Anastas Avramidhi – Lakçe, personaliteti që nuk ka nevojë për përmendore
Vangjel Simaku
Anastas Avramidhi – Lakçe (1821-1890) është bir i shquar i Korçës dhe një nga filantropët dhe patriotët më në zë të saj. Ai lindi në këtë qytet, më 1821-ë, kur ai, si e gjithë Shqipëria ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane.
Viti 1921-ë ishte viti, kur në shumë vende të Ballkanit u shfaqën shkëndijat e para të lëvizjeve të mëdha çlirimtare, që do të çonin pastaj në lindjen e shteteve të rinj ballkanike .
Anastas Lakçe pati emigruar qysh i ri, si dhe shumë korçarë të tjerë drejt Rumanisë, ku ishte formuar edhe një diasporë e fuqishme atdhetarësh, të cilët u morën shumë me çështjen kombëtare shqiptare. Atje Lakçe arrin të bëhet një nga njerëzit më të pasur të Rumanisë dhe një nga shtyllat e lëvizjes patriotike në atë vend. Ndërkohë asnjëherë nuk e largoi vëmendjen nga toka e të parëve dhe Korça e tij. Shpeshherë bënte donacione të mëdha për ndërtime rrugësh e shkollash në këtë qytet dhe ndihmonte çdo vit familjet e vobekta, duke përgatitur pajën për vajzat e tyre, që martoheshin, pavarësisht nëse ishin të krishtera apo myslimane. Gjithashtu falë kontributit të tij në Korçë, morën jetë shumë institucione kulturore dhe fetare.
Në një shkrim të tij mbi Koloninë Shqiptare të Bukureshtit, poeti Lasgush Poradeci shprehet kështu për kontributin e veçantë të Lakçes atje:
“Mbledhja e madhe e paralajmëruar u bë në të vërtetë pa as më të voglin vonim me 27 Dhjetor 1884 dhe u themelua zyrtarisht Shoqëria e Pavarur – “Autoqefale” – e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, me kryetar plakun milioner Anastas Avramidhi Lakçe – Korçën. Ky i pari mbi të gjithë, fali një shumë prej 200 napolonash, që në krijim të shoqërisë, ku u mblodhën me tepër se 15 mijë franga ari. Emri i shoqërisë i pranuar midis entuziazmit me zëra të përbashkët u vendos të jetë “Drita”, simbol i ndritjes, që sot e tutje të popullit shqiptar nga errësira shekullore. Përveç kryetar Lakçes dhanë njëkohësisht shuma të mira të hollash, 49 anëtarë nga më të flaktit.”
Kjo shoqëri më pas do ta ndryshojë emrin nga “Drita” në “Dituria” dhe do të arrijë të nxjerrë edhe 12 numra të revistave me të njëjtin emër.
Një nga kontributet e Lakçes në këtë kohë ka qenë momenti, kur kjo Shoqëri vendosi t’i drejtohej Dhimogjerondisë në Korçë, për futjen e mësimit të shqipes në shkollat greke të Korçës. Ajo dërgoi për këtë qëllim Efthim Markon, për të biseduar për këtë problem, i shoqëruar nga një letër personale e vetë Lakçes, milionerit me shumë reputacion në qytetin e Korçës, që derdhte çdo ditë shuma të mëdha pranë Dhimogjerondisë për ngritjen e mbarëvajtjen e institucioneve të Kishës.
Ja çfarë shkruan më tej Lasgush Poradeci për këtë ngjarje:
“Kur kryepleqësia e Korçës me gjithë përbënjës e numëronte Lakçen vazhdimisht si më parë një anëtar dhe përfaqësues të bindjeve të përhershme, ky Anastas Avramidhi Lakçja, shtyllë shpirtërore dhe financiare, e fortë e Komitetit Ortodoks dhe e Mitropolisë së Korcës, bënte tashmë pa pritur një thyerje kundrejt qëndrimit të tij të mëparshëm, dërgonte me vendim të Komitetit në verën e ardhme të vitit 1885-ë, në Korçë Thimi Markon, të ndërmjetësonte pranë Dhimogjerondisë dhe Mitropolitit Fillotheos Kostandinidhis, duke e porositur të futej gjuha shqipe në shkollat greqishte të Korçës”
Më 1888-ën, Lakce publikoi edhe një libër të vetin në shqip, që u përkthye me pas edhe në gjuhët frënge, greke dhe rumune me titull “Për shqiptarët nga një shqiptar”, ku ai tregonte rëndësinë e edukimit në gjuhën shqipe.
Anastas Lakçe nuk u martua kurrë, por tërë pasurinë e vet e shkriu për të tjerët dhe tokën e të parëve.
Por kontributi më i madh i tij ka qenë pa dyshim financimi për ndërtimin në qytetin e tij të lindjes i kishës katedrale të Shën Gjergjit, një kryevepër arkitekturore, nga më të bukurat e madhështoret jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan .
Kisha e vjetër me këtë emër datonte që në Mesjetën e Hershme, me 1253. Por rritja e vrullshme e qytetit të Korcës, mundësonte ngritjen e një kishe më të madhe me emrin e mbrojtësit të qytetit. Kështu që,më 1875-ë, u prish kisha e vjetër dhe u rrethua vendi për ndërtimin e katedrales së re, mbi rrënojat e saj.
U mblodhën për këtë shumë fonde e ndihma nga Mitropolia e Shenjtë e Korçës dhe më 1881-ë filloi ndërtimi i katedrales madhështore të Shën Gjergjit. Por fare papritur ndërtimi i saj u ndërpre. Dikush ishte ankuar në Portën e Lartë në Stamboll se të krishterët e Korçës po ndërtonin një kështjellë. Në fakt kisha po ndërtohej me gurë të mëdhenj ngjyrë gri nga malet e Korcës, në mes të të cilëve ishte shpuar një vrimë, ku derdhej kallaj i shkrirë. Kjo i kthente gurët në një masë të vetme, që nuk donte t’ia dinte për asgjë.
Kur u ndaluan punimet, Mitropolia e Shenjtë e Korçës, i kërkoi Patriarkanës së Shenjtë të Kostandinopojës, që të ndërmjetësonte pranë qeverisë turke për të rimarrë lejen dhe për të vazhduar punimet. Edhe njëherë këtu, shkëlqeu sërish reputacioni i padiskutueshëm i Anastas Lakçes. Njeriu, të cilin edhe vetë mbreti i Rumanisë e priste menjëherë, duke lënë mënjanë tërë punët e tij, edhe në këtë rast ndërhyri fuqishëm pranë Portës së Lartë. Ajo u detyrua të dërgonte në Korçë një grup arkitektësh specialistë, të cilët raportuan se ajo çka po ndërtohej nuk qe kështjellë, por një kishë.
Filantropi dhe patrioti i madh Anastas Lakçe financoi që në fillim punimet me 5000 napolona flori, ndërkohë që shuma të konsiderueshme dhanë edhe shumë qytetarë të tjerë korçarë.
Ndërtimi i katedrales iu besua mjeshtrit nga Opari i Korçës, Naum Trasha. Ai përfundoi më 1905, vit në të cilin edhe u inaugurua.
Kaq madhështore dhe fine ishte kjo ndërtesë, sa që arkitektët italianë, vite më pas do të mahniteshin prej saj e në ndërtimin e Bankës Nacionale në Korçë, do të përdornin të njëjtën teknikë me gurë për ndërtimin e saj.
Mbi portën e brendshme të kishës ishte vendosur edhe një pllakë e madhe, në të cilën ishte shkruar emri i mirëbërësit Lakçe dhe viti i ndërtimit.
Më 1914, te kjo kishe u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, kurse më 1923, imzot Theofan Noli, dorëzohet kanonikisht peshkop nga dy mitropolitë të dërguar nga Patriarkana e Kostandinopojës.
Po kjo mrekulli e Korçës nuk i shpëtoi dot mynxyrës së kuqe që ndodhi në Shqipëri, pas vitit 1967. Kontributi i Lakçes me shokë, i Nolit të madh dhe i patriotëve të tjerë, u hodh në erë me dinamit, më 1971-ë. Kjo vepër arti u shemb marrëzisht në tokë, kurse gurët e saj u përdorën për ndërtimin e shkallëve të stadiumit të qytetit .
Por monstruoziteti i kuq vazhdoi më tej. Trupi i Anastas Lakçes, pas vdekjes, më 1984, nën kujdesin e diasporës shqiptare u balsamos dhe u soll në vendlindje. Ai u vendos të prehej në një maozoleum, ndërtuar në oborrin e kishës së Shën Gjergjit. Kështu që Korça po përjetësonte birin e vet.
Po injoranca e cinizmi i kuq satanik, që kishte filluar të hidhte rrënjë edhe në qytetin e kulturës, nxiste fëmijët dhe të rinjtë “lejfenistë’ të përdhosnin nderin e këtij qyteti edhe atje, në banesën e fundit. Ata zbrisnin si hije nëpër shkallët e maozoleumit dhe ngulnin gozhdë e gjilpëra në kafkën e njeriut, që pat bërë aq shumë për prindërit e tyre të vobektë dikur. Ky ishte një akt i turpshëm e barbar, një denatyrim njerëzor, që vetëm terrori dhe mizoria e kuqe mundi të pjellë në këtë vend, të vetëshpallur si ateist. Më vonë trupi i Lakçes u vendos në varrezat e qyteti, ku prehet edhe sot.
Anastas Avramidhi – Lakçe, tërë jetën u përpoq për çështjen kombëtare dhe qytetin e tij. Por Korça kjo “nënë pa dashuri”, nuk diti ta vlerësojë siç duhet birin e saj të madh. Ende sot në Korçë nuk ka një përmendore të filantropëve me emër të saj, të këtyre patriotëve të kulluar, që do t’i bënin nder çdo vendi.
Por njerëzit e mëdhenj janë të vetëdijshëm, që në gjallje të tyre, sa më tepër se përmendoret që i bren koha dhe ndryshku, ata vetë i kanë ngritur vetvetes, një përmendore të pavdekshme.
Përmendore të tilla s’ka forcë në botë që t’i shembë.