Ismet Mehmeti: Ngazëllimi dhe trishtimi i mjellmës
Shënime për vëllimin poetik “Mjellmë në mjegull”, të Rakela Yzeirit
Kur lexon një libër me poezi, të një poeti, të ri apo të njohur, gjëja e parë që të vjen në mendje, është: Cili është mesazhi që sjell poeti në poezitë e tij, si do ta përmblidhje atë me një fjali të vetme? Këtë pikepyetje e ka zgjidhur vetë poetja që në titullin e librit, “Mjellmë në mjegull”. Një titull i thjeshtë, por shumë domethënës. Poetja i ngjan një mjellme, me të gjitha cilësitë dhe atributet e saj, me brishtësinë dhe delikatesën, me bukurinë e shpirtit e me dhimbjet e tij, me trishtimin dhe zjarrin e padukshëm që i vlon, ashtu siç është realisht shpirti i një poeti në tërë kompleksitetin e vet…
Poezia e Rakelës i ngjan një ujëvare që rrjedh e gurgullon, që farfurin e këndon si ato kantatat moderne, që nuk i respekton rregullat e standartet klasike të vargut e të strukturave të tij, por që fjalën e kthen në art dhe mesazhin poetik e sjell mjeshtërisht si ato meloditë e famshme të Bet’hovenit, duke të bërë që t’i rilexosh vjershat e saj për të shijuar bukurinë e fjalës e thellësinë e mendimit..
Dhe unë, që po hedh në letër disa mendime apo gjykime, tërësisht personale, pasi e lexova dhe e rilexova librin e saj, nuk e pata të lehtë për ta shprehur esencën e poezisë së saj, që ka në qendër DASHURINË, si motivin parësor që emancipon njerëzimin. Kur kam lexuar një letër që Einsteini i madh i shkruan Lusit, vajzës së tij, ku i shpiegon se si një ditë, kur njerëzimi, në bazë të teorisë së tij të Relativitetit, të shpikë një bombë të madhe të mbushur me dashuri, e cila të zhdukë urrejtjen, atëhere shoqëria njerëzore do të ketë dimensione të reja. Rakela i paraprin këtij parashikimi, sa shkencor aq edhe artistik, të Einsteinit: poezia e saj është e mbushur me dashuri që kërkon të vrasë urrejtjen, të zhdukë trishtimin (që, gjithsesi, mbetet bashkëudhëtare e jetës së saj poetike)…
MJELLMA DHE TRISHTIMI I SAJ.
Në librin e Rakelës nuk ka asnjë poezi që mban në titull ‘Mjellmën’, madje, as nëpër vargje nuk përmendet emri i saj, por në tërë poezinë e Rakeles ajo është pranishme, sepse shpirti i poetes i ngjan asaj të një mjellme, që nuk qan, por ndjen dhimbje, që nuk ka lotë, por vuan, që nuk qesh, por ngazëllehet si një adoleshente. Sepse shpirti i saj nuk gjen prehje, por gulçon, vuan, qan dhe qesh, e kërkon dashurinë pafundësisht, e gjen, e humb, trishtohet, gëzohet, vrapon pas saj, zhgënjehet, por vazhdimisht është në kërkim të saj. Sepse poetja e ka kuptuar, se dashuria është motivi themelor i egzistencës së genit njerëzor. Kush mund ta shprehte shpirtin e saj, të trazuar femëror më mirë se mjellma?
“Jetoj me kujtime këtë natë/Dergjem ëndrrave të pafundme, lënë përgjysëm/Zemra më dhemb”, shkruan poetja në një vjershë, titulluar “Vetmi”, sepse vetmia e trishton atë (mjellmat nuk e durojnë dot vetminë) prandaj zemra e saj dhemb…e dhemb. Madje ajo e quan “Dhimbje e kaltër”(E dija se po jetoja me një mbret/Ligjeve të tij iu nënshtrova/U bëra e vogël në dashurinë e vërtetë/Natyrën, vjeshtën e bukur e harrova…).
Poetja ka një gjykim origjinal për atë që quhet sensi i vazhdimësisë, ajo nuk e pëlqen stanjacionin. Gjërat, e lëna përgjysëm, e trishtojnë, sepse ato, në gjykimin e poetes, nuk sjellin asnjë mesazh, gjymtojnë jo vetëm trupin, por edhe shpirtin (Mbeta gjysëm trup/E gjysëm kujtim). Dashurinë ajo e kërkon të përjetshme, pa ndalesa, sepse vetë egzistenca e njeriut është e lidhur me dashurinë, pa dashuri nuk ka rilindje, nuk ka jetë. Por armiku i dashurisë për poeten, është trishtimi, ekuivalenca që e mban atë në ekuilibër, që e ruan nga rrëshqitjet dhe e mbron nga denigrimi. “Jeta më fali dhuratën e vyer, trishtim…/Dashuritë, malli larg./Ëndërroj,/Në zemër e natyrë rrjedh shi…
Poezia e Rakeles ka thellësi mendimi, nuk është e lehtë t’i kuptosh mesazhet që ajo përcjell me vargjet e saj brilante. Prandaj ajo nuk i respekton rregullat klasike të ligjërimit poetik, për të ka rëndësi mendimi, ideja, mesazhi…
NGAZËLLIMI I MJELLMËS
“Eja sonte” është një nga poezitë më të spikatura të vëllimit poetik “Mjellmë në mjegull”, e huazuar nga libri i saj i dytë, me të njëjtin titull, ndoshta poezia që e shpreh, në mënyrën më sintetike shpirtin artistik të poetes. “Eja sonte të bëjmë dashuri/(Nesër të harrojmë që jemi takuar)/Do ta kërkojmë njeri-tjetrin përsëri/Pa puthje e pa prekje me duar! Eja sonte të zhytemi thellë/Të mbyllim sytë dhe të ëndërrojmë…dhe poshtë t’i ulim puthjet dhe t’i vendosim në duar/Në vend të mollës puthje të hamë…”
Poetja e kërkon ta jetojë jetën me tërë dinamikën e saj, me ulje -ngritjet, brenda normalitetit njerëzor, ajo i gëzohet jo vetëm dashurisë, si ndjenja më sublime e shpirtit të saj romantik, por edhe sytheve të pranverës që çelin, cicërimës së zogjve, shumëllojshmërisë së ngjyrave, lodrave të fëmijëve… “Nuk kam humbur” thotë në një poezi të sajën: “Shelgjet lotues më patën pushtuar/Më mbytën të gjithën/Më lanë të harruar…/E përkëdhelur prej buzëqeshjes ëndërr/Shtegëtoja…”.
Poetja i gëzohet jetës, ashtu siç i vjen, me natyrshmërinë e saj, edhe pa luksin e komoditetin që e dëgjon shpesh në jetën e saj të përditshme. “S’kam jetuar ndonjëherë në luks”, shkruan ajo në një poezi: “Kam pasur një dhomë/Më të bukur se të gjitha dhomat e botës,..dhe më poshtë: Cigarja mund të pihej lirshëm/Se nuk dëmtonte asnjë orendi…”.
Poetja është shumë e ndjeshme, nga humaniteti i saj buron kolori që e bën atë të thjeshtë e komunikuese në raportet me njerëzit.
“Një zonjë e thinjur ecte në rrugë/Nga çanta në duar lëvizte ngadalë/Vrapova dhe i fola/Po fjala më ngriu në buzë/Sa shumë ngjante me nënën time të bardhë…”.
EPILOG
Rilindja e demokracisë, është në radhë të parë, rilindja e mendimit të lirë, ku edhe letërsia, në tërësinë e saj dhe poezia, në mënyrë të veçantë gjenerojnë emra dhe breza të rinj, nga ku filtrohet arti i vërtetë poetik. Shumë emra të rinj, shumë poezi, por pak artistë të fjalës.
Rakela Yzeiri është një ndër poeteshat më të spikatura të brezit që jetojmë. Me tre librat e saj “Le të mbetemi miq”, “Eja sonte” dhe së fundmi, “Mjellmë në mjegull” ajo ka hyrë me dinjitet në antologjinë e letërsisë shqipe, sepse poezia e Rakelës, ashtu siç shkruan redaktori i këtij libri, poeti i mirënjohur, Demir Gjergji, (për të cilen, gjej rastin të nevizoj se ka pjesën e tij në arritjen e këtij libri) ”…del natyrshëm prej shpirtit, si fryma. Duke vrapuar drejt saj, ajo vrapon drejt dashurisë, drejt vetes, drejt botës…”.
Shtator 2017
EJA SONTE
Eja sonte të bëjmë dashuri,
(Nesër e harrojmë që jemi takuar!)
Do ta kërkojmë njeri-tjetrin përsëri,
Pa puthje, pa prekje me duar!
Eja sonte të zhytemi thellë,
Të mbyllim sytë dhe të ëndërrojmë!
Përplasje dallgësh në breg trupat tanë,
Që njeri-tjetrin kërkojnë!
T’i ulim puthjet, t’i vendosim në duar,
Në vend të bukës puthje të hamë,
Sa gjë e bukur të jesh e dashuruar,
Të kesh këtë fat, që jo të gjithë e kanë!
E le t’i harrojmë njerëzit, kafshët, sendet,
Në këtë jetë tonën, mëkatarë!
Ne të dy jetojmë brenda një buzëqeshjeje,
Dhe buzëqeshja s’mund të quhet: ndarje!