Albspirit

Media/News/Publishing

Anisa MARKARIAN: Andante e purpurt

 

 

Përtej qelqeve të dritares, lodrimi ngashënjyes i gjetheve fluturake më ngacmon kujtime të vyer, pothuajse të “harruar”. Kanë tinëzinë e një vullkani të përgjumur, cucërruar nën jorganin e hirit të ngurtësuar. Në pamjen e parë të duket përfundimisht i shuar. Por vetëm në pamjen e parë…
* * *
Kanavaca e purpurt qiellore kuqërrit koren e shkrythët të globit gjer në përvëlim. Tundullosur në ajth të dybekut të botës, magma lëngëtore ngjizet në kulloshtër ëndrre. Tumba resh topsheqere hutlohen rrëmujshëm, anepërqark. Flegrat e tymtarëve të motit përshpejtojnë mërgimin e pigmenteve metalorë, pështjellur në një jeshillëk të dalë boje. (Klorofili ka ngjeshur tashmë skafandrin e shtegtimeve hënore.) Një mjegullinë avullndryshkur bulbëron gulfa-gulfa kamareve të horizontit.
Përballë pasqyrës portokallì të oqeanit, natyra ngjyrohet me pluhurizë terrakote; majëzën tultake të hundës pudros me albra diellore. Lugthit të buzëve epshore derdhet pikë-pikë nektari i hurmave farëzeza shijuar vjedhurisht, si një mëkat adoleshence.
Gjysmërruzulli i përflakur, llambë një milion vatëshe me volfram inkandeshent, kapërcen hapashalthi pragun e barasnatës. Ajri është i vakët.
Në vorbaren e dritëhijeve po gatuhet ngjyresa stinore me af të kadifenjtë. Reflekse të verdhëllemë, të kuqërremtë, të bronztë, të artë, okër, gështenjë…
Ka hyrë vjeshta e parë.
(Më jehoka po aq dridhëmuese sa “dashuria e parë”.)
Mbushulluar me fruta vjeshtore, tregu fshatar shpalos pa kursim dallditë ëmbëlake. Uhh, ç’marramendje! Ftoj pushëverdhë, rrush çilek, fiq manushaqe, dardhë shërbetlije, hide mjaltore, shegë devedishe… Lëngëzojmë të gjithë, fëmijë, të rritur, e pleq. Shportën brus me pjalm vjeshtuk, s’paskam veçse një ngut: ta rrufis me një frymë, gjer në ngimje të babëzisë së beftë. Shitësja më kthen kusurin me të fundit qindarka gjelbërimi mbetur në gropë të sirtarit. I rras në xhep shpërfillshëm e vazhdoj hapin. Dikush më kalon përbri duke fishkëllyer. Më përshëndet me kokë, më shkel djallëzisht syrin.
– Njihemi, zotëri?!
– Jo… E ç’rëndësi ka? Andante e purpurt!
– Oh… Gëzuar, gëzuar!
Mbrëmja shpërndan e përmallur tinguj violinash cigane. Barkëza-taksi për në bujtinat e kujtesës, gjethet larane harakuqen gaztore qilimave luspartë të qytetit. Mbartin historitë e parrëfyera të harlisjeve të beharit, gerrlave të Jonit.
– Më tregoni, më tregoni!
– Shshtt! Nuk përfliten ato “punë”…
– Ah?! …Ju kërkoj ndjesë.
Të purtekur nga vrasja e ndërgjegjes, dashnorët pendestarë nxitojnë të lajnë gjynahet e verës. Tutje, petkat e mëkatit! Zelltare, arixheshkat fshesare djegin turrthi dyshekët me gjethurina të bakërta. Kanë urdhër të zhdukin provat e fajit. Thellomave të virtytësisë, po fillon ceremonia e rivirgjërimit kolektiv.
Vjeshta shtojzovalle përfytet me lubitë puritane përtej qelqeve të dritares. Kalëron shaluar mbi mospendimin tim…
* * *
Kujtimet e mi i ngjajnë një vullkani që, në pamjen e parë, duket përfundimisht i fjetur. Por veç në pamjen e parë. Sepse vullkanëve nuk u zihet besë kurrë. Në zemër të bërthamës magmatike u bubullin qëkur një gjethnajë e purpurt. Mjafton një krisje milimetrike (si valsi fluturak i një gjethëze vjeshtake), që lava përvëluese të grafullojë furishëm nga gejzerët e nxehtë të kujtesës duke përpirë gjithçka. Qetësinë e Tokës e… të shpirtit tim.
Ç’përmallim!

A.M.© Vjeshtë e parë, 2017.

Please follow and like us: