dhe padyshim, një kënaqësi e jashtëzakonshme që t’ju kemi sot, këtu në vendin tonë. Nuk besoj se ekziston një tjetër rast, kur të kesh në shtëpi kaq shumë miq, që i sjellin shtëpisë kaq shumë siguri.

Kam pasur mundësinë që gjatë këtyre viteve ta shoh nga afër transformimin e konsiderueshëm të NATO-s, e cila sipas Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg,  ka hyrë tashmë në të ashtuquajturën moshë të tretë, kohë  të tretë, ‘Third age’.
Dy samite historike në Wells në 2014 dhe më pas në Varshavë në 2016, si dhe takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive në Bruksel në 2017 kanë shënuar një transformim të rëndësishëm të aleancës. NATO e parë, ajo për të cilën fola që në sekondën e parë, e periudhës 1949-1989 ishte sa e huaj për Shqipërinë zyrtare, aq edhe pak e nga pak, vit pas viti, një pik referimi shprese për popullin shqiptar.

Një popull që kishte shumë më tepër armë sesa liri dhe sesa mirëqenie. NATO e dytë, 1989-2014, ishte edhe e jona. Duke dalë disi jashtë kornizës fillestare, duke kaluar kufijtë e saj të vjetër, NATO ndërpreu edhe një spastrim të egër etnik në Europë. Mbijetesa e popullsisë dhe liria që gëzojnë sot, Bosnjë Hercegovina dhe Kosova, janë pas asnjë diskutuam fryt i NATO-s së dytë, e cila përfshiu në misionin e saj edhe lirinë e popujve që jetonin jashtë kufijve territorialë të veprimit të saj.

Gjatë kësaj periudhe, në vitin 2009, Shqipëria përjetoi edhe momentin e interesimit të plotë në NATO. Kjo ngjarje shënon dhe një ndër gurët e rëndësishëm kilometrikë në historinë e vendit, i cili për shumë më tepër sesa dekada vuajti pasojat e një ndarjeje thellësisht të padëshiruar nga bota më e zhvilluar, ose siç e kemi quajtur ne aso kohe, Perëndimi.

Ndërsa sot, kur NATO e tretë ka filluar të marrë trajtë, Shqipëria është dhe vetë NATO dhe si vend anëtar, Shqipërisë i duhet të llogarisë jo vetëm përfitimet, por edhe përgjegjësitë serioze që burojnë nga anëtarësimi në NATO. Harku i destabilizimit që shënjon kufijtë lindorë dhe jugorë të aleancës, valët e ekstremizmit dhe terrorizmit, si dhe rreziqe të tjera globale janë faktorë të rëndësishëm që përcaktojnë edhe politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes së Shqipërisë, përgjegjësitë ndërkombëtare dhe rajonale.

Si një vend ku mbështetja publike për NATO-n është ndër më të lartat, Shqipëria e ka pasur politikisht të lehtë që të jetë shumë aktive në pjesëmarrjen e angazhimeve ushtarake të Aleancës. Në një farë mënyrë, ne kemi arritur t’i bashkohemi misionit të Aleancës, apo dhe angazhimeve të tjera, në bashkëpunim me anëtarët tanë në NATO, në një nivel mbiproporcional. Për aq sa ka qënë politikisht e lehtë dhe sa për t’iu dhënë një shembull, misionet e Shqipërisë në NATO deri më sot nuk kanë marr asnjë votë kundër në Kuvendin e Shqipërisë, pjesëmarrja jonë e gjerë në këto misione nuk ka qenë një sfidë e lehtë për resurset e kufizuara të vendit.

Megjithatë, në  përmbushje të zotimeve tona në Wells dhe Varshave, një program ambicioz modernizimi do të shoqërohet edhe me rritjen progresive të shpenzimeve për mbrojtje. Ashtu sikundër, në vijimësi, Forcat tona të Armatosura  do të jenë prezent në çdo rast dhe front ku ato do të jenë të thirrura. Ato janë sot prezente në misionet e NATO-së në Afganistan, Kosovë, Letoni dhe në Detin Egje. Ashtu sikundër edhe pjesë të misioneve të BE-së në Bosnje – Hercegovinë dhe në Mali.

