Arben BLLACI: Një kurorë drite për Frederik Rreshpen!
Rrojmë si mundim. Të gjithë, pa përjashtim. Dhe të gjithë dimë për njeri-tjetrin, atë që shumicën e herës nuk dimë për veten, apo më saktë, s’kemi kurajo t’ia pohojmë vetes. Pikërisht, minutat e pakta kur na shkon buza në gaz, pa vënë këtu në hesap pse-në. Orët pa fund të mërzisë dhe trishtimit, zhgënjimin e përditshëm, si një porcion të detyruar e të farmktë, hedhur në jetët tona nga një… perëndi e di se kush. Minutat e kujtimeve të dikurshme, numëruar me gishtat e dorës, nëpër të cilat laktisim të ngujuar në një mallëngjim pa trajtë dhe pa arsye të prekshme, po thjesht dhe vetëm, një gati lagështi që dikur, në kohët e ëndërrimeve, pati qenë një rrëkezë e gëzeshme nëpër bar e lule…Dhe e shohim veten si ca besimtarë të dërrmuar, që ngrijnë si sfinkse me sytë nga qielli, buzë themeleve të kthyera përmbys, të një kishe a xhamie! Pa mundur dot të bëjnë kryq në altar, pa mundur dot të falen mbi një pitrahil! Dhe me gjithë këto e të tjera, rrallë, sa mrekullisht rrallë, na shkon në mend se nesërmja mund të zbardhë, fare mirë, pa mua…, pa ty…., pa ne.
Një e nesërme zbardhi pa Frederik Rreshpen! Një brilant më pak, në vargun e brishtë të rruazave qarkuar rreth shpirtit të atyre që akoma, fjalën e besojnë edhe në trajtë kënge… Sot e andej, nuk do jetë më fizikisht. Murrëtysë së ditëve tona, lagështisë brrerëse që na mësyn edhe në shtrat, do t’i mungojë endja, së fundi e anktheshme, e barsolinës së tij endacake, si një kërpudhë emblematike ngulur mbi trungun në të vërtetë të kalbur, ku ne vazhdojmë të harlisemi si degë e bisqe me fat mimozash…
U plak kali i bardhë
Tërë vdekje u rrëzua në fushën me shi
Rënkoi në heshtje dhe veç një pikë loti
Seç rrodhi me dhimbje mbi dheun e zi…
U plak… Po a u mplak vërtet, ai dhe dhjetra të tjerë, që tani së fundi, kanë një nxit makabër për t’u zhytur në tokë!? Ç’i tremb këtu lart? Ndoshta akoma edhe sot e gjithë ditën, i ngjeth hieja e zezë e asaj çkasë, që iu prishi barbarisht bilancin e jetës dhe rinisë që e patën të çmuar. Dhe i vërsulen dheut, si shpresës së fundit, me një numërim absurd të viteve që jetuan vërtet. Me nga dhjetë, pesëmbëdhjetë e më shumë vite më pak, të jetuar në kuptimin e plotë fizik të fjalës… Dhe ne kuturisim paturpësisht, t’iu zëmë në gojë ditën e lindjes dhe sidomos… ditën e… “vdekjes”! Ne, që harrojmë Ferrin ku i degdisëm, engjëjt që s’kishin asnjë lidhje me Të! Janë të panumërt martirët! Mes tyre dhe Frede-rik Rreshpja, brilanti më pak…
Unë nuk e njoha aq shumeë nga afër! Ndoshta më mirë! Por pa e ditur as fare, në ditët e tij të fundit, e njoha së thelli, me “Vetmi”-në e tij! Ndihem, po ndoshta s’jam fajtor, që nuk munda t’i blatoja ca pak shoqërim, ca pak sekonda më pranë, me shpresën, jo se gjëmbi i vetmisë që i kishte përshkuar tashmë shpirtin, do qe më pak gjemb, por me përpjekjen për t’i përcjellë ditëve të tij të fundit, gjëmbit të vetmisë së tij të tmerrshme, ca pak klorofil që është karakteristikë e bisqeve dhe luleve! Ku ta dish, ndoshta për të mund të qe një pikëpyëtje dyzuese: jo se vetmia nuk është një thikë, po ndoshta një thikë, që nuk mbërrin megjithatë, deri në zemër… Dhe dyzimi i tij në vdekje, mund të qe mesazh oshëtitës, për ne që pandehemi të gjallë!
Një brilant më pak! Po… edhe nje Frederik më pak, me jetën e tij të sfilitur, jo se s’diti, jo se s’deshi! Se qe jetë, ajo që iu shkërmoq nëpër duar, dreqi e mori! Dhe jo vetëm e tija! Se është i pafund konstelacioni që iu caktua fati të qe thjesht meteor i shuar në terr, për hatër të ca yjeve fals, dhe të ca shkelqimeve, efekte kallaji mbi bakërr pa vlerë, që një zot e di pse duhej të qenë! Dhe që më zi se “duhej”, vazhdojnë “të ndrijnë” akoma!
Mua ma dha djali mandatën e tij… “Frederik Rreshpja ka vdekur, e pashë në ca lajme, babi!” Një fëmijë… që pa dyshim do rritet me imazhin e “Vetmi”-së së Rreshpes! Një fëmijë, shumë fëmijë ndoshta, që do stepen para dëshmitarit të absurdit, që jo thjesht rroposi jetë e fate, por që dramatikisht i dha trajtë Harku, dilemës “të jesh, a të mos jesh”! “Hark” themeli i të cilit, në një, a në tjetrën mënyrë, e ndjejmë të na rëndojë në shpirt, deri në shpirtmarrje!
Një brilant më pak!… Në Lidhjen e Shkrimtarëve, në Ministrinë e Kulturës, deri pak orë para varrimit vonë, nuk dinin gjë, as se qysh dhe as se tek, për Frederikun!?… “Vetmi”- ofshau brilanti, dhe iku!
Na e la, apo s’na e la shëndenë! Ka fare pak rëndësi, për ne që jetojmë akoma shpengu-shëm! Me siguri do gjenden aq njerëz, sa të mbajnë kutinë me kockat e tij, se skelet mbërriti që me gjallje! Dhe aq duar dhe dy litarë, që ta zbresin përfundimisht në Dhe! Do gjendet dhe një restorant, ca duzina, në u bëfshin duzina, lugësh dhe pirunësh për “t’i ngrënë hallvën”! Hallvën ta hamë shpejt e shpejt ne! E, bashkë me nje gromësimë, do themi, “ndjesë pastë”! Dmth, “ndjesë pastë Ai”, brilanti më pak!? Por i panjeriu, i patarafi, fillikati, shpirtpranverti, poeti i madh, shpirti i madh, enderrimtari i madh, shpresëmadhi deri në çastin e mbramë!
Frederiku! Frederikët… Ata që e kanë vendin, me vendim të tyre, në Panteonin tonë të pakët dhe hileqar! Ata që do na presin në Parajsë, siç na presin të afërmit e shpirtit, kur shkojmë në një vend të Huaj!
“- Mirësë erdhët”!
Pa u shkuar asfare në mend të shtojnë:
“ – Ju kujtohet ç’na punuat atje lart?”