Edhe në të ardhmen ne do të japim kontributin tonë për realizimin e spektrit të gjerë të angazhimeve të NATO-s në kuadër të masave për “Defense and Deterrence”, për “Enhanced  Forward Presence” dhe “Projecting Stability Beyond our Borders”.
Gjeneralë dhe admiralë,

një nga përgjegjësit e rëndësishme të Shqipërisë në NATO është kujdesi i saj për të kontribuar që rajoni historik i brishtë dhe problematik i Ballkanit të shndërrohet në një rajon të paqes, demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit.

Me hyrjen e Malit të Zi në NATO, gjë të cilën Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht qysh në krye të herës, Aleanca jonë përveçse Atlantike u bë plotësisht edhe “Adriatike”. Tashmë Deti Adriatik është shndërruar në një det të brendshëm për Aleancën, duke i dhënë asaj kontrollin mbi një aset maritim shumë të rëndësishëm për sigurinë europiane.
Megjithatë, hartës së NATO-s i mungojnë Bosnja Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia. Kjo  zonë, ende e papërfshirë organikisht në arkitekturën e sigurisë europiane, përbën një faktor paqartësie strategjike për Aleancën tonë.

Ashtu sikundër, edhe një territor ku aktorë të tretë shohin vulnerabilitet dhe mundësi për penetrim.

Shqipëria, si një vend që kufizohet apo ndërvepron në shumë mënyra me këto vende, ka një interes, por ka edhe një përgjegjësi të veçantë, që kjo pjesë organike  e rajonit dhe e kontinentit tonë të shndërrohet edhe në një faktor të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit të tij. Në përmbushje të kësaj përgjegjësie edhe si vend i NATO-s, ne jemi përpjekur dhe kemi arritur, besoj, jo pak, në një proces që vazhdon.

Mbështetja e disa proceseve, duke filluar nga mbështetja e procesit të konsolidimit të demokracisë re në Kosovë; në vijim kontributi për inkurajimin  e politikave  dhe faktorëve Euro-Atlantikë në Maqedoni; si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, janë disa nga drejtimet kryesore ku është përqendruar politika  e jashtme  e Shqipërisë.

Pas zgjedhjeve të fundit, duket sikur Serbia ka dhënë disa sinjale në favor të një qasje të re politike, në raport me NATO-n dhe me Bashkimin Europian. Megjithatë, këmbëngulja serbe për një formulë tjetër sigurie të ndryshme nga vendet e rajonit e ndërlikon perspektivën e një arkitekture të qartë dhe të qëndrueshme.

Maqedonia po bën përpjekje për të riaktivizuar axhendën integruese dhe për të rifilluar një marrëdhënie të re, jo hierarkike, mes popujve të vet shtetformues, duke hapur shanset e këtij vendi për një të ardhëm europiane.

Kosova arriti që pas një raundi tjetër zgjedhjesh të lira të vazhdojë të konsolidojë institucionet e reja dhe në kushte të balancave shumë të brishta elektorale, si një dëshmi, edhe njëherë, për forcën e madhe që i jep vendit, orientimi i qartë strategjik në  favor të Integrimit Euro-Atlantik.
Jemi të gjithë dëshmitarë të përpjekjeve serioze, të frymëzuara nga palë të treta, për të destabilizuar Malin e Zi, përballë vullnetit të palëkundur të lidershipit politik , por edhe të popullit të Malit të Zi, për të qenë pjesë e kësaj Aleance. Po ashtu jemi dëshmitarë se në këtë valë frymëzimi anti – Atlantik u preken edhe vende të tjera të rajonit. Por jemi së fundi dëshmitarë se të gjitha këto përpjekje morën përgjigje të qartë, falë një angazhimi pa ekuivok të faktorëve progresistë në rajon, ama  mbi të gjitha falë perspektives dhe mbështetjes së partnerëve Euro- Atlantikë.

Ky rajon është pasqyra sot, më kuptimplotë, e influencës së jashtëzakonshme të NATO-së në konsolidimin e perspektivës së paqes, stabilitetit dhe demokracisë brenda  për brenda vetë vendeve që janë pjesë, ose aspirojnë të bëhen pjesë e këtij klubi të rëndësishëm.

Suksesshme të ngjashme janë evidentuar edhe në përballje me tentativat për radikalizim dhe ekstremizëm në rajon. Rrjetet radikale, ekstremiste dhe terroriste kanë marrë goditje të ndjeshëm në të gjithë vendet e rajonit. Dhe tani është koha më  e mirë, që ky momentum i krijuar të shfrytëzohet për thellimin  e mëtejshëm të proceseve integruese në rajon, të cilat konsiderohen si alternativë  e vetme për një të ardhme të sigurt dhe me mirëqenie për të gjithë popujt  e rajonit.

Ne besojmë fort se vetëm integrimi i plotë Euro-Atlantik i vendeve të mbetura ende jashtë, është rruga për stabilizimin, sigurinë, prosperitetin e Ballkanit, por edhe të vetë Europës.

Nga ana tjetër, ne e dimë fort mirë se krahas detyrimeve dhe përgjegjësive ndërkombëtare e rajonale, pjesë e detyrës sonë është vijimi i reformave të rëndësishme në rrafshin e brendshëm, ndër të cilat, ato në fushën e sigurisë padiskutim mbeten përherë të rëndësishme.

Si një vend i vogël anëtar në një aleancë të madhe, ne besojmë se gjëja më e rëndësishme është përqendrimi dhe profesionalizmi ynë për të kryer “punë të vogla”. Ne e dimë mirë se as nuk mundemi, as na kërkohet ndonjë kontribut vendimtar në kapacitete, apo sisteme të rënda dhe  komplekse.
Po në të njëjtën kohë, ne jemi të vetëdijshëm se ka një spektër kapacitetesh, ku ne mund të japim një kontribut të rëndësishëm në kuadër të Aleancës dhe është pikërisht ajo pjesë e spektrit të këtyre kapaciteteve ku kanë më shumë rëndësi njerëzit sesa sistemet kompleks. Pikërisht në këtë segment, ne do të vijojmë të përqendrojmë më shumë vëmendje.

Kapacitetet e këmbësorisë, të inteligjencës dhe të forcave speciale do të jenë prioritet tonë për t’u zhvilluar më tej në të ardhmen. Si një vend me profil maritim, Shqipëria do t’i kushtojë vëmendje zgjerimit të kapaciteteve për të kontrolluar më mirë hapësirat e saj detare, por edhe atë ajrore.
Plotësimi i objektivave për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, në përmbushjen  e zotimeve tona në kuadër të NATO-s, është një sfidë reale përballë burimeve të kufizuara të vendit. E me qëllim që shpenzimet për mbrojtjen të mos shndërrohen në një barrë të përballueshme për vendin, ne synojmë që përmes një roli më të shtuar në dobi të publikut, Forcat e Armatosura të mund të kthejnë sot dhe jo vetëm nesër, një pjesë të buxhetit të mbrojtjes në një trajtë shërbimesh. Kjo do të thotë që përmes krijimit të kapaciteteve me natyrë të dyfishtë, Forcat e Armatosura të kenë një rol të shtuar në fushën e Emergjencave Civile,  kontrollit të hapësirës tokësore, detare dhe ajrore dhe në mbështetjen e autoriteteve të rendit publik.

Epërsitë e kalimit në një forcë krejtësisht profesioniste kanë sjellë si efekt anësor, edhe rrezikun që Forcat e Armatosura të shkëputen nga komunikimi dhe shkëmbimi organik me shoqërinë. Shumë funksione pozitive, ne mendojmë se mund të kompensohen nga ndërtimi i një komponenti rezervë për Forcat e Armatosura. Ky komponent, që ndryshe nga shumica e  vendeve  të NATO-s, në vendin tonë mungon plotësisht, do të jetë një mundësi e re përmes së cilës Forcat e Armatosura do të ndërtojmë një urë komunikimi të re me shoqërinë, do të përfitojnë kapacitete specifike dhe ekspertizë më të madhe profesionale, si dhe të kontribuojnë për kompletimin e katalogut të kapaciteteve të domosdoshme për plotësimin e misionit si në planin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Duke ndjekur një kurs të vendosur për të thelluar reformat e gjithanshme në vend, ku prin padyshim Reforma e Drejtësisë, duke ndjekur një politikë të hapur, me frymë integruese, në rajon, duke mbajtur barrën tonë në kuadër të angazhimeve të NATO-s, si dhe duke modernizuar Forcat tonë të Armatosura, ne besojmë se do të arrijmë të përmirësojmë më tej klimën e përgjithshme të paqes dhe sigurisë, si dhe të shërbejmë më mirë për qytetarët tanë.

Shqipëria  e ka të vështirë të bëjë gjëra shumë të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me përkushtim dhe me profesionalizëm të madh. Siç duket, mbase Shqipërinë ka pasur parasysh edhe Nënë Tereza kur thoshte: “Not all of us can do great things. But we can do small things with great love and dedication”.

 

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën vjetore të Komitetit Ushtarak të NATO-s

Please follow and like us: